Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon serinë e veprimtarive “Java e Demokracisë”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë
Më 16 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi një seri njëjavore veprimtarish të titulluar “Java e Demokracisë”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtatorit.
Gjatë veprimtarisë së parë, së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Prezenca hapi një konkurs për të rinj për sloganin, videon e shkurtër dhe dizajnin grafik më të mirë që do të përdoret nga KQZ-ja gjatë fushatës zgjedhore të vitit të ardhshëm.
“Përfshirja e të rinjve nuk është thjesht e rëndësishme – ajo është jetike. Të rinjtë e Shqipërisë nuk janë vetëm e ardhmja; ata kanë mundësinë të jenë forca lëvizëse e proceseve vendimmarrëse të së sotmes dhe formësuesit e institucioneve demokratike të së nesërmes”, tha ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në hapje të takimit.
“Ky konkurs synon jo vetëm të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, por edhe të krijojë një platformë për të rinjtë që të ndajnë zërat dhe idetë e tyre për një demokraci më të fortë dhe më të përfshirë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Takimi mblodhi organizata rinore, përfaqësues të shoqërisë civile, Grupin Këshillimor Rinor të Prezencës së OSBE-së dhe aktivistë të rinj të komunitetit. Pjesëmarrësit diskutuan hapur mbi rolin kritik të angazhimit të të rinjve në zgjedhje dhe në proceset vendimmarrëse. Duke theksuar rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset demokratike, ata folën për sfidat me të cilat përballen në pjesëmarrjen aktive dhe mënyrat për të kapërcyer pengesa të tilla e për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.
Konkursi ishte i pari i një sërë aktivitetesh të fokusuara në promovimin e vlerave demokratike, ndërgjegjësimin për proceset zgjedhore dhe theksimin e rëndësisë së angazhimit qytetar në mbarë Shqipërinë. Veprimtaritë e tjera gjatë “Javës së Demokracisë” përfshijnë:
17 shtator
Sesion për demokracinë me një aktiviste të komunitetit rom
Themeluesja e të Qendrës për të Drejtat e Gruas Rome, Manjola Veizi, do të ndajë përvojën e saj personale dhe profesionale, krahas të dhënave dhe gjetjeve nga projekti i saj i fundit mbi fuqizimin ekonomik të grave.
Takim me Grupin e Punës për Gjininë dhe Gratë në Vendimmarrje për ndryshimet e fundit zgjedhore
Diskutimet do të përqendrohen në ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor dhe ndikimin e tyre të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa do të diskutohen edhe veprimet kryesore vijuese për promovimin e barazisë gjinore gjatë gjithë procesit zgjedhor.
18 shtator
Trajnim për median dhe policinë - Zbatimi praktik i aftësive mediatike, ndërtimi i besimit dhe rikthimi i etikës
Një trajnim ndërveprues për policinë dhe median për praktikat më të mira për një konferencë mediatike, diskutimin e një kodi etike për gazetarët që mbulojnë incidentet publike dhe punën e agjencive ligjzbatuese.
19 shtator
Takimi i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet
Me rifillimin e sezonit politik, Prezenca rifillon takimet e saj informuese periodike me komunitetin diplomatik në Shqipëri për të diskutuar përpjekjet e fundit për reformën zgjedhore dhe zhvillime të tjera të rëndësishme lidhur me zgjedhjet.
Vizitë e Grupit Këshillimor Rinor në Kuvendin e Shqipërisë dhe takim me Kryetaren e me deputetë të rinj
Grupi Këshillimor Rinor i Prezencës së OSBE-së do të vizitojë parlamentin, ku do të kenë mundësinë të takohen me deputetët e Klubit për të Rinjtë. Vizita do të përqendrohet në rëndësinë e angazhimit të të rinjve dhe do të përfshijë një vëzhgim të seancës plenare parlamentare. Diskutimet me deputetët do të trajtojnë tema kryesore si kostot financiare të arsimit, ndryshimet e propozuara në Ligjin për Rininë dhe çështjet aktuale në sistemin arsimor.
20 shtator
Takim pune mes stafit të Kuvendit dhe gazetarëve të akredituar mbi strategjinë e komunikimit të parlamentit
Një takim konsultimi për finalizimin e dokumentit të Strategjisë së Komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë do të mbledhë rreth 40 pjesëmarrës për diskutime teknike së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, drejtuesin e Grupit të Punës për hartimin e strategjisë dhe drejtuesen e Zyrës së Komunikimit. Finalizimi i Strategjisë së Komunikimit mbetet një nga përparësitë e parlamentit. Mbështetja e Prezencës së OSBE-së për këtë proces të rëndësishëm filloi në fillim të këtij viti me një sërë takimesh bashkërenduese.