Evenimenti i përkrahur nga OSBE “Ndërtojmë ura” mbledh më shumë se 700 nxënës nga 30 shkolla në Shkup
SHKUP, 3 tetor 2015 - Më shumë se 700 nxënës nga 30 shkolla në mbarë vendin u mblodhën të shtunën në ngjarjen e Fondit “Ndërtojmë ura”, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, për një ditë plotë me këngë, shfaqje teatrale, lojëra sportive, si dhe valle.
Për audiencën kënduan artistët muzikor dhe anëtarët e Bordit të Fondit, Rebeka dhe Toni Zen së bashku me Fleka Bend si dhe konkurrentja e 'X Factor Albania' Kanita Suma.
“Niveli i madh i interesimit dëshmon se shkollat, mësuesit, prindërit dhe nxënësit shohin nevojën për të rritur ndërveprimin në mes komuniteteve të tyre dhe sigurisht ata nuk janë të frikësuar apo të painteresuar siç disa mund të thonë,” tha zëvendës Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorja Marianne Berecz.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi tha: “Të pasur janë ata që kanë shumë miq dhe janë në gjendje që t’i kuptojnë të gjithë, edhe pse flasin gjuhë të ndryshme dhe i përkasin komuniteteve të ndryshme. Vendi ynë është një shembull se si ndërtohet, kultivohet dhe respektohet multi-kulturalizmi.”
Ambasadori zviceran Stefano Lazzarotto vuri në dukje mbështetjen e plotë të Ambasadës së tij për projektin dhe rezultatet e tij. “Ne jemi të kënaqur për kontributin e dhënë në këtë projekt që nxit bashkëpunimin dhe pranimin e ndërsjellë ndërmjet shkollave dhe komuniteteve të ndryshme."
Ambasadori holandez Wouter Plomp tha: “Jemi të lumtur që ju shohim të gjithëve së bashku, pa marrë parasysh përkatësinë tuaj etnike dhe fetare, duke ndërtuar urat e miqësisë dhe mirëkuptimit që çojnë drejt një shoqërie më të begatë.”
Fondi “Ndërtojmë ura”, i dizajnuar për të mirën e nxënësve, është përpjekje e përbashkët nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ambasada e Zvicrës, Ambasada e Holandës, si dhe Misioni i OSBE-së në Shkup, i cili mbështet aktivitete të përbashkëta në shkolla ku përfshihen nxënës nga të gjitha komunitetet dhe gjuhët e ndryshme, me qëllim rritjen e ndërveprimit, mirëkuptimit dhe integrimit në mjedisin shkollor.