Rrëfimi i një gruaje të (pa)zakontë
Presioni dhe zhurma e lajmeve dhe zhvillimeve të përditshme që bëjnë botën të duket një lagje e vogël ndalen papritur kur takojmë Dejana Maksiqin.
Dejana, 42-vjeçarja serbe e kthyer e Kosovës, jeton në Osojan, fshat i vogël i strukur në luginën ndërmjet Klinës dhe Istogut. Natyra është treguar bujare në këtë zonë me bukuritë natyrore që e plotësojnë jetën e banorëve të zellshëm që jetojnë aty. Nën rrezet e diellit të hershëm pranveror dhe ajrin e pastër e të freskët, pamjen kah malet me shpatet e mbuluara akoma nga dëbora, fshati rrezaton qetësi. Koha duket sikur ka ndaluar në këtë vend.
Në takimin tonë për herë të parë, ajo na pret me një buzëqeshje të madhe, e lumtur që pret vizitorë të pazakontë dhe me mosbesim se mund të jetë shembull për dikë. Si nënë e dy fëmijëve, ajo gjeti mënyrën e saj për të siguruar jetesën dhe është më se e vetëdijshme për thyerjen e stereotipeve duke punar me të dy gjinitë në Osojan dhe në fshatrat përreth.
Atmosfera në “sallonin” e saj është gazmore, e mbushur me të qeshura, muhabet dhe kafe. Disa nga klientët e mrekullueshëm e miqësorë që erdhën te Dejana që në orët e hershme janë edhe të afërm të saj. Vizita në sallonin e parukerisë për një trajtim flokësh merr një dimension tjetër të rëndësishëm: një zakon shoqërimi që s’duhet humbur.
Hap pas hapi
Rrëfimin për fillesat në këtë profesion Dejana e shoqëron me një dozë melankolie. E zhvendosur nga Kosova në vitin 1999, ndërsa jetonte në Berane të Malit të Zi ajo ndoqi nga kureshtja një kurs të shkurtër parukerie pa e pasur idenë se sa shumë do t'i shërbente më vonë. Me mall për shtëpinë e saj, ajo u kthye në Osojan në vitin 2001 dhe filloi biznesin e saj.
Duke qenë se nuk kishte lokal të sajin, në fillim ajo i merrte pajisjet e saj elementare si gërshërët, krehrit dhe një makinë prerëse të flokëve dhe shkonte në shtëpitë e klientëve për t’i prerë ose lyer flokët e tyre. Në komunitete të vogla e të lidhura ngushtë disi nënkuptohet që është burri është ai që duhet të sigurojë jetesën, ndërkohë që gruaja kujdeset për punët e shtëpisë. Dejana e dinte që donte të punonte, ndaj me mbështetjen bashkëshortit ndërtoi atëbotë një objekt montazhi me një donacion të vogël.
Ajo punoi për vite të tëra me pajisjet bazë të parukierisë që kishte, por përsëri donte të bënte më shumë.
“Më vinte shumë keq që nuk mund t'ua laja flokët klienteve të mia. Kur, për shembull, ua lyeja flokët klienteve, atyre u duhej të shkonin në shtëpi për t'i larë vetë flokët. Mund ta imagjinoni sa e vështirë ishte kjo gjatë stinës së dimrit”.
Ndihma që ka rëndësi
Në pranverën e vitit 2021, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi një vlerësim të nevojave për gratë e kthyera dhe gratë nga radhët e komuniteteve joshumicë me qëllim të fuqizimit të tyre ekonomik. Pas konsultimeve, Misioni organizoi një konferencë me donatorë ndërkombëtarë, zyrën lokale të punësimit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gra të kthyera, për t'u prezantuar atyre mundësi punësimi, trajnime dhe grante për zhvillimin e bizneseve të vogla.
Aspirata profesionale dhe gatishmëria e Dejanës për të ofruar shërbime më të mira për klientët e saj e motivoi atë që të marrë pjesë në seancat konsultative të Misionit të titulluara “Konsultime me gratë e kthyera dhe gratë nga komunitetet jo-shumicë për qasjen në mundësi punësimi” dhe të shprehë nevojat e grave të kthyera, e që shpesh nuk artikulohen në masë të mjaftueshme në diskursin publik.
E kjo ishte ajo çfarë solli ndryshimin. Misioni e mbështeti Dejanën me një karrige profesionale për larjen e flokëve dhe pajisje të tjera mbështetëse si tharëse flokësh, një hekur për drejtimin e flokëve, një hekur për kaçurrela, gërshërë, prerëse e gjëra të tjera. Dejana i është tejet mirënjohëse Misionit për këtë mbështetje.
“Më e rëndësishmja është se kjo me të vërtetë i bëri klientët e mi të lumtur. Më në fund ata kanë një shërbim të plotë parukerie si kudo tjetër. Gjithashtu, shpresoj të kem më shumë klientë tani e tutje dhe që kjo t’i përmirësojë të ardhurat e mia”.
“Të nisësh një biznes si sipërmarrëse në një vend të vogël nuk është dhe aq e vështirë sa është të mbash punën. Shumë njerëz kanë filluar biznesin e tyre por nuk kanë mundur ta vazhdojnë atë, e sidomos me paraqitjen e pandemisë COVID-19”, thotë Dejana.
Shpresa për një të ardhme më të mirë si forcë shtytëse
Megjithatë, sytë e kësaj gruaje të re rrëzëllejnë me shkëlqim të veçantë kur flet për planet e saj për të ardhmen.
"Dëshiroj t’i zgjeroj njohuritë që kam tani dhe të ndjek disa nga kurset e avancuara për parukeri apo kurse të kozmetikës, që zakonisht organizohen në Mitrovicë. Është dëshira ime e madhe, por mundësitë janë të kufizuara".
“Porosia ime për gratë është që t’i ndjekin ëndrrat e tyre, të përballen me sfidat, t’i shfrytëzojnë mundësitë dhe të jenë këmbëngulëse në arritjen e qëllimit të tyre. Të kenë vetëbesim dhe vendosmëri dhe padyshim që do t’ia dalin”, përfundon ajo.
Dejana na jep lamtumirën në mënyrë miqësore, me buzëqeshje. Kjo grua, një nga të shumtat në Kosovë, e pranon jetën me të gjitha fatkeqësitë dhe sfidat që ajo sjell, në pritje të sfidës së radhës, mundësisë së radhës për të dëshmuar se çfarë është e aftë dhe di të bëjë. Ajo është njëra nga të shumtat, njëra prej nesh dhe, nëse historia e saj nuk mjafton që t’ju frymëzojë, atëherë shikoni përreth, bisedoni me gratë në rrethinën tuaj të afërt dhe gjeni shembullin tuaj, “heroinën” tuaj.
Misioni i OSBE-së në Kosovë fton të gjitha gratë që çdo ditë t’i festojnë orvatjet dhe arritjet e tyre sikur çdo ditë të ishte Dita Ndërkombëtare e Gruas. Sikur çdo ditë të ishte dita juaj!