Kur kliku kryen punë
Misioni i OSBE-së në Kosovë prezanton platformën e komunikimit online në komuna për të rritur pjesëmarrjen e publikut
Një listë e gjatë kërkesash duke filluar nga rregullimi i këndeve të lodrave, parqeve, rrugëve e trotuareve nëpër lagje, e deri te zgjerimi i linjave të autobusëve, shfaqet sapo hap faqet e Platformës Digjitale për Pjesëmarrje Publike të komunave Prishtinë dhe Gjakovë.
Platforma digjitale, e financuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe e dizajnuar në konsultime me këto dy komuna, është lansuar në nëntor 2016. Që atëherë, banorët kanë mundur të përdorin këtë mjet komunikimi online për të ngritur problemet dhe për kërkuar zgjidhje nga komuna e tyre.
“Kjo platofrmë e rrit transparencën dhe e obligon komunën të merret me kërkesa konkrete të qytetarëve dhe të planifikojë buxhetin sipas atyre kërkesave."
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës
Për pak më shumë se tre muaj, qytetarët e komunës së Prishtinës kanë bërë më shumë se 72 kërkesa përmes platformës. Shumica e tyre kanë të bëjnë me çështje që prekin drejpërdrejtë jetën e tyre të përditshme në lagje.
Dren Ukmata, një i ri nga Prishtina, ka kërkuar nga komuna të rregullojë një rrugë dhe parking në lagjen e tij Ulpiana përmes platformës sapo ajo ka filluar të funksionojë. “Nuk kam kohë të dërgoj kërkesa me shkrim në komunë; është më e shpejtë nëse e bëj përmes internetit me disa klikime,” thotë ai. Dhe dy javë pas kërkesës së tij, komuna është përgjigjur se kërkesa është vlerësuar si e arsyeshme dhe se rregullimi i rrugës është përfshirë në planin e punës.
Mjet praktik për rritjen e pjesëmarrjes së publikut
Muhedin Nushi, drejtor i administratës në komunën e Prishtinës, është i kënaqur që shumë qytetarë po e përdorin platformën. “Disa nga kërkesat e pranuara janë paraparë si projekte komunale, kurse të tjerat po shqyrtohen dhe analizohen nga deparamentet përkatëse për planifikimin buxhetor për 2018,” thotë ai. Ai potencon edhe një karakteristikë shtesë të platformës.
“Qytetarët mund të shohin projektet e komunës të planifikuara për lagjet e tyre dhe të votojnë për ato që ata i konsiderojnë si më të rëndësishmet.”
“Dhe jo vetëm që mund të votojnë për projektet e parapara nga komuna, por mund të shohin dhe të votojnë edhe kërkesat e banorëve të tjerë, duke i dhënë kështu komunës të kuptojë se cilat janë prioritetet e tyre,” thotë Afërdita Pustina, menaxhere e projektit në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Ne kemi dashur të krijojmë një mjet praktik e afatgjatë që lehtëson komunikimin në mes të autoriteteve komunale dhe banorëve, si dhe të kontribuojmë në rritjen e pjesëmarrjes së publikut. Ky është një element i rëndësishëm i qeverisjes së mirë dhe demokracisë,” shpjegon ajo.
“Kemi zgjedhur Prishtinën dhe Gjakovën si pilot komuna për këtë projekt ambicioz pasi që të dyja janë të dëshmuar të jenë të përgjegjshme ndaj publikut,” shton ajo.
Mënyra tradicionale dhe mënyra e re e komunikimit
Që të dy komunat pohojnë se kanë forma të komunikimit me banorët e tyre që funksionojnë mirë. Nushi përmend dëgjimet e rregullta publike që mbahen në Prishtinë, kurse Armend Vokshi nga drejtoria e administratës dhe personelit në Gjakovë potencon se komuna e tij është e hapur: “Ne i pranojmë të gjitha kërkesat nga publiku. Deri më tani, banorët kanë sjellur personalisht kërkesat e tyre. Platforma digjitale e bën qasjen më të lehtë.”
“Platforma na ndihmon të promovojmë më shumë standardin e transparences, rrisim gjithëpërfshirjen në vendimmarrje, si dhe forcon mekanizmat për vazhdimësi të procesit esencial për demokracinë, llogaridhënien e të zgjedhureve të popullit, pa marrë parasysh kush është zgjedhur në mandate.”
Mimoza Kusari-Lila, Kryetare e Gjakovës
“Por duhet të bëjmë më shumë që ta promovojmë atë,” thotë ai duke shtuar se do të përgaditen fletëpalosje, broshura si dhe spote radio-televizive .
“Në ndërkohë,” thotë ai, “po shqyrtojmë më kujdes të gjitha kërkesat e pranuara.”
Pustina pajtohet se duhet bërë më shumë për ta promovuar platormën, edhe pse, thotë ajo, duke pasur parasysh se është një mjet i ri dhe shumë specifik, fillimi ka qenë mjaft i mirë me më shumë se 7,000 vizita që nga lansimi.
Të rinjtë duket se e preferojnë mënyrën digjitale të komunikimit. Ukmata thotë, “Më shumë njerëz mund të ngrisin çështje dhe probleme që i mundojnë përmes mënyrës online të komunikimit – krahasuar me dëgimet publike, takimet dhe peticionet - pasi që të gjithë kanë qasje dhe është më praktike.”
Ruajtja e momentumit
Përveç financimit të platformës digjitale, Misioni i OSBE-së ka siguruar që lansimi të shkojë mirë duke organizuar trajnime dy-ditore për zyrtarë të të dy komunave. “Kemi trajnuar zyrtarët hap pas hapi se si të përdorin platformën dhe t’i shqyrtojnë kërkesat. U kemi treguar mënyrat se si të bashkëpunojnë në mënyrë produktive me banorët – si të kyçen në diskutime apo të postojnë politikat zyrtare,” thotë Pustina.
Më shumë se 50 zyrtarë të komunës së Prishtinës e 17 kryetarë të bashkësive lokake, si dhe 40 zyrtarë të komunës së Gjakovës janë trajnuar për përdorim të platformës digjitale.
Ajo thotë se Misioni është i kënaqur me fillimin e platformës, por tani sfida e vërtetë është që ajo të bëhet e vetë-qëndrueshme, të përdoret nga publiku, të menaxhohet nga komunat dhe idealja, të monitorohet nga organizatat e shoqërisë civile.
“Kemi pasur kërkesa jo-formale për të zgjeruar platformën edhe në komunat tjera, por së pari duhet të përfundojmë vlerësimin e rezultateve në këto pilot komuna.”
Nëse përdoret në mënyrë të duhur, platforma digjitale është një mjet shumë i mirë për të forcuar qytetarinë aktive dhe pjesëmarrjen kuptimplotë të publikut në vendimmarrje, shton Pustina.