Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së ndihmon Shqipërinë të forcojë luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit
Publishing date: 31 tetor 2025
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë ekonomike, Mirëqeverisja, Policimi
Prokurorë, hetues dhe oficerë ligjzbatues nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Lalëz, më 29 dhe 30 tetor 2025, në një trajnim dyditor për parandalimin e pastrimit të parave dhe masat kundër korrupsionit. I organizuar nga Prezenca e OSBE-së, kursi kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe operacionale të Shqipërisë për hetimin e krimeve të ndërlikuara financiare.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon Forumin e 11-të vjetor për Zhvillimin e Medias
Publishing date: 29 tetor 2025
Content type: News
Më 29 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi Forumin e 11-të vjetor të Zhvillimit të Medias, i cili mblodhi së bashku vendimmarrës të rëndësishëm dhe ekspertë të fushës për trajtimin e dy përparësive kyçe lidhur me peizazhin mediatik në vend, të cilat janë transparenca e pronësisë së mediave dhe pavarësi institucionale e transmetuesit publik RTSH. Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Michel Tarran, theksoi se angazhimet e OSBE-së janë të qarta: shtetet pjesëmarrëse duhet të promovojnë pluralizmin mediatik, të sigurojnë transparencë në pronësinë e mediave dhe të parandalojnë përqendrimin e tepruar të tyre. “Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë ekzistenca e një mjedisi mediatik në Shqipëri që është i larmishëm, transparent, i pavarur dhe i qëndrueshëm ndaj presioneve politike apo ekonomike. Mbi të gjitha, duhet të jetë një mjedis që mbështet debatin publik të informuar dhe mbron vlerat demokratike”, tha ai. Në një videomesazh nga Vjena, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasadori Jan Braathu, shprehu kënaqësinë e vet për mbajtjen e këtij eventi, duke vënë në dukje “angazhimin e vazhdueshëm të Prezencës për përparimin e lirisë dhe pluralizmit të medias në vend. Këto janë vërtet diskutime tej mase të rëndësishme, jo vetëm për të mbrojtur lirinë e shtypit, por edhe për t’u siguruar që media të shërbejë si një platformë e mirëfilltë për zëra të larmishëm, gazetari etike dhe të përgjegjshme, si dhe debat publik të informuar”. Sesioni i parë u përqendrua në transparencën e pronësisë së mediave dhe rreziqet që sjellin strukturat e paqarta të pronësisë dhe përqendrimi i tregut. Ndër kontribuesit kryesorë të tij ishin Armela Krasniqi, Kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive, e cila ofroi një prezantim rreth mbikëqyrjes rregullatore dhe sfidave ekzistuese për zbatimin e normave të transparencës, si dhe rreth publikimit nga ana e AMA-s të bazës së të dhënave mbi strukturën e pronësisë së mediave. Prof. Dr. Mark Marku nga Universiteti i Tiranës paraqiti perspektiva akademike lidhur me pluralizmin mediatik, krahas redaktorëve dhe analistëve të medias që shpalosën shqetësime praktike sa i përket pavarësisë editoriale dhe ndikimit ekonomik mbi mediat. Sesioni i dytë u përqendrua në pavarësinë e transmetuesit publik shqiptar, RTSH, duke vënë në dukje rolin e tij qendror në sigurimin e informacionit pluralist dhe të besueshëm. Drejtorja e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, foli për përpjekjet e brendshme në vijim dhe për presionet financiare që vijojnë të ndikojnë në pavarësinë e institucionit, ndërsa ekspertët e integritetit mediatik Lutfi Dervishi dhe Blerjana Bino theksuan rëndësinë e forcimit të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes publike. Po ashtu, Aleksandër Marku, Kryeredaktori i ERT3 Selanik, ndau përvoja krahasuese mbi ruajtjen e një mandati të fortë të transmetuesit publik dhe foli rreth bashkëpunimit të mundshëm mes dy transmetuesve publikë. Gjatë gjithë Forumit, pjesëmarrësit ranë dakord se transparenca sa i përket pronësisë së mediave dhe një transmetues publik i pavarur janë të domosdoshëm për ruajtjen e besimit të opinionit publik dhe pjesëmarrjes demokratike. Diskutimet pritet të kontribuojnë në veprime konkrete ndjekëse dhe në rekomandime publike.
Gjyqtarë austriakë dhe shqiptarë shkëmbejnë përvoja mbi drejtësinë administrative, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
Publishing date: 3 tetor 2025
Një delegacion i përbërë nga 29 gjyqtarë austriakë, anëtarë të Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve Administrativë dhe të Shoqatës Austriake të Gjyqtarëve Administrativë, zhvilloi një vizitë studimore dyditore në Shqipëri, më 2 dhe 3 tetor 2025, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së. Programi e njohu delegacionin me institucionet kryesore të drejtësisë shqiptare dhe u mbyll me një tryezë të rrumbullakët të nivelit të lartë mbi perspektivat krahasuese të drejtësisë administrative mes Shqipërisë dhe Austrisë.
Seminari rajonal i OSBE-së në Durrës u fokusua tek lidhja mes trafikut të drogës dhe krimit të dhunshëm
Publishing date: 10 shtator 2025
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Transnational Threats Department
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Departamentit për Kërcënimet Ndërkufitare të OSBE-së / Njësisë për Çështjet Strategjike të Policimit dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, organizoi një seminar dyditor rajonal sa i përket lidhjeve mes trafikut të drogës dhe krimit të dhunshëm. I mbajtur më 10 dhe 11 shtator në Durrës, seminari u zhvillua me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Policia e Shtetit Shqiptar, së bashku me përfaqësues të forcave policore nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, si dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Pjesëmarrësit diskutuan rreth prirjeve më të fundit kombëtare dhe rajonale që po shfaqen në trafikun e paligjshëm të drogës dhe kërcënimet e lidhura me pastrimin e parave, vrasjet me pagesë, zhvatjen dhe forma të tjera të rënda të dhunës. Aktiviteti siguroi një platformë për shkëmbimin e informacionit dhe praktikave të mira, me synimin forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e hetimeve të përbashkëta penale. Duke shërbyer për rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar, kjo nismë synon të luftojë me më tepër efikasitet veprimtarinë e organizatave vendore dhe ndërkombëtare kriminale të drogës që veprojnë në Ballkanin Perëndimor.
