Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Për drejtësi më të mirë: Misioni i OSBE-së në Shkup do të mbështesë Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë
Publishing date: 27 shkurt 2023
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
What we do: Sundimi i ligjit
SHKUP, 27 shkurt 2023 — Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së drejtësisë, Misioni i OSBE-së në Shkup ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
Gjetjet e vlerësimit bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore në Shqipëri diskutohen në takimin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së
Publishing date: 3 shkurt 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Përfaqësues të institucioneve kombëtare përgjegjëse për inspektimin mjedisor, zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale u mblodhën në një takim konsultues, më 2 shkurt 2023. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila ka ndërmarrë kryerjen e një vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin, dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kombëtare. Në takim u paraqitën dhe u diskutuan gjetjet paraprake të vlerësimit bazë. Përfundimet dhe kontributi i dhënë nga institucionet, gjatë këtij takimi, do të përpunohen nga ekspertët e kontraktuar nga Prezenca e OSBE-së dhe do të përfshihen në vlerësimin bazë përfundimtar, që do t’u dorëzohet institucioneve. “Shkeljet mjedisore mbartin një kërcënim të madh kundrejt ekonomisë, natyrës e zhvillimit të turizmit dhe janë të ndërlikuara për t’u adresuar në aspektin ligjor, ndërinstitucional dhe teknik”, tha Aleksandar Maskovic, drejtues i Departamentit të Prezencës për Qeverisjen, Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore. Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme tha: “Shkeljet mjedisore duhen parë në kompleksitetin e tyre, si në aspektin administrativ dhe mandej në atë penal. Duhet të jemi të qartë se kriminalizimi i shkeljeve duhet të vijë vetëm si zgjidhje e fundit, pasi kjo shoqërohet me kosto”. Josif Shtëmbari nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha: “Shkeljet mjedisore janë kthyer në një prioritet të Policisë së Shtetit dhe kjo vihet re edhe nga rritja e numrit të rasteve të konstatuara dhe referuara në prokurori”. Takimi shërbeu si platformë për aktorët institucionalë për t’u mbledhur e diskutuar se si të punojnë në mënyrë më bashkëpunuese dhe efektive për çështjet mjedisore, duke nisur nga kuadri ligjor dhe institucional te kapacitetet, infrastruktura dhe më gjerë. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe i sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të qeverive franceze dhe norvegjeze.
Arsim më i mirë për nxënësit — Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nënshkruajnë marrëveshje për të përmirësuar arsimin e integruar
Publishing date: 1 shkurt 2023
SHKUP, 1 shkurt 2023- Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri, nënshkruan sot dy marrëveshje për përmirësimin e arsimit të integruar për fëmijët e komuniteteve të ndryshme në vend.
Deklarata e Misionit të OSBE-së në Shkup lidhur me faqen e kompromituar në Facebook
Publishing date: 21 janar 2023
Content type: Deklaratë për shtyp
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
Facebook faqja zyrtare e Misionit në Shkup është hakuar së fundmi.
