Misioni i OSBE-së në Shkup mbështet përpjekjet për adresimin e diskriminimit të romëve në pikat e kalimit kufitar
SHKUP 14 tetor 2015 - Sot në Shkup u mbajt konferenca e përkrahur nga OSBE që ka për qëllim përpilimin e rekomandimeve si të adresohet diskriminimi i romëve në pikat kufitare, të cilëve shesh iu kufizohet liria e lëvizjes nën pretekstin se janë azilkërkues të mundshëm.
Ky aktivitet u organizua nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe Komitetit i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ndërsa u mbështet nga Misioni i OSBE-së në Shkup.
“Inkurajojmë autoritetet që të sigurojnë trajtimin e barabartë të të gjithëve, ashtu siç parashihet në Kushtetutë, përfshi edhe në kalimet kufitare," tha Shefja e Misionit të OSBE në Shkup Nina Suomalainen. “Parimi i mos-diskriminimit duhet të respektohet.”
Avokati i Popullit Ixhet Memeti tha: “Autoritetet duhet të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre në mënyrë që asnjë qytetar të mos ndjehet i diskriminuar, sepse diskriminimi është një fenomen i dhimbshëm që krijon ndjenjën e përjashtimit nga komuniteti, veçanërisht në një shoqëri multi-etnike dhe multi-kulturore të themeluar në diversitet.”
“Komiteti nuk e konsideron çështjen e romëve në pikat e kalimit kufitar vetëm për sa i përket shkeljes së lëvizjes së lirë, por edhe në aspektin e profilizimit racor,” tha drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit Uranija Pirovska.
“Të gjitha rastet e raportuara tregojnë se romët janë hequr nga autobusët në bazë të ngjyrës së lëkurës së tyre ose bazuar në emrin dhe mbiemrin e tyre, i cili përcakton prejardhjen e tyre etnike. Prandaj, nuk mund të flasim vetëm për raste të veçanta, por për diskriminim ndaj tërë komunitetit etnik. "
Misioni punon në ndërtimin e kapaciteteve të Avokatit të Popullit dhe të Komisionit për mbrojtje kundër diskriminimit për promovimin e tolerancës, duke u përqendruar në krijimin e mjeteve ligjore për funksionimin e tyre efikas.