Komunat në Kosovë të përmirësojnë më tej respektimin e ligjit për gjuhët, thotë raporti i OSBE-së
PRISHTINË, 23 qershor 2014 – Komunat në Kosovë duhet ta përmirësojnë më tej respektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, thotë raporti i Misionit të OSBE-së i bërë publik sot.
Raporti ngre shqetësime rreth përkthimeve me shkrim të materialeve nga mbledhjet publike, mungesës së konsistencës në vendosjen e tabelave në ndërtesa publike dhe rrugë, si dhe mungesës së konsistencës në punësimin e shërbyesve civil që flasin rrjedhshëm dy gjuhët zyrtare, gjuhën shqipe dhe atë serbe. Si shembull pozitiv, raporti vë në pah përputhshmëri të përgjithshme me detyrimin ligjor për të siguruar përkthim me gojë gjatë mbledhjeve komunale. Po ashtu, raporti thekson se përderisa komunat kanë miratuar rregullore për gjuhët në përdorim zyrtar, gjuha rome ende nuk është e njohur dhe e mbrojtur.
“Përdorimi i barabartë i dy gjuhëve zyrtare, dhe gjuhëve në përdorim zyrtar në nivelin komunal, duhet të sigurohet si kusht paraprak për ofrim të shërbimeve dhe për të mundësuar pjesëmarrje efektive të të gjitha komuniteteve në jetën publike,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger. “Për më tepër, respektimi i plotë i të drejtave gjuhësore është thelbësor për ruajtjen e kulturave të ndryshme dhe karakterit shumë-etnik të shoqërisë së Kosovës.”
Raporti Respektimi i të drejtave gjuhësore nga komunat e Kosovës mbulon periudhën qershor 2011 - shkurt 2014, dhe është i bazuar në aktivitetet e rregullta monitoruese të Misionit. Raporti ofron rekomandime se si të zgjidhen mangësitë e identifikuara dhe mund të gjendet në www.osce.org/sq/kosovo/120011.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizim dhe zhvillim të sektorit të sigurisë publike.