Fillon me besim: Fuqizimi i grave, ndryshimi i Kosovës
Nga Besarta Halimi
Për Arijeta Qafleshi Skeraj, politika asnjëherë nuk ka të bëjë me mbajtjen e një pozite - ajo gjithmonë ka të bëjë me sjelljen e ndryshimit domethënës në komunitetin e saj.
"Duke pasur parasysh mundësinë e dhënë dhe përgjegjësinë që vjen si anëtare e kuvendit komunal, e kuptova se ky është vendi ku duhej të isha", thotë Arijeta, e cila filloi rrugëtimin e saj politik në vitin 2009 në Dragash - një komunë ku normat tradicionale dhe pikëpamjet konservatore mbi rolet e grave ende kanë ndikim në disa komunitete.
Por, rrugëtimi nuk ishte aspak i lehtë.
"Të jesh grua në politikë do të thotë të përballesh me sfida që shkojnë përtej zgjedhjeve", shpjegon ajo. "Hendeku midis burrave dhe grave - në përfaqësimin politik, mundësitë ekonomike dhe vendimmarrje - është i konsiderueshëm. Por, me këmbëngulje dhe mbështetje, unë i tejkaloj ato."
Sot, Arijeta është në detyrë si Kryetare e Kuvendit Komunal të Dragashit - pozitë kjo me përgjegjësi të madhe. Ajo ka ndërtuar një rrjet të fortë të grave në politikë dhe ka udhëhequr iniciativa me fokus te gratë për më shumë se tetë vjet. Udhëtimi i saj - i fuqizuar më tej nga pjesëmarrja në dy edicione të njëpasnjëshme të Programit EmPOWER për Gra Politikane në Nivel Lokal, iniciativë e Misionit të OSBE-së në Kosovë për ndërtim të kapaciteteve - pasqyron këmbëngulësi, lidership dhe qëllim.
Si gruaja e parë që mban pozitën e Kryetares së Kuvendit Komunal të Dragashit, ajo ia atribuon programit EmPOWER përsosjen e aftësive të saj udhëheqëse dhe forcimin e përkushtimit të saj ndaj shërbimit publik.
Transformimi i barrierave në lidership
Pavarësisht mundësive të ofruara nga kornizat ligjore ekzistuese - siç është kuota prej 30% për gratë në listat zgjedhore në Ligjin për Zgjedhje dhe kërkesa e përfaqësimit gjinor 50/50 në Ligjin për Barazinë Gjinore - barrierat strukturore vazhdojnë të pengojnë pjesëmarrjen e plotë të grave në jetën publike. Këto përfshijnë pasigurinë financiare, mjedise jofleksibile të punës, mbështetjen e kufizuar institucionale dhe stereotipet e vazhdueshme gjinore.
Gratë mbeten dukshëm të nën-përfaqësuara në pozicione ekzekutive dhe vendimmarrëse, veçanërisht në nivel komunal. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, vetëm 14 nga 167 kandidatët e certifikuar për pozitën kryetar komune ishin gra, me vetëm dy të zgjedhura në fund. Përveç kësaj, vetëm 6 nga 38 kryetarë të kuvendeve komunale janë gra, duke reflektuar një hendek të madh dhe të vazhdueshëm mes zotimeve ligjore dhe përfaqësimit aktual.
Ndërkohë, dhuna ndaj grave në politikë - duke përfshirë ngacmimin dhe abuzimin në internet - mbetet e përhapur, por kryesisht e nën-raportuar, duke i dekurajuar shumë gra të hyjnë ose të qëndrojnë në sferën politike.
Për këtë, në fillim të këtij viti 66 deputetë të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën mbi Dhunën ndaj Grave në Politikë dhe Jetën Publike - një moment historik i zhvilluar me mbështetjen e gjerë të Misionit të OSBE-së në Kosovë për kryetaret gra të komisioneve të Kuvendit të Kosovës. Deklarata riafirmon zero tolerancë për dhunën ose kërcënimin ndaj grave në politikë, duke nënvizuar se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
Siç tha një deputete: “Është koha për të krijuar një hapësirë më të sigurt dhe më mbështetëse ashtu që të gjithë të marrin pjesë.”
Në këto rrethana, Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në avancimin e barazisë gjinore në politikë - qoftë duke mbështetur udhëheqëse individuale si Arijeta me iniciativave të strukturuara si programi disa-mujor EmPOWER, dhe duke i fuqizuar Grupet e Grave të Kuvendeve Komunale (GGKK) në të gjithë Kosovën.
Ndërtimi i rrjetit të qëndrueshëm të grave udhëheqëse
Që kur ka filluar në vitin 2022, programi EmPOWER ka trajnuar mbi 125 gra politikane me aftësi për të udhëhequr, ka promovuar bashkëpunimin ndërpartiak dhe ka rritur praninë e grave në jetën politike.
Si rezultat, shtatë pjesëmarrëse të programit garuan në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, me ç‘rast Drita Pajaziti siguroi një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
“Programi EmPOWER ka qenë një nga përvojat më transformuese të jetës sime”, thotë Drita. “Ai ka përsosur aftësitë e mia dhe më ka dhënë besimin për të udhëhequr.”