Misioni i OSBE-së, ODIHR trajnojnë Policinë e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile mbi krimet e urrejtjes
Publishing date: 29 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Njëzet e tre policë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile morën pjesë në Trajnimin kundër Krimeve të Urrejtjes për Institucionet Ligjzbatuese (TAHCLE), organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) nga 14 deri më 16 dhjetor 2022. TAHCLE është projektuar për të zhvilluar aftësitë e policisë në identifikimin, të kuptuarit dhe hetimin e krimeve të urrejtjes. Ky trajnim plotëson aftësitë e zyrtarëve policorë në parandalim dhe reagim më të mirë ndaj krimeve të urrejtjes, për ndërveprim efektiv me komunitetet viktimë, si dhe ndërton besimin e publikut dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese. Trajnimi tre-ditor i trajnerëve u fokusua në ndikimin e krimeve të paragjykimit tek komunitetet e prekura, ligjet për krimet e urrejtjes dhe trajtimin dinjitoz të viktimave gjatë të gjitha procedurave ligjore. Tutje, pjesëmarrësit zgjeruan njohuritë e tyre për rolin e policisë, mbështetjen ndaj viktimave dhe regjistrimin e krimeve të tilla, si dhe u pajisën me aftësi trajnimi për të shpërndarë njohuritë tek kolegët e tyre dhe për të vazhduar rritjen e kapaciteteve për reagim më të mirë ndaj krimeve të urrejtjes. Togeri Bahri Bylykbashi, shef i Njësisë për Koordinim, Administrim dhe Mbështetje të Trajnimeve në Policinë e Kosovës, tha: “Patëm kënaqësinë që ta kemi këtë trajnim për Policinë e Kosovës, si dhe të ngrisim kapacitetet tona në hetimin e veprave me paragjykim apo urrejtje. Si zyrtar policie, është e rëndësishme të trajnojmë kolegët tanë që të shikojnë më thellë gjatë hetimit dhe të identifikojnë nëse ka tregues/motive të paragjykimit. Ndërsa mjedisi i policimit evoluon, stafi ynë duhet të jetë i vetëdijshëm se komuniteti më i mirë është ai i larmishmi dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm për nuancat e këtij diversiteti.” Duke folur për ndikimin e trajnimit, Rajmonda Sylbije, drejtoreshë e organizatës joqeveritare Qendra për Zhvillimin e Grupeve Sociale (CSGD) tha, “Si një nga pjesëmarrëset e shoqërisë civile, nuk mund të gjej fjalë të them se sa i vlefshëm ishte trajnimi, materialet dhe burimet për mua. Ishte gjithashtu i vlefshëm pasi bëri bashkë zyrtarët e Policisë së Kosovës të rangjeve të ndryshme dhe organizatat e shoqërisë civile. E di që unë si e vetme nuk mund ta ndryshoj botën, por mund të përpiqem të jem agjente e ndryshimeve shoqërore dhe të kem ndikim tek njerëzit një nga një. Trajnimi është një mjet tepër i çmuar për të luftuar dhe trajtuar krimet e urrejtjes dhe incidentet e urrejtjes dhe më ndihmon të bëj ndryshime pozitive brenda komunitetit tim.” Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbetet i përkushtuar për të mbështetur institucionet në përmirësimin e regjistrimit, reagimit dhe parandalimit të rasteve të krimeve të urrejtjes.
Misioni i OSBE-së në Kosovë përfundon serinë e ligjëratave për edukimin mediatik dhe informativ në tri universitete publike
Publishing date: 23 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Arsimi, Liria dhe zhvillimi i medias
Në periudhën mes tetorit e nëntorit 2022, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi 48 ligjërata mbi edukimin mediatik dhe informativ për studentët në universitetet publike në Mitrovicë Jugore, Pejë dhe Gjakovë. Në këto ligjërata morën pjesën gjithsej 185 studentë, të cilët u pajisen me aftësi kyçe të edukimit mediatik. Ata shtjelluan tema specifike, si efektet e mediave të reja, konteksti i ri i komunikimit, ndërtimi i lajmeve, roli i mediave rreth stereotipeve gjinore, edukimi reklamues, multikulturalizmi në media, propaganda, fushatat politike, lajmet e rreme, verifikimi dhe kontrollimi i fakteve. Për organizimin e këtyre ligjëratave u ndoq shembulli i njëjtë i bashkëpunimit me universitetet publike në Prizren e Gjilan më 2021, si dhe hartimit të kurrikulës gjithëpërfshirëse të edukimit mediatik për arsimin e lartë më 2019, së bashku me Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Viteve të fundit, për shkak të domosdoshmërisë që nxënësit të zotërojnë shkathtësi të edukimit mediatik dhe informativ në epokën aktuale digjitale, kjo lëndë ishte përfshirë si lëndë zgjedhore në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në