Misionet e OSBE-së nxisin bashkëpunimin rajonal mes bashkive kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore
Rreth 50 përfaqësues nga bashkitë, forcat e rendit, sistemi i drejtësisë, shërbimet sociale dhe shoqëria civile nga Kukësi dhe Dragashi u mblodhën në Kukës, më 16 korrik 2025, për të forcuar bashkëpunimin në adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Veprimtaria, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, pason një takim të mëparshëm të mbajtur në dhjetor 2024 në Prizren, i cili shërbeu si një platformë për shkëmbimin e informacionit, përvojave dhe praktikave më të mira në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Qëllimi i takimit të dytë ishte krijimi i një mekanizmi ndërkomunal për përmirësimin e parandalimit dhe të reagimit. Përfundimi kryesor i veprimtarisë ishte nevoja për të formalizuar bashkëpunimin dhe për të hartuar një manual apo protokoll për adresimin e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore ndërmjet juridiksioneve.
Fjalët përshëndetëse në hapje u mbajtën nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, Kryetari i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilan Wahl, Prefekti i Kukësit, Dritan Baji, Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Edvina Murati.
Temat kryesore të axhendës përfshinin rolin e drejtësisë dhe të mbrojtjes sociale në luftën kundër dhunës në familje, sfidat në trajtimin e rasteve dhe strategjitë për forcimin e përgjigjes ndërjuridiksionale. Ko-ordinatorë nga Kukësi dhe Dragashi ndanë përvojat vendore, ndërsa misionet e OSBE-së theksuan rëndësinë e kornizave bashkëpunuese ndërmjet bashkive dhe përtej kufijve.
Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, kjo nismë synon të shndërrohet në një platformë rajonale më të gjerë për veprim të përbashkët kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Ambasador Wahl ftoi që takimi i radhës të mbahet në Maqedoninë e Veriut.