Edukimi kritik mediatik i të rinjve të Kosovës
Rreth 40 djem e vajza mblidhen në rreth dhe së bashku me përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe të UNICEF Innovations Lab zyrtarisht nisin edicionin e tetë të programit të edukimit mediatik PONDER.
PONDER, program edukativ joformal për të rinj të moshës 16-21 vjeç, është zhvilluar për të përmirësuar mendimin kritik në lidhje me informacionin dhe mesazhet që ata marrin nga mediat online dhe interneti. Përmes ligjëratave interaktive, lojërave dhe ushtrimeve gjatë punëtorive treditore, të rinjtë mësojnë rreth diversitetit, plagjiaturës, prezantimit të të dhënave dhe interpretimit të imazheve.
“Të rinjtë në veçanti mund të bien pre e mashtrimit nga përmbajtja në internet”, thotë Edona Bajrami-Shala nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. “Duke nxitur qasje kritike ndaj informacionit sigurohet tolerancë dhe ndjenjë përkatësie ndaj komunitetit”.
Sipas Internet World Stats, në 2017 Kosova ka pasur mbi një milion e gjysmë përdorues të internetit dhe 80.4 për qind shtrirje të rrjetit.
“Këto shifra janë gjithsesi mbresëlënëse, mirëpo ato nënkuptojnë edhe ekspozim të madh ndaj mesazheve të rrezikshme të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Përmes forcimit të edukimit mediatik, PONDER luan rol të rëndësishëm edhe në luftën kundër terrorizmit potencial, meqë ndihmon të rinjtë t’i qasen në mënyrë kritike mesazheve radikale,” shton ajo.
Filtrimi i informatave
PONDER nisi në shtator 2016. “Ideja ishte që t’i mësojmë të rinjtë si t’i filtrojnë informatat që i marrin”, thotë Valon Nushi nga UNICEF Innovations Lab. Deri më tani janë mbajtur tetë edicione.
“Të rinjtë marrin numër të madh informatash çdo ditë, janë shumë aktivë në media sociale dhe lexojnë lajme nga një numër i madh portalesh. Pra, është vërtetë e rëndësishme që të kuptojnë se jo të gjitha informatat janë të vërteta, se gjërat nuk janë gjithmonë ashtu si paraqiten. Ata duhet të jenë në gjendje të dallojnë cilat janë burimet e besueshme. Kjo është ajo që e bën PONDER vërtetë të vlefshëm,” tha Nushi.
Të rinjtë marrin numër të madh informatash çdo ditë, janë shumë aktivë në media sociale dhe lexojnë lajme nga një numër i madh portalesh. Pra, është vërtetë e rëndësishme që të kuptojnë se jo të gjitha informatat janë të vërteta, se gjërat nuk janë gjithmonë ashtu si paraqiten. Ata duhet të jenë në gjendje të dallojnë cilat janë burimet e besueshme. Kjo është ajo që e bën PONDER vërtetë të vlefshëm.
Valon Nushi, UNICEF Innovations Lab
Partneriteti mes Misionit të OSBE-së dhe UNICEF-it ka rezultuar në trajnimin e 200 të rinjve dhe më shumë se 2,000 të tjerë të informuar lidhur me atë që PONDER ofron, përmes vizitave në shkolla të mesme, qendra rinore dhe komunitete të ndryshme në Kosovë.
Më shumë se trajnim
Përveç ofrimit të trajnimit, PONDER gjithashtu vepron si urë mes të rinjve dhe punëdhënësve potencialë. Si detyrë përfundimtare, pasi të kenë mësuar si të hulumtojnë, intervistojnë, shkruajnë dhe lexojnë diagrame, pjesëmarrësit e punëtorive shkruajnë një artikull për një temë që zgjedhin vetë. Në bazë të kësaj, me mbështetje të Misionit të OSBE-së, ata aplikojnë për një program njëmujor trajnimi në institucionet e medias në Kosovë. Deri më tani, 46 pjesëmarrës nga PONDER janë angazhuar nga institucione të tilla të medias, 15 me punësim me orar të plotë.
Tringa Dreshaj, 21 vjeçare nga Peja, është një prej tyre. Pjesëmarrëse e punëtorisë së parë më 2016, Dreshaj u pranua si praktikante në portalin online të një gazete kryesore. Ajo më pas u punësua në një portal tjetër me orar të plotë.
“Kam marrë pjesë në të gjitha llojet e aktiviteteve vullnetare dhe në projekte të ndryshme, por gjithmonë them se PONDER është më i miri”, thotë Dreshaj. “Para se të merrja pjesë në këtë punëtori, nuk kisha asnjë ide se si prodhohet lajmi dhe mendoj se të tjerët e kanë të njëjtin problem, sepse ne mund të jemi të ekspozuar ndaj lajmeve të rreme dhe nuk dimë si t’i qasemi. Me PONDER, kam mësuar aq shumë gjëra të reja, gjëra që unë nuk e dija se ekzistonin. PONDER më bëri kureshtare që të lexoj më shumë mbi ngjarjet që raportoheshin, si zhvillohej e tërë historia”.
Mbulim më të gjerë
Bajrami-Shala nga OSBE thekson se është e lumtur të jetë pjesë e një projekti që lë përshtypje të thella tek të rinjtë duke i mësuar ata të mendojnë dhe analizojnë informacionin para se ta pranojnë si fakt. “PONDER ka prodhuar rezultate të mrekullueshme, si në kuptim të trajnimit të të rinjve ashtu dhe duke i ndihmuar ata me mundësi punësimi, andaj dhe presim që ta zhvillojmë më tutje”, thotë ajo.
Nushi pajtohet: “Presim me padurim që ta përhapim aftësinë e të menduarit kritik tek sa më shumë të rinj. Pasi të përfundojmë raundin e parë të punëtorive, shpresojmë të kthehemi në rajonet që veçse i kemi mbuluar, ku ka grupe të reja të të rinjve të etur për të marrë pjesë në raunde të tjera të punëtorive PONDER”.