Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE‑së në Shqipëri, publikon Vëllimin II të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese 1992–2024
Pas publikimit të Vëllimit I të Udhërrëfyesit (Guidës) të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese në shkurt 2024, i cili përfshinte ankimet individuale kushtetuese për periudhën 1998–2023, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE‑së në Shqipëri, publikoi më 24 qershor 2025 Vëllimin II të Udhërrëfyesit, i cili përfshin periudhën 1992–2024.
Vëllimin II i Udhërrëfyesit paraqet vendimmarrjen dhe jurisprudencën e Gjykatës lidhur me parimet e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore, vendimmarrjen mbi të drejtat substanciale, si dhe standardet në lidhje me ndarjen e pushteteve dhe organizimin e funksionimin e organeve kushtetuese, sikurse Presidenti i Republikës, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Gjykatat, Prokuroria dhe organet e vetëqeverisjes vendore.
Së bashku, dy vëllimet e Udhërrëfyesit synojnë të kontribuojnë në rritjen e qasjes së publikut në drejtësinë kushtetuese dhe në forcimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore. Vëllimet do t’i shërbejnë stafit gjyqësor për përmirësimin e kapaciteteve kërkimore e analitike, do të mbështesin standardizimin e vendimeve të Gjykatës dhe do t’u mundësojnë juristëve, profesionistëve të fushës dhe studiuesve që të shqyrtojnë më lehtë jurisprudencën e Gjykatës.
Hartimi i dy vëllimeve u mbështet nga Prezenca e OSBE‑së në Shqipëri, në kuadër të projektit “Forcimi i shtetit të së drejtës dhe promovimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri përmes mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese”, financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Greqia.
Prezenca e OSBE‑së do të vijojë mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese në përpjekjet e saj për rritjen e transparencës, përmirësimin e qasjes dhe efikasitetit, si dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale për garantimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE‑së.