Punëtoritë për lidership, të folurit në publik dhe angazhim qytetar e fuqizuan Dritën të rafinonte zërin e saj politik. “Mentorimi individual me trajnuesen e programit më shtyu përtej zonës sime të rehatisë dhe më ndihmoi të besoja në aftësinë time për të nxitur ndryshime”, thotë ajo. Përtej zhvillimit të aftësive, EmPOWER nxiti lidhjet mes grave nga nivele të ndryshme të qeverisjes, duke krijuar një rrjet mbështetës thelbësor për lidership të qëndrueshëm.
Për ta plotësuar këtë, mbështetja afatgjate e Misionit të OSBE-së për GGKK-të ka qenë instrumentale në institucionalizimin e qeverisjes së përgjegjshme gjinore në nivel lokal. Të rrënjosura në angazhimin e përbashkët për të avancuar barazinë gjinore, GGKK-të i bashkojnë gratë përtej vijave partiake e përkatësisë politike rreth prioriteteve të përbashkëta. Këto platforma shqyrtojnë politikat komunale përmes prizmit gjinor, avokojnë për buxhetim përgjegjës gjinor dhe promovojnë vendimmarrjen gjithëpërfshirëse në nivel lokal.
Me mbështetjen e OSBE-së, që nga viti 2013, shumë GGKK kanë miratuar plane strategjike dhe janë bërë mbështetëse të zëshme. Në Kamenicë, iniciativat e udhëhequra nga GGKK-të kanë mundësuar mbi 100,000 euro në grante për gratë sipërmarrëse. Në Dragash, ku Arijeta ishte pjesë e GGKK-së, rezultatet e jashtëzakonshme përfshijnë qendrën e parë të kujdesit për fëmijë në komunë dhe rekrutimin e gruas së parë police — duke i përmirësuar shërbimet dhe sigurinë për gratë dhe vajzat në zonat tradicionalisht pa këtë shërbim.
“Përmes EmPOWER, krijova lidhje me gra frymëzuese në të gjithë Kosovën, duke ndarë përvoja dhe duke forcuar avokimin tonë kolektiv”, thotë Arijeta. “Programi më ndihmoi të përsosja aftësitë e mia udhëheqëse dhe përforcoi rëndësinë e mentorimit të të tjerëve.”
Efekti zinxhir i ndryshimit
Për Arijetën, balancimi i postit publik, udhëheqjes në komunitet dhe jetës familjare ka kërkuar vendosmëri. Ajo ia atribuon suksesin e saj këmbënguljes - dhe mbështetjes së palëkundur të familjes së saj.
"Kam katër fëmijë dhe pata fatin të kisha mbështetjen e vjehrrit(ës) dhe burrit tim," thotë ajo. "Shumë gra në komunën time nuk e kanë këtë lloj mbështetjeje, prandaj programet si EmPOWER janë jetike. Ato u ofrojnë grave mjetet, rrjetet dhe inkurajimin e nevojshëm për të nxitur ndryshime kuptimplote."
Ndikimi i EmPOWER shtrihet përtej historive individuale të suksesit. Ai po ndihmon në ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm të grave udhëheqëse që po formësojnë politika, po ndikojnë në institucione dhe po krijojnë një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
Histori si kjo e Arijetës - ku mbështetja e burrit të saj dhe e familjes luajti një rol kryesor - nxjerrin në pah se si EmPOWER jo vetëm që nxitë pjesëmarrjen e grave në politikë, por gjithashtu promovon ndryshimin në nivelin e familjes dhe komunitetit. Duke i inkurajuar indirekt burrat të ndajnë përgjegjësitë familjare dhe të mbështesin lidershipin e grave, programi kontribuon në ri-formësimin e narrativave tradicionale familjare dhe nxit një strukturë shoqërore më të barabartë.
Ndërkohë që zgjedhjet lokale të vitit 2025 po afrohen, dhe me momentum të ripërtërirë pas GGKK-ve, Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar për të mbështetur fuqizimin politik të grave në çdo nivel.
“Gratë e kanë vendin në politikë”, pohon Arijeta. “Për të qenë një grua në politikë, duhet të besosh në veten tënde, të punosh me integritet dhe qëllim, dhe të kesh mbështetjen e duhur.”
Tani në edicionin e tij të 4-të, programi EmPOWER vazhdon të dëshmojë një të vërtetë jetike: kur gratë fuqizohen për të udhëhequr, ato sjellin përparim, barazi dhe shpresë - jo vetëm për komunitetet e tyre, por për të gjithë shoqërinë.
Programi EmPOWER është një katalizator për ndryshim - duke përgatitur gratë politikane me aftësitë, besimin dhe solidaritetin që u nevojiten për të udhëhequr me qëllim të qartë. Duke bashkuar gratë nga e gjithë Kosova dhe përtej vijave partiake, programi ndihmon në transformimin e ambicies individuale në përparim kolektiv.
Duke reflektuar mbi ndikimin më të gjerë të iniciativës, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Z. Gerard McGurk, thotë:
“Historitë e fuqishme që dalin nga ky program - si kjo e Arijetës dhe Dritës - tregojnë se kur gratë fuqizohen për të udhëhequr, ato frymëzojnë komunitete të tëra. Ato formësojnë jetën e shumë njerëzve dhe sjellin ndryshim. Kështu fillon qeverisja e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse: me vetëbesim, me mundësi dhe me mbështetje e angazhim të palëkundur. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të qëndrojë krah për krah me mbështetëset tona të EmPOWER."