Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon Forumin e 11-të vjetor për Zhvillimin e Medias
Më 29 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi Forumin e 11-të vjetor të Zhvillimit të Medias, i cili mblodhi së bashku vendimmarrës të rëndësishëm dhe ekspertë të fushës për trajtimin e dy përparësive kyçe lidhur me peizazhin mediatik në vend, të cilat janë transparenca e pronësisë së mediave dhe pavarësi institucionale e transmetuesit publik RTSH.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Michel Tarran, theksoi se angazhimet e OSBE-së janë të qarta: shtetet pjesëmarrëse duhet të promovojnë pluralizmin mediatik, të sigurojnë transparencë në pronësinë e mediave dhe të parandalojnë përqendrimin e tepruar të tyre. “Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë ekzistenca e një mjedisi mediatik në Shqipëri që është i larmishëm, transparent, i pavarur dhe i qëndrueshëm ndaj presioneve politike apo ekonomike. Mbi të gjitha, duhet të jetë një mjedis që mbështet debatin publik të informuar dhe mbron vlerat demokratike”, tha ai.
Në një videomesazh nga Vjena, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasadori Jan Braathu, shprehu kënaqësinë e vet për mbajtjen e këtij eventi, duke vënë në dukje “angazhimin e vazhdueshëm të Prezencës për përparimin e lirisë dhe pluralizmit të medias në vend. Këto janë vërtet diskutime tej mase të rëndësishme, jo vetëm për të mbrojtur lirinë e shtypit, por edhe për t’u siguruar që media të shërbejë si një platformë e mirëfilltë për zëra të larmishëm, gazetari etike dhe të përgjegjshme, si dhe debat publik të informuar”.
Sesioni i parë u përqendrua në transparencën e pronësisë së mediave dhe rreziqet që sjellin strukturat e paqarta të pronësisë dhe përqendrimi i tregut. Ndër kontribuesit kryesorë të tij ishin Armela Krasniqi, Kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive, e cila ofroi një prezantim rreth mbikëqyrjes rregullatore dhe sfidave ekzistuese për zbatimin e normave të transparencës, si dhe rreth publikimit nga ana e AMA-s të bazës së të dhënave mbi strukturën e pronësisë së mediave. Prof. Dr. Mark Marku nga Universiteti i Tiranës paraqiti perspektiva akademike lidhur me pluralizmin mediatik, krahas redaktorëve dhe analistëve të medias që shpalosën shqetësime praktike sa i përket pavarësisë editoriale dhe ndikimit ekonomik mbi mediat.
Sesioni i dytë u përqendrua në pavarësinë e transmetuesit publik shqiptar, RTSH, duke vënë në dukje rolin e tij qendror në sigurimin e informacionit pluralist dhe të besueshëm. Drejtorja e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, foli për përpjekjet e brendshme në vijim dhe për presionet financiare që vijojnë të ndikojnë në pavarësinë e institucionit, ndërsa ekspertët e integritetit mediatik Lutfi Dervishi dhe Blerjana Bino theksuan rëndësinë e forcimit të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes publike. Po ashtu, Aleksandër Marku, Kryeredaktori i ERT3 Selanik, ndau përvoja krahasuese mbi ruajtjen e një mandati të fortë të transmetuesit publik dhe foli rreth bashkëpunimit të mundshëm mes dy transmetuesve publikë.
Gjatë gjithë Forumit, pjesëmarrësit ranë dakord se transparenca sa i përket pronësisë së mediave dhe një transmetues publik i pavarur janë të domosdoshëm për ruajtjen e besimit të opinionit publik dhe pjesëmarrjes demokratike. Diskutimet pritet të kontribuojnë në veprime konkrete ndjekëse dhe në rekomandime publike.