disa universitete. Përveç kësaj, universitetet publike në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, me planet e tyre aktuale të studimit, parashohin që edukimi mediatik dhe informativ të mësohet si lëndë e obligueshme nga viti 2023/2024 e tutje. Kjo do t'u mundësojë studentëve që t’i analizojnë mediat, përfshirë si ndikojnë ato në jetën dhe komunitetet e tyre, por edhe që të përgatiten për karrierën e tyre. “Përmes punës sonë me universitetet kemi inkurajuar studentët që të kenë mendim kritik për përmbajtjet që marrin çdo ditë, në mënyrë që t’i dallojnë dezinformatat dhe lajmet e rreme. Jam shumë i kënaqur që tani studentët e universiteteve të Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës edukimin mediatik do ta kenë lëndë të obligueshme”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport. “Jam i gëzuar që bashkëpunimi ynë i kamotshëm me institucionet e arsimit të lartë është duke i ndihmuar të rinjtë që të orientohen në peizazhin kompleks mediatik,” shtoi ai. Viteve të fundit Misioni i OSBE-së në Kosovë ka realizuar një sërë aktivitetesh në media dhe informim, përfshirë emisione edukative, fushata dhe ligjërata për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe universitetet publike. Në bashkëpunim me DokuFest, Misioni organizoi seminare trajnimi për rreth 70 mësimdhënës të shkollave të mesme, në periudhën mes 2018 dhe 2022. Misioni i OSBE-së inkurajon të gjitha universitetet publike që të integrojnë edukimin mediatik si lëndë bazë, ndërsa do të vazhdojë të mbështesë arsimin e lartë në Kosovë për ta realizuar këtë qëllim.
Prezenca e OSBE-së organizon vizitë në Serbi për gazetarët shqiptarë që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe të armëve të vogla e të lehta
Publishing date: 23 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Misioni i OSBE-së në Serbi
Dhjetë gazetarë nga media të ndryshme në Shqipëri, që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe të armëve të vogla e të lehta (AVL), zhvilluan një vizitë në Beograd, nga 19 deri më 22 dhjetor 2022, për të mësuar rreth praktikave më të mira rajonale dhe për të shkëmbyer përvoja për çështjet e sigurisë dhe të AVL-ve. Në takime morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Policia e Shtetit, Komisioni Kombëtar i AVL-ve si dhe nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Kjo vizitë shkëmbimi përvojash u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi dhe me kontributin e Zyrës Qendrore për Evropën Lindore dhe Juglindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC) dhe të PNUD-it në Serbi. “Roli i medias në rritjen e ndërgjegjësimit për uljen e rrezikut nga armët e vogla dhe të lehta është pjesë thelbësore e projektit ‘Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të AVL-ve’”, tha Xhenis Ballco, zyrtare vendase e projektit. Gjatë vizitës, gazetarët shqiptarë u njohën nga anëtarët e “Rrjetit media kundër dhunës” se si ky rrjet, i përbërë nga 90 gazetarë, i ndihmoi ata për të përmirësuar cilësinë e raportimit. Po ashtu, ata patën mundësinë të ulen së bashku me autoritetet shqiptare, për herë të parë, e të diskutojnë se si të përmirësohet bashkëpunimi mes palëve të interesuara në këtë fushë. Gazetarët dhe zyrtarët shprehën angazhimin për të rritur dialogun mes tyre për çështjet që i shqetësojnë. Media është faktor kyç për informimin dhe edukimin e publikut, duke kontribuar drejtpërdrejt në objektivin e katërt të Udhërrëfyesit të Kontrollit të AVL-ve: “Deri në vitin 2024, të ulet ndjeshëm ofertën, kërkesën dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit përmes rritjes së ndërgjegjësimit, edukimit, shtrirjes dhe advokimit” [1]. Po ashtu, partneriteti me median është thelbësor për Prezencën e OSBE-në, si pjesë e mandatit dhe e përpjekjeve të saj për të promovuar lirinë e shprehjes. Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e rolit të medias në fushatat e ndërgjegjësimit të publikut dhe vlerësimin e nevojave të gazetarëve për ngritjen e kapaciteteve në lidhje me raportimin cilësor, mbështetur në praktikat më të mira të Ballkanit Perëndimor. Vizita do të pasohet me ngritjen e kapaciteteve dhe veprimtari të tjera mbështetëse për gazetarët. Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës. [1] https://www.seesac.org/f/docs/publications-salw-control-roadmap/Regional-Roadmap-for-a-sustainable-solution-to-the.pdf