Misioni i OSBE-së mbështet fushatën informuese që inkurajon të rinjtë dhe të rejat t'i bashkohen Policisë së Kosovës

Si pjesë e një fushate për të promovuar karrierën si zbatues të ligjit, nga 26 qershori deri më 2 korrik 2025, Misioni i OSBE-së përkrahu Policinë e Kosovës në organizimin e një sërë takimesh informuese në pesë rajone të Kosovës.
Iniciativa kishte në fokus gra dhe burra të rinj, kryesisht nga komunitetet jo-shumicë, me qëllim inkurajimin e aplikimeve të tyre për t'iu bashkuar Policisë së Kosovës. Këto organizime informuese u mbajtën në Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, si dhe Prizren, duke sjellë 105 aplikues të mundshëm, përfshirë 70 burra dhe 35 gra, nga të cilët 52 shqiptarë, 19 serbë, 17 boshnjakë, tetë romë, tetë egjiptianë, si dhe një turk i Kosovës.
Këto sesione informuese u ofruan kandidatëve udhëzime praktike mbi procesin e aplikimit, kriteret e kualifikimit, si dhe dobitë e karrierës në polici. Sesionet po ashtu theksuan gamën e gjerë të mundësive të zhvillimit dhe avancimit profesional që ofrohen në kuadër të Policisë së Kosovës.
Gjatë prezantimeve, oficerë të lartë të policisë theksuan përkushtimin e Policisë së Kosovës ndaj diversitetit dhe përfshirjes, por edhe mikpritjen e aplikuesve nga të gjitha etnitë dhe gjinitë. Sesionet po ashtu riafirmuan përkushtimin e Policisë së Kosovës për të ngritur një institucion të sigurisë publike që është përfaqësues dhe i barabartë, që i shërben të gjitha komuniteteve në mënyrë të barabartë.
“Qëllimi ynë është të mbështesim zhvillimin e një organizate policore ndër-komunitare që i shërben dhe mbron të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha znj. Maria De Benito Rodriguez, U.D. Drejtore e Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Përmes këtyre aktiviteteve informuese, ne po krijojmë hapësirë ku të rinjtë nga prapavija të ndryshme mund ta shohin veten në të ardhmen si pjesë e sigurisë publike në Kosovë”, tha ajo.
Kolonel Hilmi Pacolli, Drejtor i Personelit dhe Administratës së Policisë së Kosovës, gjithashtu theksoi rëndësinë e fushatës. “Këto aktivitete informuese janë qenësore që të rinjtë nga të gjitha komunitetet të informohen dhe të inkurajohen, si dhe të ndihen të mirëpritur në Policinë e Kosovës. Forca jonë qëndron në diversitetin tonë, ndërsa ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një organizatë policore profesionale që pasqyron shoqërinë të cilës i shërbejmë.”
Fushata është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të forcuar besimin mes zbatuesve të ligjit dhe publikut, duke siguruar njëkohësisht që gjenerata e ardhshme e oficerëve të Policisë së Kosovës të pasqyrojë diversitetin e plotë të shoqërisë multietnike në Kosovë.