Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së mbështet Akademinë e Kosovës për Siguri Publike të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Drejtësisë së Karolinës së Veriut
Publishing date: 4 tetor 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Akademia e Drejtësisë e Karolinës së Veriut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ADKV) nënshkruan sot një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi. Marrëveshja është rezultat i punës programore të Misionit të OSBE-së që synon zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve të AKSP-së për t’i trajnuar profesionalisht gjeneratat e reja të zyrtarëve të sigurisë publike. Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësdrejtori i ADKV-së, z. Christopher Anderson, i cili vizitoi AKSP-në në cilësinë e përfaqësuesit kryesor të ADKV-së dhe nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Kastriot Jashari, përkrahur nga Jeta Tela-Shema nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, AKSP dhe ADKV zotohen që t’i shkëmbejnë planprogramet dhe standardet e sigurimit të cilësisë, të krijojnë rrjet të instruktorëve, si dhe t’i ndajnë synimet e planifikimit strategjik që do të çojnë të dy akademitë drejt një të ardhmeje të fuqishme të edukimit për siguri publike dhe zhvillim të karrierës. “Akademia e Drejtësisë e Karolinës së Veriut dhe Departamenti i Drejtësisë i Karolinës së Veriut janë të përkushtuara për ta mbështetur marrëveshjen e nënshkruar sot dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me AKSP-në. ADKV është e përkushtuar të zhvillojë karrierat e profesionistëve të sigurisë publike përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit tonë në të ardhmen. ADKV është falënderuese ndaj Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e dhënë në suazat e përpjekjes për ta nënshkruar këtë marrëveshje”- tha z. Anderson. Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Jashari, tha: “Dëshiroj ta falënderoj Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Zëvendësdrejtorin e Akademisë së Drejtësisë në Karolinën e Veriut, Chris Anderson, për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërmjet dy akademive. Ndër dobitë e shumta të kësaj marrëveshjeje historike, do të doja të theksoja veçanërisht shkëmbimin e ekspertëve të fushës dhe hartimin e kurrikulës, si dhe vullnetin e akademive për ta çuar përpara zhvillimin e akademisë në nivel ekzekutiv dhe sigurimin e cilësisë.” Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme vjen pas vizitës së parë të ADKV-së në AKSP në vitin 2023- me përkrahje të OSBE- së- që ndihmoi në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive dhe njoftimin e AKSP-së me mekanizmat e akredituar dhe të testuar të sigurimit të cilësisë, si dhe me kurrikulën dhe përgatitjen e instruktorëve, që përbëjnë standardet kryesore të vendosura nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Aftësimit për Agjencitë e Zbatimit të Ligjit (IADLEST) dhe të përdorura nga akademitë në SHBA. Aktiviteti vijues, i mbështetur po ashtu nga Misioni i OSBE-së, u realizua në vitin 2024, ku përfaqësuesit e AKSP-së dhe agjencive të saj të sigurisë publike vizituan ADKV-në në SHBA dhe promovuan tutje nismat për sigurim të cilësisë dhe zhvillim të kurrikulës. Misioni do të vazhdojë që të punojë me AKSP-në, Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për ta përforcuar komponentin e aftësimit të personelit aktual dhe të ardhshëm të agjencive të sigurisë publike.
