Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbyll edicionin e gjashtë të Akademisë së të Rinjve
Misioni i OSBE-së përmbylli sot në Prishtinë edicionin e gjashtë të Akademisë së të Rinjve, duke shënuar kështu kulminacionin e një rrugëtimi transformues për 49 të rinj nga fusha e komunitete të ndryshme nga mbarë Kosova.
Gjatë pesë ditëve sa zgjati Akademia, këta pjesëmarrës të motivuar ishin pjesë e sesioneve të punëtorive mbi menaxhimin e ciklit të projekteve, diskutimeve në panel dhe ushtrimeve praktike në grup me tema të tilla si të drejtat e komuniteteve, sundimi i ligjit, të drejtat pronësore dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore. Ata u thelluan po ashtu në rolin e tyre si të rinj në avancimin e të drejtave të njeriut, vizituan objektet kulturore dhe fetare dhe morën pjesë në sesionet “World Café” për të drejtat e grave dhe kontributin e të rinjve në diversitet e gjithëpërfshirje, me folës nga institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe bota akademike, si dhe vizituan objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Një pjesë e madhe e punës sonë gjatë këtyre 25 viteve fokusohet në të drejtat e njeriut, përfshirjen e të rinjve në aktivizëm për të drejtat e njeriut, si dhe angazhimin e vetë të rinjve”, tha Kavya Rajan, Drejtuese e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në kuadër të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Këto janë edhe synimet thelbësore të Akademisë sonë për të Rinjtë, me synim përfundimtar fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e një rrjeti aktivistësh për të drejta të njeriut. Ishte frymëzuese të shihje pjesëmarrësit tanë teksa i zbatonin parimet e diversitetit, mospajtimit konstruktiv, por edhe këmbimeve mendjehapura në ndërveprimet e tyre gjatë këtyre ditëve,” shtoi ajo.
Për pjesëmarrësin Enes Topalli, trajnimet dhe diskutimet në të cilat mori pjesë do ta ndihmojnë atë si avokat i ardhshëm.
“Diskriminimi dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi ishin temat që më interesonin më së shumti. Ne mësuam shumë nga njëri-tjetri, respektuam perspektivat e njëri-tjetrit, ndërsa kjo do të më ndihmojë të zhvillohem si person, por edhe në aspektin profesional, dhe këtu qëndron bukuria e Akademisë së të Rinjve”, tha ai, duke shtuar se ka takuar të rinj nga komunitete të ndryshme dhe janë argëtuar shumë së bashku.
Misioni angazhoi edhe ekspertë të rinj nga programet e veta, si Grupi i Trajnuesve dhe Rjeti Alumni i Akademisë së Dialogut, disa prej tyre ish-pjesëmarrës të Akademisë së të Rinjve, duke siguruar kështu zhvillimin e tyre të vazhdueshëm dhe modelin pozitiv për pjesëmarrësit e këtij viti.
Edicioni i gjashtë përfundoi me prezantimin e ideve për projekte nga vetë pjesëmarrësit, të cilat reflektonin kreativitetin dhe përkushtimin e tyre për ndryshime pozitive dhe veprime konkrete.
Misioni i OSBE-së do t'i shqyrtojë këto ide për përkrahje të mundshme, dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me të rinjtë përmes zbatimit të tyre, shkëmbimit të mundësive të ardhshme për aktivizm në të drejtat e njeriut, si dhe angazhimit të ish-pjesëmarrësve të Akademisë së të Rinjve në edicionet e ardhshme të Akademisë si trajnerë.