Për drejtësi më të mirë: Misioni i OSBE-së në Shkup do të mbështesë Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë
SHKUP, 27 shkurt 2023 — Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së drejtësisë, Misioni i OSBE-së në Shkup ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
Misioni do të ofrojë trajnime të avancuara për gjykatësit dhe prokurorët me fokus të veçantë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe diskriminimit.
“Trajnimi ynë është i orientuar drejt aktakuzave me cilësi më të lartë si dhe rritjes së konfiskimit të aseteve të fituara përmes aktiviteteve kriminale,” tha Kilian Wahl, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup. “Të dyja janë shumë të rëndësishme për një luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit pasi kjo do të thotë se kriminelët do të marrin dënime më të larta dhe nuk do të jenë në gjendje të gëzojnë pasurinë e tyre të paligjshme”.
Memorandumi i Mirëkuptimit ka një kohëzgjatje prej tre vjetësh. Misioni i OSBE-së në Shkup do të monitorojë zbatimin e kurseve të trajnimit përmes programit të vet të monitorimit të gjykimeve.
“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që marrim nga Misioni i OSBE-së në Shkup”, tha Natasha Gaber-Damjanovska, drejtoreshë e Akademisë. “Nëpërmjet përpjekjeve tona të përbashkëta, ne do të investojmë në cilësinë e profesionistëve ligjorë aktualë dhe të ardhshëm, gjë që do të përmirësojë sistemin e drejtësisë,” shtoi ajo.