Тë drejtat për arsim në shoqëritë diverse në fokus të konferencës së OSBE-së në Shkup
SHKUP, 1 nëntor 2016 – Konferenca dyditore mbi të drejtat për arsim në shoqëritë diverse filloi sot në Shkup duke i shpjerë në një vend afërsisht 100 përfaqësues të institucioneve shtetërore, shoqërisë qytetare, komunitetit ndërkombëtar, intelektualë, dhe të gjitha komunitetet në shtet.
Konferenca e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e arsimit dhe shkencës me përkrahje të Komisarit të lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare (KLPK), gjithashtu shënon dhe 20 vjetorin e “Rekomandimeve të Hagës për të Drejtat e Arsimit të Pakicave Kombëtare”.
Synimi i këtij debati është që vendosmërisht të rivendoset rëndësia prioritare e së drejtës për arsim dhe të arsimit integrues brenda një procesi më të gjerë të integrimit shoqëror, në përputhshmëri me “Udhëzimet e Lubjanës për Integrimin e Shoqërive Diverse” të KLPK-së të vitit 2012.
“Rëndësia e pandërprerë e ‘Rekomandimeve të Hagës’ vërehet në rolin e rëndësishëm të arsimit në mbrojtjen e identitetit të çdo individi,” tha Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup Nina Suomalainen. “Kjo është akoma më e rëndësishme tani në shoqëri ku arsimi mund dhe duhet të perceptohet si një fuqi motivuese për integrim.”
Pishtar Lutfiu, Ministri i arsimit dhe shkencës, tha: “Në shoqëritë demokratike nuk është mjaftueshëm vetëm të miratojnë dhe promovojnë kulturën, identitetin dhe interesat politike të pakicave për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm për individë dhe komunitete në tërësi. Për atë qëllim, nevojitet që shteti të përpilojë masat e veta dhe të zbatojë politika të cilat janë në përkrahje të integrimit dhe kohezionit në shtet.”
Alessandro Rotta, Këshilltar i lartë i KLPK-së tha: “Qëllimi është të sigurohemi se çdo nxënës do përfitojë nga mundësitë arsimore gjithëpërfshirëse. Më tutje, është dhe përgjegjësia e shtetit të sigurojë të lartpërmendurën, sipas Udhëzimeve të Lubjanës. Ky lloj përgjegjësisë përfshinë promovimin e integrimit të shoqërisë dhe mbrojtjen e diversitetit nëpërmjet politikave dhe kornizës institucionale dhe ligjore e cila lehtëson përfshirje, njohje dhe akomodim të përbashkët”.
Diskutimi gjithashtu do fokusohet në vlerësimin e ndikimit dhe rëndësisë së mëtejshme të “Rekomandimeve të Hagës” në aspekt të evoluimit të kornizës, standardeve dhe realiteteve ndërkombëtare në realizimin e të drejtave dhe sfidave të pakicave.