Qendra e re rajonale: Revolucion në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit
Publishing date: 30 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
Në kontekstin e sfidave të përhershme të sigurisë në Evropën Juglindore, u arrit një moment i rëndësishëm në luftën kundër kërcënimeve transnacionale. Sot, Misioni i OSBE-së në Shkup hapi Qendrën rajonale moderne të certifikimit dhe trajnimit të K9 në Gjorçe Petrov, një hap qenësor në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve të zjarrit në rajon. Qendra do të shërbejë si vend për trajnim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim rajonal. Kjo është më shumë se vetëm avancim – kjo qendër përfshinë hapësira të reja për K9 dhe përmirësim në kushtet e objekteve ekzistuese. Mobiliteti i ekipeve të K9 është rritur gjithashtu me donacionin e 14 makinave të specializuara dhe 3 rimorkio, duke mundësuar që policia të përgjigjet në mënyrë më të shpejtë dhe efikase në tërë rajonin. Hapja solemne e Qendrës shënon fillimin e epokës së re të efikasitetit operativ dhe bashkëpunimit, me efekte afatgjate mbi sigurinë rajonale, aftësitë e zbatimit të ligjit dhe partneritetin. Mbi përpjekjet për të rritur kapacitetet e AVL-ve për detektim Rritja e kapaciteteve detektuese është pjesë e projektit jashtë-buxhetor të Misionit, "Ndihma autoriteteve kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe të keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (ALV)". I financuar nga Belgjika, BE, Franca, Gjermania, Norvegjia, Sllovakia dhe SHBA, projekti ka arritur progres të konsiderueshëm në rritjen e kapaciteteve të detektimit të Njësisë së qenve të policisë në vend. Mësoni më shumë rreth projektit të AVL-ve këtu.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnon agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit për analizën financiare
Publishing date: 27 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Policimi, Reforma dhe bashkëpunimi ushtarak
Nga 23 deri më 27 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim të personalizuar për oficerë policie dhe hetues për të rritur njohuritë dhe ekspertizën e tyre në kryerjen e analizave financiare dhe profilizimin financiar në hetimet financiare proaktive. Pjesëmarrësit ishin zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Trajnimi – i mundësuar në bashkëpunim me Programin Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara (ICITAP) – ofroi një përzierje njohurish teorike, shembujsh praktikë dhe skenarësh të rasteve fiktive të hetimeve financiare. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetja për agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit për të trajtuar në mënyrë efektive krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal V”. Projekti synon të mbështesë dhe të ndihmojë agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të krimeve të rënda, në mënyrë efektive, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si edhe të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë.
Prezenca e OSBE-së trajnon Policinë e Shtetit për hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore
Publishing date: 25 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Policimi
Më 25 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi një trajnim dyditor për Policinë e Shtetit mbi hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore. Në trajnim morën pjesë 17 oficerë policie nga të 12 drejtoritë vendore të policisë nga e gjithë Shqipëria, që mbulojnë policinë kriminale, sigurinë publike dhe njësinë e krimit mjedisor. Trajnimi u mbajt nga një grup ekspertësh të huaj e vendas. Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri mbi standardet vendase dhe ndërkombëtare për hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore në Bashkimin Evropian dhe në Shqipëri. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Njësisë Sllovake të Krimit Mjedisor, struktura e saj policore e oficerëve të policisë së krimit mjedisor dhe bashkërendimi i tyre ndërinstitucional. “Shpresojmë që trajnimi dhe diskutimet gjatë këtyre dy ditëve të jenë të dobishme për punën tuaj dhe të shërbejnë si një platformë për bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish midis të gjithë aktorëve të angazhuar në luftimin e shkeljeve mjedisore në Shqipëri”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, i cili hapi takimin së bashku me drejtorin e Departamentit për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati. Trajnimi bazohet në mbështetjen e Prezencës për qeverisjen dhe sigurinë mjedisore në Shqipëri dhe përfshirjen e saj aktive në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare për të adresuar sfida të tilla. Në vitin 2023, Prezenca hartoi dhe paraqiti një kurrikulë të re për legjislacionin mjedisor për Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri për programin e formimit fillestar 2023-2024. Në dhjetor 2023, Prezenca mbështeti një vlerësim të nevojave për trajnim për të gjithë zinxhirët institucionalë të ndëshkimit të krimit mjedisor dhe po punon për të adresuar disa nga këto nevoja në kuadër të projektit. Vlerësimi i nevojave për trajnim vuri në pah rëndësinë e programeve sistematike të trajnimit për nëpunësit civilë të institucioneve që merren me shkeljet mjedisore. Ai hodhi dritë mbi gjendjen aktuale, identifikoi boshllëqet në njohuri dhe aftësi dhe u hapi rrugën ndërhyrjeve strategjike që do të fuqizojnë institucionet në përpjekjet e tyre për të luftuar krimet mjedisore në mënyrë efektive.
