Të gjejmë zë të përbashkët
Dhjetë kilometra larg Prishtinës, në qetësinë e kopshtit të hotelit Amazona, pjesëmarrësit e Akademisë së OSBE-së për Gjuhë dhe Kulturë janë ulur për të ngrënë drekë.
Të rrethuar nga pemë gjethore të mollëve jeshile, afër një pishine elegante, atmosfera është mjaft emocionuese.
Pjesëmarrësit e Akademisë, nga Prishtina dhe Beogradi, Vushtrria e Nishi, bisedojnë lirshëm dhe kohë pas kohe spontanisht ia thonë këngës. Është e vështirë të paramendohet që këta të rinj kanë qenë të ndarë nga pengesa gjuhësore dhe kulturore ndonjëherë në jetën e tyre. Në fakt, këtu krijohet përshtypja se ky është një grup i miqve të jetës.
Fillimi i Akademisë
Akademia e Gjuhës dhe Kulturës ishte një nismë e të diplomuarave të një programi tjetër të përkrahur nga OSBE, që sjellë së bashku gra nga Prishtina e Beogradi – Akademia e Dialogut e OSBE-së për Gra të Reja (AD) - e që mbahet çdo vit në Austri që nga 2015-ta.
Gratë, të frymëzuara nga përvojat e tyre, shtynë përpara këtë nismë të re pasi njëra nga to, Milena Beran, e cila e flet edhe shqipen edhe serbishten, filloi t’u mësojë pjesëmarrëseve tjera gjëra elementare derisa ndiqte njërën nga edicionet e Akademisë së Dialogut. “Qeshnim së bashku dhe miqësoheshim gjatë mbrëmjeve. Aty filloi gjithçka sepse e pamë sa shumë na kishte ndihmuar neve, dhe menduam se mund të ndihmonim edhe njerëz tjerë që të lidhen mes vete në këtë mënyrë”, shpjegon Anja Jokiq nga Beogradi, studente e nivelit Master dhe po ashtu e diplomuar nga AD.
Akademia e Gjuhës dhe Kulturës, krijuar me ndihmën e OSBE-së, mblodhi të rinjtë për t’iu ofruar njohuri themelore të gjuhës shqipe dhe serbe, por edhe për të ndarë përjetime kulturore mes vete.
Përveç mësimit të gjuhës së njëri-tjetrit dhe bashkëveprimit mes tyre, ata vizituan dhe u takuan edhe me një grup të rinjsh që kanë ndjekur kurse të gjuhës shqipe e serbe të organizuara nga OSBE në komunën e Obiliqit.
Gratë në udhëheqje
Tri të diplomuarat nga AD, nismëtare të Akademisë së Gjuhës dhe Kulturës, Anja, Alba Jakupi dhe Milena, ulur në fund të një tryeze të ngjeshur, bisedojnë duke kombinuar anglishten, serbishten e shqipen dhe i shpjegojnë njëra-tjetrës kuptimin e fjalëve në gjuhën amtare; ato mendojnë se ky ka qenë projekt vërtet i veçantë.
“Jo vetëm që kanë përforcuar njohuritë gjuhësore, ata edhe janë miqësuar shumë, e tash me të vërtetë duan të kalojnë sa më shumë kohë së bashku,” më thotë Anja.
Është përzierje e plotë, nuk mund të vërehet më se kush nga vjen.
Milena BeranNismëtare e Akademisë së Gjuhës dhe Kulturës
Deri sa flasim, vijueset e akademisë së gjuhës afrohen te kjo trio, duke qeshur dhe biseduar. Më tregojnë xhirime të aktiviteteve, që nga eksplorimi i qendrës historike të Prizrenit e deri tek karaoket dygjuhëshe, aktivitetet duken të jenë të shumta, ndërsa entuziazmi i grupit është i dukshëm. Asnjë nga ta nuk duken që dëshirojnë tu thonë lamtumirë miqve të rinj.
Gjithsesi, karaoke ishte kulmi i javës. Pjesëmarrësit këndonin këngë në gjuhën që kishin mësuar, ku pasojnë të qeshura të mëdha. Alba beson që aktivitetet e këtilla shërbejnë për të treguar ngjashmëritë mes gjuhëve. “Edhe kur kemi disa fjalë që janë të njëjta, ndoshta shqiptimi është pak më ndryshe”, thotë ajo. “Kur dikush thotë diçka në gjuhën e tyre që tingëllon e njohur, dikush tjetër thotë “po, e themi të njëjtën edhe në gjuhën tonë”.
Zotimi për paqe
Zotimi për t’i thyer barrierat kulturore përmes promovimit të dygjuhësisë ishte thelbi i krijimit të Akademisë së OSBE-së për Gjuhë dhe Kulturë. Kjo shkon përtej individëve të mbledhur në kopshtin e mbuluar me diell.
“Shumë miq të mi tashmë kanë ndërruar mentalitetin; nuk e shohin më Kosovën si vend që nuk do ta vizitonin”, thotë Anja. “Në fakt, ata e vërejnë që unë vij këtu shpesh dhe argëtohem”.
Të diplomuarat nga Akademia e Dialogut, aktivizmi e krijimtaria e të cilave ka qenë thelbësore për suksesin e Akademisë për Gjuhë e Kulturë, besojnë që nismat e tilla normalizojnë pozitivitetin, në vend se të forcojnë stereotipat, gjë që ndodh kur lidhjet kulturore shkëputen. Ato kanë kuptuar vlerën e dygjuhësisë dhe bashkëveprimit kulturor, dhe kanë punuar për t’i frymëzuar të tjerët që të arrijnë tek i njëjti përfundim.
Akademia nuk është vetëm një aktivitet, është demonstrim i asaj çfarë mund të arrijnë grupet nga Beogradi e Prishtina duke punuar së bashku, me forca të përbashkëta.
Minja Mijatoviq Organizatore nga OSBE dhe e diplomuar nga Akademia e Dialogut
Është mu ky qëndrim bashkëpunues që ka përkufizuar aktivizmin e këtyre të rinjve, besimi që të punosh së bashku përkundër vështirësive të konsiderueshme është e vetmja zgjidhje pas dekadave të animozitetit.
Mbi të gjitha, Akademia e Gjuhës dhe e Kulturës e OSBE-së ishte mundësi që pjesëmarrësit të ekspozohen ndaj një kulture tjetër, të argëtohen e të mësojnë.
Megjithatë, e ndoshta edhe më me rëndësi, ajo përfaqëson një veprim të guximshëm nga një grup aktivistësh të rinj që shikojnë përtej dallimeve kulturore, duke përdorur përvojat personale për t’i frymëzuar të tjerët. Ajo vë në pah të përbashkëtën, bashkëpunimin dhe gjetjen e një zëri kolektiv.
Gjuha mundëson lidhje; i mundëson atyre që besojnë se nuk kanë asgjë të përbashkët ta kuptojnë që gjykimi i tyre i mëparshëm ishte i gabuar.
Gjuha ofron një pikë qendrore të komunikimit, këmbim të ideve, por edhe heqje të dyshimeve. Të mësosh një gjuhë është sfiduese. Por, këta pjesëmarrës të Akademisë, të ndihmuar edhe nga të diplomuarat në AD, po i bëjnë ballë kësaj sfide pa frikë.