Gratë dhe prona: Rrugëtim i pareshtur drejt ndryshimit
Nga Venla Aalto
Për shumë gra kosovare, e drejta për të zotëruar dhe trashëguar pronë vazhdon të jetë qëllim i largët. Mungesa e ndërgjegjësimit, normat kulturore, stereotipat gjinorë dhe barrierat ekonomike ua kanë pamundësuar grave të kenë qasje të plotë dhe të papenguar në këto të drejta të parapara me ligj.
Për t’i adresuar sfidat e lidhura me të drejtat pronësore dhe trashëgimore, Misioni i OSBE-së ka avokuar në vazhdimësi për përmirësim të politikave dhe procedurave që u mundësojnë grave qasje të plotë dhe të papenguar në të drejtat pronësore. Misioni bashkëpunon ngushtë me institucione përkatëse si Ministria e Drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, noterë, zyrtarë komunalë, Agjencia Kadastrale, si dhe me shoqërinë civile dhe rininë, për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave në fushën e pronës dhe trashëgimisë.
Si pjesë e këtyre përpjekjeve, gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, Misioni i OSBE-së organizoi një sërë punëtorish për zyrtarë komunalë, gra sipërmarrëse, organizata të shoqërisë civile dhe liderë komunitetesh nga mbarë Kosova, për të prezantuar kuadrin ligjor për pronësinë dhe trashëgiminë, procedurat për regjistrim të pronës, mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe adresimin e normave kulturore dhe stereotipave gjinorë.
Pjesëmarrëset Dashurije Ahmeti, Shefe e Sektorit të të Rinjve në Komunën e Ferizajt, dhe Minavere Fejzullahu, Koordinatore dhe Menaxhere në Qendrën e “Caritas Kosova” thonë se arsyeja për pjesëmarrje në këtë punëtori ishte që fitonin njohuri që t’u shërbejnë për të luftuar jo vetëm për të drejtat e tyre, por të të gjitha grave, dhe për ta mbështetur komunitetin ku jetojnë. Të dyja theksuan rëndësinë që kanë ndërgjegjësimi dhe edukimi në sfidimin e barrierave kulturore që ua pamundësojnë grave t’i realizojnë të drejtat e tyre.
Dija është hapi i parë drejt fuqizimit
Punëtoritë ofruan hapësirë për diskutim, mësimnxënie, shkëmbim përvojash dhe fuqizim, duke vënë themelet e një rrjeti mbështetës që do të ndihmojë për ta çuar përpara diskursin për të drejtat pronësore dhe trashëgimore të grave.
Në vijimësi të këtyre diskutimeve, bazuar në përvojën profesionale dhe angazhimin aktiv me grupe joformale të grave dhe aktivisteve, Dashurije Ahmeti identifikoi një çështje thelbësore, shqetësim ky i shpërfaqur edhe gjatë punëtorive: mungesa e informacionit rreth rëndësisë së procedurave noteriale dhe dokumenteve të nënshkruara.
“Ende jetojmë në një shoqëri tradicionale ku burrat shihen si vendimmarrës për të gjitha çështjet, përfshirë këtu edhe çështjet e trashëgimisë. Kemi gra të moshës së mesme të cilat kanë nënshkruar dokumente pa e kuptuar plotësisht ato çfarë po nënshkruanin, duke hequr kështu dorë nga të drejtat e tyre pronësore pa e ditur” - thotë znj. Ahmeti.
“Pikërisht për këtë arsye, prania e noteres në punëtorinë e OSBE-së ishte jashtëzakonisht e mirëseardhur. Ajo ndau me pjesëmarrëset informata profesionale rreth procedurave noteriale dhe rolit të tyre, ngaqë gratë jo rrallëherë janë pre e keqinformimit” - shton ajo.
Njëlloj si znj. Ahmeti, pjesëmarrësja Minavere Fejzullahu iu bashkua aktivitetit të OSBE-së për t’u informuar më mirë, për t’i kuptuar më në hollësi procedurat dhe për ta shpërndarë informacionin te gratë tjera, duke i fuqizuar njëherësh të rinjtë që të shkollohen. Në suazat e punës së saj në Caritas Kosova, znj. Fejzullahu bashkëvepron drejtpërsëdrejti me komunitetet joshumicë dhe çdo ditë është dëshmitare e hapave të vegjël, por domethënës, drejt ndryshimeve pozitive.
“Qëllimi im është t’i fuqizoj sa më shumë që të mundem gratë që ndodhen në margjinat e shoqërisë. Pas informacioneve të vlefshme që mora në punëtorinë e OSBE-së, pata një takim me nëna dhe vajza të reja nga fshati Dubravë, i banuar kryesisht nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, për t’i ndarë njohuritë e përfituara me to. Qoftë edhe nëse pesë nga 25 pjesëmarrëse arritën të përvetësonin diçka nga njohuritë që i ndava me to, atëherë konsideroj se takimi me to ka qenë frytdhënës” – thotë znj. Fejzullahu.
Ndryshimi i normave shoqërore çelës i realizimit të të drejtave pronësore të grave
Pronësia ka qenë tradicionalisht në duart e burrave, kurse gratë janë përballur me diskriminim, si në familje ashtu dhe në komunitet, sa herë që kanë kërkuar të drejtat e tyre pronësore. Çështja e së drejtës së grave për të zotëruar ose trashëguar pronë nuk ka të bëjë vetëm me mungesë informimi, porse i ka rrënjët në normat shoqërore të ngulitura prej kohësh.