Prezenca e OSBE-së mbështet Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave për të forcuar mbrojtjen e të dhënave në sistemin e kujdesit shëndetësor
Publishing date: 17 shtator 2024
Mbrojtja e të dhënave në kujdesin shëndetësor është thelbësore për ruajtjen e konfidencialitetit të pacientit, sigurimin e të dhënave të ndjeshme mjekësore dhe ruajtjen e besimit në sistemin e kujdesit shëndetësor. Më 17 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së mbështeti Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në organizimin e një veprimtarie sensibilizuese për mbi 70 pjesëmarrës nga institucionet publike të sektorit shëndetësor nga mbarë Shqipëria. Në takim, Komisioneri paraqiti një rekomandim të unifikuar për institucionet e kujdesit parësor shëndetësor për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave. “Është thelbësore që sistemi shëndetësor parësor dhe punonjësit e tij të jenë plotësisht të vetëdijshëm për kuadrin ligjor për mbrojtjen e të dhënave, zbatimin e tij dhe mekanizmat në dispozicion për të garantuar pajtueshmërinë. Ky ndërgjegjësim duhet të shtrihet përtej drejtuesve dhe personelit të qendrave shëndetësore dhe duhet të përfshijë edhe pacientët dhe familjarët e tyre. Të gjithë duhet të kenë njohuritë dhe aftësitë për të kuptuar dhe respektuar standardet e mbrojtjes së të dhënave, duke garantuar kështu sigurinë dhe privatësinë e të gjithëve”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran. Ai shtoi se Prezenca mbështet plotësisht miratimin e shpejtë të legjislacionit të nevojshëm dhe është e gatshme të mbështesë institucionet shqiptare në zbatimin e tij. Komisioneri Besnik Dervishi tha: “Ky takim duhet të konsiderohet si një hap i rëndësishëm në investimin e përbashkët që duhet të ndërmarrim për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo kërkon vëmendje të veçantë nga Zyra e Komisionerit, por përcaktues është dhe ndërgjegjësimi i operatorëve të sektorit, investimi në burime njerëzore dhe në sisteme që garantojnë sigurinë e të dhënave”. Veprimtaria – e organizuar si pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” – shtoi përpjekjet për zhvillimin e ndërgjegjësimit dhe pajisjen e kontrollorëve publikë me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të lundruar në peizazhin kompleks dhe të ri rregullator. Kjo nismë synon të nxisë një kulturë përgjegjshmërie dhe transparence në trajtimin e të dhënave personale, duke siguruar përputhje me kornizat ligjore në zhvillim. Prezenca e OSBE-së është mbështetëse afatgjatë e Komisionerit, duke punuar së bashku për të forcuar mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtën e informimit në Shqipëri. Në maj 2024, Komisioneri dhe Prezenca organizuan një veprimtari të ngjashme për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në sektorin arsimor.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon serinë e veprimtarive “Java e Demokracisë”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë
Publishing date: 16 shtator 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Zgjedhjet, Barazia gjinore, Liria dhe zhvillimi i medias, Roma dhe Sinti, Rinia
Më 16 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi një seri njëjavore veprimtarish të titulluar “Java e Demokracisë”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtatorit. Gjatë veprimtarisë së parë, së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Prezenca hapi një konkurs për të rinj për sloganin, videon e shkurtër dhe dizajnin grafik më të mirë që do të përdoret nga KQZ-ja gjatë fushatës zgjedhore të vitit të ardhshëm. “Përfshirja e të rinjve nuk është thjesht e rëndësishme – ajo është jetike. Të rinjtë e Shqipërisë nuk janë vetëm e ardhmja; ata kanë mundësinë të jenë forca lëvizëse e proceseve vendimmarrëse të së sotmes dhe formësuesit e institucioneve demokratike të së nesërmes”, tha ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në hapje të takimit. “Ky konkurs synon jo vetëm të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, por edhe të krijojë një platformë për të rinjtë që të ndajnë zërat dhe idetë e tyre për një demokraci më të fortë dhe më të