Gjyqtarë austriakë dhe shqiptarë shkëmbejnë përvoja mbi drejtësinë administrative, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
Një delegacion i përbërë nga 29 gjyqtarë austriakë, anëtarë të Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve Administrativë dhe të Shoqatës Austriake të Gjyqtarëve Administrativë, zhvilloi një vizitë studimore dyditore në Shqipëri, më 2 dhe 3 tetor 2025, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së. Programi e njohu delegacionin me institucionet kryesore të drejtësisë shqiptare dhe u mbyll me një tryezë të rrumbullakët të nivelit të lartë mbi perspektivat krahasuese të drejtësisë administrative mes Shqipërisë dhe Austrisë.
Në ditën e parë, gjyqtarët austriakë u pritën në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga Kryetari Ilir Rusi, i cili i njohu me rolin e Këshillit në mbrojtjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor, llogaridhënies dhe zhvillimit të karrierës. Në Shkollën e Magjistraturës, delegacioni u njoh me programet e formimit fillestar dhe të trajnimit të vazhdueshëm për gjyqtarë dhe prokurorë. Vizita vijoi në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, ku gjyqtarët austriakë dhe shqiptarë shkëmbyen pikëpamje mbi jurisprudencën administrative dhe ndoqën një seancë gjyqësore.
Dita e dytë iu kushtua tryezës "Drejtësia administrative: Perspektiva krahasuese nga Shqipëria dhe Austria". Përveç delegacionit austriak, në të morën pjesë edhe gjyqtarët shqiptarë nga Dhoma Administrative e Gjykatës së Lartë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë. Diskutimet u fokusuan tek efiçenca e sistemit të drejtësisë nga perspektiva evropiane, tiparet kryesore të modeleve austriake dhe shqiptare, zhvillimet në të drejtën mjedisore dhe roli në rritje i inteligjencës artificiale në gjykimin administrativ.
“Roli i gjyqtarëve administrativë është qendror dhe, në kontekstin shqiptar, deri më tani, ndoshta është pak i nënvlerësuar. E drejta administrative mund dhe duhet të luajë rolin e saj në mënyrë që qytetarët dhe investitorët e huaj, për shembull, të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur, të garantojë drejtësi dhe të parandalojë korrupsionin”, tha zëvendëskryetarja e Prezencës, Clarisse Pasztory, në hapjen e konferencës. Në të folën edhe ambasadorja e Austrisë në Shqipëri Monika Zach, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi, Presidentja e Gjyqtarëve Administrativë të Austrisë Claudia Pinter, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda, zëvendëspresidentja e Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve Administrativë Eva Wendler dhe Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit Ardian Dvorani. Pjesëmarrësit vlerësuan qasjen e veçantë të Prezencës së OSBE-së për mbështetjen e institucioneve gjyqësore në vend, ndërsa Dvorani paraqiti idenë për krijimin e Shoqatës së Gjyqtarëve Administrativë të Shqipërisë.
Vizita studimore ofroi një mundësi të vlefshme për të forcuar bashkëpunimin midis institucioneve gjyqësore të Austrisë dhe Shqipërisë, për të nxitur mësimin e ndërsjellë dhe për të promovuar qasje novatore për ndërtimin e një sistemi më efektiv dhe transparent të drejtësisë administrative.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e përkushtuar për të mbështetur institucionet e drejtësisë në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efiçencës, në përputhje me mandatin e saj për të promovuar sundimin e ligjit dhe besimin e publikut te sistemi gjyqësor.