Ky ndikim i mendësisë patriarkale u përmend edhe nga znj. Ahmeti, që vuri në dukje se këto norma vazhdojnë akoma t’i formësojnë perceptimet rreth të drejtave pronësore dhe trashëgimore të grave.
“Në kuadër të punës sime kam organizuar aktivitete që kanë patur si qëllim fuqizimin e grave dhe vajzave dhe, gjatë intervistave në terren, kemi vënë re se edhe në familjet me mirëqenie të mirë ekonomike kishte një prirje për të menduar se nëse i japin pronë së bijës, ajo i shkon në të vërtetë dhëndrit. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe me ndërgjegjësim, këto bindje kanë filluar të ndryshojnë dhe njerëzit kanë filluar ta kuptojnë se pronën po ia japin së bijës, jo dhëndrit” - deklaron znj. Ahmeti.
“Ligjet në fuqi në Kosovë garantojnë të drejtën për pronë për çdo anëtar të familjes, pavarësisht gjinisë. Tani duhet të fokusohemi në largimin e frikës së grave se, po e kërkuan pronën trashëgimore, dera e shtëpisë së prindërve do t’u mbyllet” - shton ajo.
“Diskutimi është baza ku nisin të marrin formë idetë dhe zë fill procesi i vetëdijesimit për të dyja gjinitë pa dallim. Në këtë proces është e rëndësishme që të informohen saktë edhe burrat e djemtë, jo vetëm gratë” - thekson znj. Ahmeti.
Avancimi i të drejtave pronësore të grave është përpjekje kolektive
Arijeta Rrotlla, Zyrtare për Çështje Pronësore në Misionin e OSBE-së në Kosovë, vë në dukje se shumë gra e vajza vazhdojnë të heqin dorë vullnetarisht nga e drejta e tyre trashëgimore për shkak të presionit shoqëror.
“Normat patriarkale dhe mendësitë e rrënjosura ndër breza vazhdojnë akoma që t’i ndikojnë këto vendime. Megjithatë ka përparim, mbase jo në nivelin që do dëshironim ta kishim, por aty ku ka hapësirë për të vepruar, ka pa dyshim edhe shpresë” - thotë znj. Rrotlla.
Përkundër sfidave, viteve e fundit është evidentuar një ndryshim pozitiv dhe inkurajues. Rritja e numrit të grave të regjistruara si pronare prone në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dëshmon se ndryshimi është i mundshëm dhe po ndodh.
Sipas Rrotllës, një studim i vitit 2024 i realizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe një raport i UN Women tregojnë se rreth 19.8% e pronave të regjistruara në regjistrat kadastralë janë në emër të grave.
“Statistikat më të fundit të vitit 2025 shpalosin se kjo shifër është ngritur në 21.5%, pra ka pasur përparim. Ndonëse disa nga këto prona të regjistruara në emër të grave, ose si bashkëpronësi me bashkëshortin, janë në fakt prona që gratë i kanë blerë vetë dhe jo trashëguar, kjo përbën megjithatë një hap përpara” - thekson ajo.
Çdo diskutim, punëtori apo përvojë e ndarë është në funksion të përparimit të mëtejmë në gëzimin e të drejtave pronësore dhe trashëgimore të grave, ngaqë e pozicionon këtë çështje në qendër të diskursit shoqëror. Ky është pikërisht qëllimi i punëtorive të OSBE-së, që gratë të pajisen me njohuri dhe vetëbesim për të qenë zë i fuqishëm në komunitet e tyre, duke i edukuar të tjerët për të drejtat e tyre dhe duke kontribuuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë për brezat e ardhshëm.
“Gratë pjesëmarrëse në këtë punëtori të OSBE-së treguan vendosmëri të jashtëzakonshme në kërkimin jo vetëm të të drejtave të tyre, por edhe vënien e theksit në faktin se e drejta për pronë garantohet me ligj. Jam dëshmitare se ato kanë filluar të lobojnë dhe të diskutojnë për këto të drejta në familjet e tyre, e kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua personalisht,” thekson znj. Ahmeti.
Në fjalët e saj, znj. Fejzullahu e përmbledh më së miri frymën e këtij ndryshimi gradual. “Nëse arrijmë t’i vetëdijesojmë qoftë edhe dy gra që t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe që mesazhin se gratë kanë të drejtë të trashëgojnë pronë nga babai dhe të kenë pjesën e tyre në pronën që krijojnë së bashku me bashkëshortin ta përçojmë tek një grup më i gjerë, atëherë mund të themi se kemi arritur vërtet ndikim pozitiv” – thotë ajo.
Në përmbyllje, znj. Ahmeti thekson rëndësinë e angazhimit e përkushtimit të përbashkët dhe mbështetjes reciproke.
“Kjo është betejë e vazhdueshme dhe këtë rrugëtim drejt ndryshimit nuk mund ta bëjmë të vetme, po me partnerë si OSBE-ja e me profesionistë përkrah që të marrin pjesë aktivisht dhe të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për gratë, veçanërisht për ato gra që nuk kanë mundësi ekonomike për t’i përballuar proceset gjyqësore,” tha ajo.
Të njëjtën gjë e pohon dhe znj. Rotlla nga Misioni i OSBE-së. “Duhen përpjekje të përbashkëta, dhe ne të vazhdojmë të avokojmë e bashkëpojmë për t’i avancuar më tej të drejtat e grave në fushën e pronës dhe trashëgimisë” - përfundon ajo.