Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbyll edicionin e gjashtë të Akademisë së të Rinjve
Publishing date: 17 maj 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia
Misioni i OSBE-së përmbylli sot në Prishtinë edicionin e gjashtë të Akademisë së të Rinjve, duke shënuar kështu kulminacionin e një rrugëtimi transformues për 49 të rinj nga fusha e komunitete të ndryshme nga mbarë Kosova. Gjatë pesë ditëve sa zgjati Akademia, këta pjesëmarrës të motivuar ishin pjesë e sesioneve të punëtorive mbi menaxhimin e ciklit të projekteve, diskutimeve në panel dhe ushtrimeve praktike në grup me tema të tilla si të drejtat e komuniteteve, sundimi i ligjit, të drejtat pronësore dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore. Ata u thelluan po ashtu në rolin e tyre si të rinj në avancimin e të drejtave të njeriut, vizituan objektet kulturore dhe fetare dhe morën pjesë në sesionet “World Café” për të drejtat e grave dhe kontributin e të rinjve në diversitet e gjithëpërfshirje, me folës nga institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe bota akademike, si dhe vizituan objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare. “Një pjesë e madhe e punës sonë gjatë këtyre 25 viteve fokusohet në të drejtat e njeriut, përfshirjen e të rinjve në aktivizëm për të drejtat e njeriut, si dhe angazhimin e vetë të rinjve”, tha Kavya Rajan, Drejtuese e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në kuadër të Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Këto janë edhe synimet thelbësore të Akademisë sonë për të Rinjtë, me synim përfundimtar fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e një rrjeti aktivistësh për të drejta të njeriut. Ishte frymëzuese të shihje pjesëmarrësit tanë teksa i zbatonin parimet e diversitetit, mospajtimit konstruktiv, por edhe këmbimeve mendjehapura në ndërveprimet e tyre gjatë këtyre ditëve,” shtoi ajo. Për pjesëmarrësin Enes Topalli, trajnimet dhe diskutimet në të cilat mori pjesë do ta ndihmojnë atë si avokat i ardhshëm. “Diskriminimi dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi ishin temat që më interesonin më së shumti. Ne mësuam shumë nga njëri-tjetri, respektuam perspektivat e njëri-tjetrit, ndërsa kjo do të më ndihmojë të zhvillohem si person, por edhe në aspektin profesional, dhe këtu qëndron bukuria e Akademisë së të Rinjve”, tha ai, duke shtuar se ka takuar të rinj nga komunitete të ndryshme dhe janë argëtuar shumë së bashku. Misioni angazhoi edhe ekspertë të rinj nga programet e veta, si Grupi i Trajnuesve dhe Rjeti Alumni i Akademisë së Dialogut, disa prej tyre ish-pjesëmarrës të Akademisë së të Rinjve, duke siguruar kështu zhvillimin e tyre të vazhdueshëm dhe modelin pozitiv për pjesëmarrësit e këtij viti. Edicioni i gjashtë përfundoi me prezantimin e ideve për projekte nga vetë pjesëmarrësit, të cilat reflektonin kreativitetin dhe përkushtimin e tyre për ndryshime pozitive dhe veprime konkrete. Misioni i OSBE-së do t'i shqyrtojë këto ide për përkrahje të mundshme, dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me të rinjtë përmes zbatimit të tyre, shkëmbimit të mundësive të ardhshme për aktivizm në të drejtat e njeriut, si dhe angazhimit të ish-pjesëmarrësve të Akademisë së të Rinjve në edicionet e ardhshme të Akademisë si trajnerë.
Përmbyllet programi Girls’ Talks i Misionit të OSBE-së i mbajtur në Prevallë
Publishing date: 17 prill 2024
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli programin Girls' Talks të mbajtur në Prevallë nga 12 deri më 16 prill, program që mblodhi 20 vajza të reja që u përkasin komuniteteve të ndryshme nga Kosova.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon shkëmbimet ndërmjet organizatave të shoqërisë civile përmes Forumit të Shoqërisë Civile
Publishing date: 15 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Mirëqeverisja, Rinia
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e 7-të të Forumit të përvitshëm të Shoqërisë Civile, platformë kjo që i mbledh organizatat e shoqërisë civile për t’i trajtuar sfidat dhe çështjet me të cilat përballen dhe për të lehtësuar shkëmbimet konstruktive ndërmjet tyre. Në edicionin e sivjetmë morën pjesë rreth 80 përfaqësues dhe aktivistë të organizatave të shoqërisë civile nga mbarë vendi që veprojnë në një gamë të gjerë fushash. Në kuadër të paneleve në përbërje të ekspertëve, pjesëmarrësit diskutuan rreth zhvillimeve në lidhje me kornizën ligjore për rininë, si dhe rolin e organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave tjera të të drejtave të njeriut në raport me monitorimin e zbatimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Diskutimet u fokusuan edhe në nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse drejt një roli më të fortë të organizatave të shoqërisë civile në shoqëri. “Aktivizmi dinamik qytetar në të gjitha nivelet është shtyllë themelore e demokracisë dhe zhvillimit social, dhe organizatat e shoqërisë civile janë në pozitë që t'i mbajnë organet qeveritare përgjegjëse për veprimet e tyre”- tha ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Gjithashtu, organizatat lokale, pra ato që janë më së afërmi qytetarëve, kanë potencialin që të dalin me zgjidhje të reja për problemet ekzistuese, duke i angazhuar aktivisht pushtetin lokal dhe banorët”, shtoi ai. Gjatë diskutimeve, organizatat rinore dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit konfirmuan sërish angazhimin e tyre për zhvillimin e vazhdueshëm të kornizës më të gjerë për rininë. Tani që Projektligji për rininë është në Kuvend, pjesëmarrësit theksuan nevojën për një proces të hapur dhe transparent konsultimesh në suazat e hartimit të akteve nënligjore përkatëse, proces ky që pritet të fillojë pas miratimit të Ligjit. Krejt në fund, Strategjia për Rininë për vitet 2024-2032 dhe plani gjegjës trevjeçar i veprimit vazhdojnë të përbëjnë dokumentet kyçe të politikave rinore që duhen finalizuar, e që do të vendosin kornizat për zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë të sektorit të rinisë. Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar fuqishëm ndaj këtyre proceseve dhe mbështetjes së palëve të përfshira në to. Më tej, Afrim Maliqi, drejtor i HandiKos, theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje më të konsoliduar të bazuar në të drejtat e njeriut ndaj të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke pasur parasysh ndryshimet kushtetuese që do të përfshijnë Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara si një instrument ndërkombëtar që do të zbatohet drejtpërdrejtë në Kosovë. Misioni i OSBE-së në Kosovë punon me organizatat e shoqërisë civile në suazat e angazhimit të vet afatgjatë për të përforcuar kontributet e sektorit të shoqërisë civile në jetën publike, dhe në funksion të rritjes së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të organizatave të shoqërisë civile me institucionet përkatëse. Misioni organizon Forumin e Shoqërisë Civile çdo vit që nga viti 2016.
Përmbyllet kampi rinor për restaurimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore në Pejë
Publishing date: 27 tetor 2023
Kampi pesëditor i të rinjve për restaurimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Pejës, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, për 10 studentë të arkitekturës, antropologjisë dhe fushave të ndërlidhura, u përmbyll më 27 tetor 2023.
Përmbyllet edicioni i 9-të i Akademisë së Dialogut për Gratë e Reja nga Prishtina dhe Beogradi i mbajtur në Strugë
Publishing date: 16 tetor 2023
Akademia e 9-të e Dialogut të OSBE-së për Gratë e Reja e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Serbi, përfundoi dje në Strugë, Maqedoni e Veriut.
Pjesëmarrëset e Akademisë së OSBE-së për Dialog përfundojnë vizitën studimore në Belfast
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Demokratizimi, Barazia gjinore, Rinia
Belfast dhe Prishtinë, 18 shtator 2023- Tetë studente, alumni të Akademisë së Dialogut të themeluar nga OSBE që bashkon gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi, përfunduan sot një vizitë studimi një javore në Irlandën e Veriut.
Misioni i OSBE-së i bashkon të rinjtë nga komunitete të ndryshme të Kosovës përmes sportit
Publishing date: 1 shtator 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e katërt të kampit multietnik të tenisit të organizuar në bashkëpunim me komunën e Graçanicës, duke mbledhur të rinj nga komunitete të ndryshme për ushtrime dhe lojëra. Në këtë edicion morën pjesë 20 të rinj nga komuniteti shqiptar, serb dhe ashkali të Kosovës nga komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Graçanicës. Të rinjtë mësuan rreth tenisit nën drejtimin e trajneres Marija Djordjevic dhe ushtruan për lojëra parakualifikuese në terrenet për lojëra të tenisit në Parkun e Gërmisë si dhe mësuan shkathtësitë e nevojshme të sportit, të cilat i treguan në ndeshjen finale në Graçanicë. Pas tri ndeshjeve finale, fituesit Marija Crvenković, Luka Filić dhe Viktor Radić u shpërblyen me medalje nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Graçanicës, Dušan Cvejić. "OSBE-ja prej kohësh është e përkushtuar në mbështetje të institucioneve në nxitjen e marrëdhënieve dhe dialogut më të mirë ndërmjet komuniteteve. Sporti është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar ura, për të rritur mirëkuptimin dhe për të promovuar respektin, duke sfiduar gjithashtu stereotipet”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport. Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić, falënderoi OSBE-në për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerësimin e përpjekjeve të komunës. “Komuna dëshmoi për të katërtin vit se qëndron për bashkëpunim. Mendojmë se mënyra më e mirë për të forcuar bashkëpunimin ndërkomunal është përmes të rinjve”. Drejtoresha e Qendrës Rinore në Obiliq, Zelushe Kelmendi, qendër që është pjesëmarrëse për të katërtin vit, theksoi se ky turne u mundëson të rinjve shoqërimin dhe thyerjen e barrierave ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Ky është viti i katërt radhazi që Misioni i OSBE-së mbështet kampin multietnik të tenisit, duke vazhduar me sukseset e viteve të mëparshme. Përveç ofrimit të një mundësie për një mjedis të shëndetshëm dhe mbështetës për lojtarët e rinj, kampi i ndihmon edhe në kapërcimin e barrierave gjuhësore dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Vë theks në fuqizimin e të rinjve përmes dialogut dhe aktiviteteve ndëretnike, duke njohur potencialin e tyre në promovimin e paqes dhe sigurisë.