Seminari rajonal i OSBE-së në Durrës u fokusua tek lidhja mes trafikut të drogës dhe krimit të dhunshëm

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Departamentit për Kërcënimet Ndërkufitare të OSBE-së / Njësisë për Çështjet Strategjike të Policimit dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, organizoi një seminar dyditor rajonal sa i përket lidhjeve mes trafikut të drogës dhe krimit të dhunshëm.
I mbajtur më 10 dhe 11 shtator në Durrës, seminari u zhvillua me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Policia e Shtetit Shqiptar, së bashku me përfaqësues të forcave policore nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, si dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Pjesëmarrësit diskutuan rreth prirjeve më të fundit kombëtare dhe rajonale që po shfaqen në trafikun e paligjshëm të drogës dhe kërcënimet e lidhura me pastrimin e parave, vrasjet me pagesë, zhvatjen dhe forma të tjera të rënda të dhunës.
Aktiviteti siguroi një platformë për shkëmbimin e informacionit dhe praktikave të mira, me synimin forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e hetimeve të përbashkëta penale. Duke shërbyer për rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar, kjo nismë synon të luftojë me më tepër efikasitet veprimtarinë e organizatave vendore dhe ndërkombëtare kriminale të drogës që veprojnë në Ballkanin Perëndimor.