Prezenca e OSBE-së mbështet Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave për të forcuar mbrojtjen e të dhënave në sistemin e kujdesit shëndetësor
Mbrojtja e të dhënave në kujdesin shëndetësor është thelbësore për ruajtjen e konfidencialitetit të pacientit, sigurimin e të dhënave të ndjeshme mjekësore dhe ruajtjen e besimit në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Më 17 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së mbështeti Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në organizimin e një veprimtarie sensibilizuese për mbi 70 pjesëmarrës nga institucionet publike të sektorit shëndetësor nga mbarë Shqipëria. Në takim, Komisioneri paraqiti një rekomandim të unifikuar për institucionet e kujdesit parësor shëndetësor për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave.
“Është thelbësore që sistemi shëndetësor parësor dhe punonjësit e tij të jenë plotësisht të vetëdijshëm për kuadrin ligjor për mbrojtjen e të dhënave, zbatimin e tij dhe mekanizmat në dispozicion për të garantuar pajtueshmërinë. Ky ndërgjegjësim duhet të shtrihet përtej drejtuesve dhe personelit të qendrave shëndetësore dhe duhet të përfshijë edhe pacientët dhe familjarët e tyre. Të gjithë duhet të kenë njohuritë dhe aftësitë për të kuptuar dhe respektuar standardet e mbrojtjes së të dhënave, duke garantuar kështu sigurinë dhe privatësinë e të gjithëve”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran. Ai shtoi se Prezenca mbështet plotësisht miratimin e shpejtë të legjislacionit të nevojshëm dhe është e gatshme të mbështesë institucionet shqiptare në zbatimin e tij.
Komisioneri Besnik Dervishi tha: “Ky takim duhet të konsiderohet si një hap i rëndësishëm në investimin e përbashkët që duhet të ndërmarrim për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo kërkon vëmendje të veçantë nga Zyra e Komisionerit, por përcaktues është dhe ndërgjegjësimi i operatorëve të sektorit, investimi në burime njerëzore dhe në sisteme që garantojnë sigurinë e të dhënave”.
Veprimtaria – e organizuar si pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” – shtoi përpjekjet për zhvillimin e ndërgjegjësimit dhe pajisjen e kontrollorëve publikë me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të lundruar në peizazhin kompleks dhe të ri rregullator. Kjo nismë synon të nxisë një kulturë përgjegjshmërie dhe transparence në trajtimin e të dhënave personale, duke siguruar përputhje me kornizat ligjore në zhvillim.
Prezenca e OSBE-së është mbështetëse afatgjatë e Komisionerit, duke punuar së bashku për të forcuar mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtën e informimit në Shqipëri. Në maj 2024, Komisioneri dhe Prezenca organizuan një veprimtari të ngjashme për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në sektorin arsimor.