përfshirë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Takimi mblodhi organizata rinore, përfaqësues të shoqërisë civile, Grupin Këshillimor Rinor të Prezencës së OSBE-së dhe aktivistë të rinj të komunitetit. Pjesëmarrësit diskutuan hapur mbi rolin kritik të angazhimit të të rinjve në zgjedhje dhe në proceset vendimmarrëse. Duke theksuar rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset demokratike, ata folën për sfidat me të cilat përballen në pjesëmarrjen aktive dhe mënyrat për të kapërcyer pengesa të tilla e për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia. Konkursi ishte i pari i një sërë aktivitetesh të fokusuara në promovimin e vlerave demokratike, ndërgjegjësimin për proceset zgjedhore dhe theksimin e rëndësisë së angazhimit qytetar në mbarë Shqipërinë. Veprimtaritë e tjera gjatë “Javës së Demokracisë” përfshijnë: 17 shtator Sesion për demokracinë me një aktiviste të komunitetit rom Themeluesja e të Qendrës për të Drejtat e Gruas Rome, Manjola Veizi, do të ndajë përvojën e saj personale dhe profesionale, krahas të dhënave dhe gjetjeve nga projekti i saj i fundit mbi fuqizimin ekonomik të grave. Takim me Grupin e Punës për Gjininë dhe Gratë në Vendimmarrje për ndryshimet e fundit zgjedhore Diskutimet do të përqendrohen në ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor dhe ndikimin e tyre të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa do të diskutohen edhe veprimet kryesore vijuese për promovimin e barazisë gjinore gjatë gjithë procesit zgjedhor. 18 shtator Trajnim për median dhe policinë- Zbatimi praktik i aftësive mediatike, ndërtimi i besimit dhe rikthimi i etikës Një trajnim ndërveprues për policinë dhe median për praktikat më të mira për një konferencë mediatike, diskutimin e një kodi etike për gazetarët që mbulojnë incidentet publike dhe punën e agjencive ligjzbatuese. 19 shtator Takimi i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet Me rifillimin e sezonit politik, Prezenca rifillon takimet e saj informuese periodike me komunitetin diplomatik në Shqipëri për të diskutuar përpjekjet e fundit për reformën zgjedhore dhe zhvillime të tjera të rëndësishme lidhur me zgjedhjet. Vizitë e Grupit Këshillimor Rinor në Kuvendin e Shqipërisë dhe takim me Kryetaren e me deputetë të rinj Grupi Këshillimor Rinor i Prezencës së OSBE-së do të vizitojë parlamentin, ku do të kenë mundësinë të takohen me deputetët e Klubit për të Rinjtë. Vizita do të përqendrohet në rëndësinë e angazhimit të të rinjve dhe do të përfshijë një vëzhgim të seancës plenare parlamentare. Diskutimet me deputetët do të trajtojnë tema kryesore si kostot financiare të arsimit, ndryshimet e propozuara në Ligjin për Rininë dhe çështjet aktuale në sistemin arsimor. 20 shtator Takim pune mes stafit të Kuvendit dhe gazetarëve të akredituar mbi strategjinë e komunikimit të parlamentit Një takim konsultimi për finalizimin e dokumentit të Strategjisë së Komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë do të mbledhë rreth 40 pjesëmarrës për diskutime teknike së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, drejtuesin e Grupit të Punës për hartimin e strategjisë dhe drejtuesen e Zyrës së Komunikimit. Finalizimi i Strategjisë së Komunikimit mbetet një nga përparësitë e parlamentit. Mbështetja e Prezencës së OSBE-së për këtë proces të rëndësishëm filloi në fillim të këtij viti me një sërë takimesh bashkërenduese.
Konkurs në shkrimin e eseve
Publishing date: 16 shtator 2024
I hapur për: studentët në studimet diplomike dhe post-diplomike të Universitetit Shën Kirili dhe Metodi në Shkup, Universitetit Goce Delçev në Shtip, Universitetit Shën Kliment Ohridski në Manastir dhe Universitetit të Evropës Jug-Lindore. Data e fundit për dorëzimin e eseve: 15 nëntor 2024 Shpërblime: tre esetë më të mira do të marrin vauçerë për pajisje të TI-së (teknologjisë informative). Projekti për “Përforcimin e sundimit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut III”, ka për qëllim që të zhvillojë sundimin e së drejtës duke zbatuar standardet ndërkombëtare si dhe zotimet e OSBE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, në të njëjtën linjë si dhe prioritetet strategjike të