Lojërat Parasportive për personat me nevoja të veçanta, të mbajtura me mbështetjen e OSBE-së, përmbyllen në Vushtrri
Në fundjavën e 16 dhe 17 shtatorit 2023, Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështeti Komitetin Paralimpik të Kosovës në organizimin e Lojërave Parasportive për personat me nevoja të veçanta, ngjarje kjo e përvitshme që zhvillohet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Çdo vit, në këto lojëra mblidhen rreth 400 pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme anembanë Kosovës për gara sportive siç janë, gara me karroce, basketboll, futboll, si dhe aktivitete të tjera si tërheqja e litarit, pikturim dhe shah. Lojërat synojnë të ndihmojnë në ndërtimin e besimit dhe fuqizimin e bashkëpunimi ndërmjet pjesëmarrësve dhe Policisë së Kosovës, si dhe në rritjen e vetëdijesimit mbi domosdoshmërinë për përfshirjen e personave me nevoja të veçanta në jetën sociale.
Lojërat Parasportive janë iniciuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për herë të parë në vitin 2005. Që atëherë, OSBE ka mbështetur në vazhdimësi organizimin e tyre, duke përfshirë edicionin e 17-të këtë vit.