Misionet e OSBE-së nxisin bashkëpunimin rajonal mes bashkive kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore
Publishing date: 16 korrik 2025
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Shkup
What we do: Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve, Barazia gjinore
Rreth 50 përfaqësues nga bashkitë, forcat e rendit, sistemi i drejtësisë, shërbimet sociale dhe shoqëria civile nga Kukësi dhe Dragashi u mblodhën në Kukës, më 16 korrik 2025, për të forcuar bashkëpunimin në adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE‑së në Shqipëri, publikon Vëllimin II të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese 1992–2024
Publishing date: 25 qershor 2025
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Pas publikimit të Vëllimit I të Udhërrëfyesit (Guidës) të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese në shkurt 2024, i cili përfshinte ankimet individuale kushtetuese për periudhën 1998–2023, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE‑së në Shqipëri, publikoi më 24 qershor 2025 Vëllimin II të Udhërrëfyesit, i cili përfshin periudhën 1992–2024. Vëllimin II i Udhërrëfyesit paraqet vendimmarrjen dhe jurisprudencën e Gjykatës lidhur me parimet e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore, vendimmarrjen mbi të drejtat substanciale, si dhe standardet në lidhje me ndarjen e pushteteve dhe organizimin e funksionimin e organeve kushtetuese, sikurse Presidenti i Republikës, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Gjykatat, Prokuroria dhe organet e vetëqeverisjes vendore. Së bashku, dy vëllimet e Udhërrëfyesit synojnë të kontribuojnë në rritjen e qasjes së publikut në drejtësinë kushtetuese dhe në forcimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore. Vëllimet do t’i shërbejnë stafit gjyqësor për përmirësimin e kapaciteteve kërkimore e analitike, do të mbështesin standardizimin e vendimeve të Gjykatës dhe do t’u mundësojnë juristëve, profesionistëve të fushës dhe studiuesve që të shqyrtojnë më lehtë jurisprudencën e Gjykatës. Hartimi i dy vëllimeve u mbështet nga Prezenca e OSBE‑së në Shqipëri, në kuadër të projektit “ Forcimi i shtetit të së drejtës dhe promovimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri përmes mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese ”, financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Greqia. Prezenca e OSBE‑së do të vijojë mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese në përpjekjet e saj për rritjen e transparencës, përmirësimin e qasjes dhe efikasitetit, si dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale për garantimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE‑së.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezanton studimin e fizibilitetit për krijimin e Qendrës Kërkimore për Zhvillimin Vendor pranë Universitetit të Gjirokastrës
Publishing date: 24 qershor 2025
Content type: News
Më 24 qershor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Universitetin e Gjirokastrës, prezantoi gjetjet e studimit të fizibilitetit për ngritjen e një Qendre Kërkimore për Zhvillimin Vendor pranë këtij institucioni të arsimit të lartë. Merrnin pjesë në këtë veprimtari staf akademik, përfaqësues të qeverisë, shoqërisë civile, studentë dhe aktorë vendorë për të diskutuar rolin kyç të kërkimit shkencor dhe të dhënave në mbështetje të hartimit të politikave dhe promovimit të zhvillimit vendor të qëndrueshëm. Takimi u hap nga Prof. Dr. Jaho Cana, Rektor i Universitetit të Gjirokastrës; Ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri; si dhe përfaqësues nga Bashkia e Gjirokastrës dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Në fjalën e tij, Ambasadori Tarran theksoi rolin vendimtar që luan kërkimi shkencor brenda institucioneve akademike për trajtimin e çështjeve komplekse me të cilat përballen komunitetet vendore. “Organet e qeverisjes vendore janë në vijën e parë të përpjekjeve për përballimin e sfidave si rritja ekonomike, shpopullimi, degradimi i mjedisit dhe ndryshimet klimatike. Një qendër e dedikuar kërkimore mund të sigurojë mjetet, analizat dhe ekspertët e nevojshëm për të mbështetur vendimmarrjen e bazuar në të dhëna shkencore dhe për të forcuar qëndrueshmërinë afatgjatë,” u shpreh ai. Studimi i fizibilitetit, i realizuar nga një ekspert i kontraktuar nga Prezenca e OSBE-së, u përgatit pas konsultimeve gjithëpërfshirëse me stafin akademik, bashkitë dhe aktorët vendorë. Ai identifikon nevojat, mundësitë dhe modelet e mundshme për krijimin e një qendre kërkimore ndërdisiplinore, e cila do të mbështesë hartimin e politikave, zhvillimin ekonomik e social vendor dhe forcimin e fuqizimin e kapaciteteve rajonale. Kjo nismë realizohet në kuadrin e angazhimit të vazhdueshëm të Prezencës së OSBE-së për forcimin e qeverisjes vendore në Shqipëri, përmes futjes së instrumenteve dhe mekanizmave të rinj në bashkëpunim me e organet e qeverisjes vendore, shoqërisë civile, botës akademike dhe sektorit privat, me synim promovimin e rritjes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në mbarë vendin.