Maqedonisë së Veriut. Ky projekt synon të përballet me sfida të ndryshme të fushës së pavarësisë së gjyqësorit dhe paanshmërisë, të së drejtës penale, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër diskriminimit, barazisë gjinore dhe të drejtave themelore në Maqedoninë e Veriut, ashtu si janë identifikuar në dokumentet e ndryshme politike të qeverisë dhe hulumtimet e ekspertëve ndërkombëtar. Pas përfundimit me sukses të ligjeratave për luftën kundër korrupsionit, të organizuar në bashkëpunim me katër Universitetet vendore (Universiteti Shën Kirili dhe Metodi në Shkup, Universiteti Goce Delçev në Shtip, Universiteti Shën Kliment Ohridski në Manastir dhe Universiteti të Evropës Jug-Lindore) nga entuziazmi i shprehur i studentëve si dhe për inkurajimin për angazhim të mëtutjeshëm të tyre në lufteë kundër korrupsionit, Misioni i OSBE-së në Shkup organizon një garë në shkrimin e eseve për studentët. Kjo garë rrjedh si rezultat i entuziazmit të studentëve të cilët morën pjesë në këtë aktivitet të ligjëratave (master klasëve) për luftën kundër korrupsionit, gjatë së cilave studentëve ju ofruan ligjerata frymëzuese nga profesionistë të spikatur në fushën e luftës kundër korrupsionit, si dhe akademikë, ashtu edhe aktivistë. Autorët e tre eseve më të mira do të fitojnë vauçerë për blerjen e pajisjeve të TI-së (teknologji informative). Ky konkurs do të jetë i hapur deri më 15 nëntor 2024. Esetë duhet të paraqesin një kuptim të plotë bazuar në kuptimin faktik të natyrës komplekse të korrupsionit dhe gjithashtu duhet të japin ide reale se si të zvogëlohet korrupsioni. Autorët duhet të japin një ose disa argumente në lidhje me temën e zgjedhur për analizë dhe duhet të shpjegohet dhe përforcohet me disa burime të literaturës së besueshme nga ana akademike, ligjore ose politike. Rrjedhimisht, autorët janë të inkurajuar që të paraqesin mendimin e tare por gjithashtu duhet të jenë të sigurte që ky mendim është i bazuar në dëshmi të besueshme dhe bindëse. Esetë duhet të shkruhen në mënyre që të jenë mirë të strukturuar, të qartë e me përdorimin e gjuhës së përshtatshme. Esetë duhet të bazohen në një nga këto tema të përgjithshme: Korrupsioni dhe rinia Korrupsioni dhe zgjedhjet/financimi i partive politike Aspektet penale të korrupsionit Korrupsioni dhe gjinia Këto tema shërbejnë si një drejtim i përgjithshëm dhe autorët duhet të jenë të lirë të zhvillojnë esetë e tyre në mënyrë më specifike përderisa qëndrojnë në vijë me një nga katër temat e përgjithshme. Esetë do të vlerësohen nga ana e një komisioni të përbërë nga tre profesorë, të cilët do t’i vlerësojnë esetë në bazë të kritereve si në vijim: Tema e esesë dhe relevanca (maks. 25 pikë) Kreativiteti dhe origjinaliteti i argumenteve dhe zgjedhjeve të propozuara (maks.25 pikë) Argumentimi dhe përdorimi i dëshmive dhe burimeve (maks.25 pikë) Gjuha, struktura dhe qartësia (maks.25 pikë) Esetë duhet të shkruhen në gjuhën angleze, duke përdorur Times New Roman, në madhësinë e fontit 12 dhe zbrazëtirë brenda rreshtave prej 1.5 dhe duhet të jenë të gjatë rreth 1400 dhe 1600 fjalë (rreth 3 faqe). Esetë më të gjata nuk do të merren parasysh. Esetë duhet të jenë punë origjinale e autorëve. Çdo shenjë e plagjiaturës (përfshirë këtu edhe përdorimin e Chat GPT) do të sanksionohet me diskualifikim nga kjo garë. INFO SESION Për studentët e interesuar, Misioni i OSBE-së në Shkup, një javë para afatit të dorëzimit të eseve do të organizojë një sesion informativ, me udhëzime më të detajuara për të përgatitur një ese më të mirë. Për të marrë informata më të hollësishme në lidhje me orën dhe datën e saktë të këtij sesioni, si dhe zoom linkun, dërgoni në e-mail me të dhënat tuaja deri tek Diana.Zhupanoska@osce.org. Procesi i aplikimit Udhëzimet për konkursin e eseve janë të qasshme edhe në gjuhën angleze dhe gjuhën maqedonase. Autorët duhet të dërgojnë esetë e tyre ne e-mail te Diana.Zhupanoska@osce.org deri më 15 nëntor 2024 si një dokument i bashkangjitur në PDF. Me qëllim të lehtësimit në procesin e vlerësimit anonim, autorët duhet të theksojnë emrin dhe mbiemrin e tyre të plotë në tekstin e e-mailit, por jo të vendosin emrin e tyre në dokumentin PDF.