OSBE ndihmon zonat e prekura
Shkup, 11 gusht 2016 – Si reagim ndaj përmbytjeve të shkaktuara në rajonin e Shkupit dhe të Tetovës, Misioni i OSBE-së në Shkup siguroi ndihmë urgjente dhe mjete të emergjencës për rajonet e prekura nga përmbytja.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanier autorizoi një donacion prej 20.000 Euro nga Fondi Bamirës i Organizatës për ndihmë të menjëhershme të komuniteteve më së shumti të prekura nga përmbytjet. Ndihma, mjetet e nevojshme dhe furnizimet do të shpërndahen përmes Misionit të OSBE-së në Shkup.
Misioni veç më ka dhuruar gjeneratorë për rrymë dhe llamba elektrike dore dhe po bën organizimin e ekipeve punuese nga anëtarët e misionit vullnetarë për të ndihmuar në pastrimin e baltës dhe objekteve të shkatërruara.
Fondi vullnetar “Blossom fund” i Misionit të OSBE-së në Shkup gjithashtu ka dhuruar 1.500 Euro.
“Në këto momente të vështira ne qëndrojmë me popullin e këtij vendi dhe shpresojmë që mbështetja dhe solidariteti i OSBE-së dhe i komunitetit tjetër ndërkombëtar do të kontribuojë në kthim të shpejtë të kushteve normale për jetesë në komunitetet e prekura,” tha Zëvendës Shefi në Detyrë i Misionit të OSBE-së në Shkup Stiven Dejvis.
“Misioni i OSBE-së në Shkup do të vazhdojë të angazhohet dhe të sigurojë mbështetje gjithandej ku është mundësia, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet lokale dhe organizatat humanitare, me komunitetet e prekura dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë,” tha Dejvis.