Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese shpallin fituesit e konkursit për ankesat kushtetuese individuale
Publishing date: 14 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Arsimi, Rinia, Sundimi i ligjit
Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese shpallën sot fituesit e konkursit për hartimin ligjor të ankesave kushtetuese individuale. Në konkursin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese morën pjesë 27 studentë të drejtësisë nga universitete publike dhe shtetërore nga mbarë Shqipëria. Punimet e tyre u vlerësuan nga një komision i përbërë nga ish-gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese. Çmimet për fituesit u dhanë në një ceremoni, ku morën pjesë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Guido De Sanctis, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha dhe ish-anëtari i Gjykatës Përparim Kalo. Gjatë këtij viti, Prezenca zhvilloi trajnime për hartimin e ankesave kushtetuese individuale me 200 studentë të universiteteve publike të Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës. Projekti u mbështet në kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të bërë të njohur mekanizmin e ankesave kushtetuese individuale dhe për të trajtuar çështjet e cilësisë së dobët apo papranueshmërisë së ankesave. Reforma kushtetuese në drejtësi e vitit 2016, zgjeroi rrethin e subjekteve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në drejtim të ankimit kushtetues individual, duke mundësuar ankimet e individëve kundër çdo lloj akti të pushtetit publik që shkel të drejtat dhe liritë e tyre themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Masat ndaj trafikimit të personave nëpërmjet teknologjisë, në qendër të takimit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 14 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Ekspertë shqiptarë e të huaj u mblodhën sot, në Tiranë, për të diskutuar masat ndaj keqpërdorimit të teknologjisë nga trafikantët e qenieve njerëzorë ne Shqipëri. Tryeza u organizua nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të OSBE-së. Pjesëmarrësit nga agjencitë ligjzbatuese, prokuroritë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile folën për ndryshimet në legjislacionin vendas, përfshirë Mekanizmin Kombëtar të Referimit, në trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore të mundësuar përmes teknologjisë. Ata u ndalën veçanërisht te përmirësimet që mund të bëhen për të siguruar që platformat online të mos lehtësojnë veprimet e paligjshme të lidhura me trafikimin e personave, si dhe për të përshpejtuar komunikimin mes agjencive ligjzbatuese dhe kompanive teknologjike. Duke hapur takimin, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, tha: “Ju e dini nga raporte të shumta, përfshirë edhe kërkimet e vetë OSBE-së, se si teknologjitë moderne të komunikimit, si interneti, mediat sociale dhe aplikacionet, kanë ndryshuar vërtet mënyrën se si grupet e krimit të organizuar merren me trafikimin e qenieve njerëzore dhe trafikimin e migrantëve”. “Sot do të diskutoni jo vetëm për aspektet negative të teknologjisë moderne, por edhe për anët pozitive dhe mundësitë që ofron ajo. Do të njiheni me praktikat dhe efektet më të mira nga Shqipëria dhe vende të tjera të përdorimit të teknologjisë për të hetuar sa më mirë trafikimin e personave dhe për të identifikuar viktimat e trafikimit. Këto janë dy fusha ku Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është shumë e përkushtuar”, shtoi ajo. Në hapje të takimit folën edhe anëtari i Gjykatës së Lartë Sandër Simoni, Shefi i Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit Hergis Jica dhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike Igli Tafa. Veprimtaria ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera të Prezencës së OSBE-së për rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe shoqërisë civile në Shqipëri kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Prezenca e OSBE-së organizon vizitë studimore për zyrtarët shqiptarë në sistemin 41-bis të Italisë
Publishing date: 13 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Nga 5 deri më 9 dhjetor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë studimore për zyrtarë shqiptarë në Regjimin e Posaçëm 41-bis në Itali. Vizita ishte e para e këtij lloji, që pason zbatimin e Regjimit të Posaçëm në Shqipëri në vitin 2020, bazuar në modelin italian 41-bis. Regjimi i Posaçëm vendos një sërë kufizimesh mbi të burgosurit, ndaj, nëse aplikohet në mënyrë të papërshtatshme, mund të çojë në shkelje të të drejtave të njeriut. Delegacioni me 12 anëtarë kryesohej nga Drejtori i Policisë së Burgjeve Paulin Rajta dhe përbëhej nga Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë Klevis Qose; deputeti Denis Deliu, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe i Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut; Komisioneri për Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit Ahmet Prençi; Këshilltarja Ligjore / Drejtuesja e Projektit nga Prezenca e OSBE-së Alba Jorganxhi, dhe zyrtarë të lartë të burgjeve. Delegacioni shqiptar u prit nga gjyqtari Carlo Renoldi, Shef i Departamentit të Administratës së Burgjeve dhe nga Gjeneral Brigade z. Mauro D’Amico, Drejtor i Grupit Operativ të Lëvizshëm (Gruppo Operativo Mobile, GOM) në Ministrinë e Drejtësisë italiane, të cilët bashkorganizuan dhe bashkërenduan vizitën studimore. Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri për standardet më të mira vendase dhe ndërkombëtare mbi menaxhimin në përputhje me të drejtat e njeriut për të burgosurit me rrezikshmëri të lartë. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Policisë Italiane të Burgjeve në burgjet e vizituara. Programi përfshinte një vizitë në mjediset e seksionit 41-bis në Sassari dhe L'Aquila dhe një vizitë në Shkollën e Trajnimit të Burgjeve “Giovanni Falcone” në Romë, ku pjesëmarrësit u njohën me kurrikulën e trajnimit për personelin e burgjeve italiane. Vizita studimore ishte pjesë e projektit të Prezencës “Për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” dhe projektit me fonde jashtëbuxhetore “Përgjigjet ndaj terrorizmit në sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri në përputhje me shtetin e së drejtës” të financuar nga qeveria e Austrisë dhe ajo e Norvegjisë. Vizita studimore bazohet në mbështetjen e Prezencës për reformën e burgjeve në Shqipëri dhe përfshirjen e saj aktive në promovimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur. Në fillim të këtij viti, Prezenca hartoi dhe mbajti një modul trajnimi për personelin e burgjeve të regjimit të posaçëm. Në vitin 2021, ajo organizoi një seancë trajnimi të stafit të burgjeve të Regjimit të Posaçëm mbi menaxhimin në përputhje me të drejtat e njeriut të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa në vitin 2020, Prezenca përgatiti një raport vlerësimi të regjimit të posaçëm për të burgosurit e sigurisë së lartë në Shqipëri, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare dhe në funksion të nevojave specifike të të dënuarve. Përveç regjimit të posaçëm, Prezenca ka kontribuar në arritjet në sistemin penitenciar, duke ofruar mbështetje legjislative për paketën ligjore për sistemin penitenciar; duke punuar për Parandalimin dhe Luftën ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çon në Terrorizëm (P/CVERLT) në burgje dhe në shërbimin e provës; si edhe duke krijuar programin Master në Kriminologji në Universitetin e Tiranës.
Misioni i OSBE-së mbështet Policinë e Kosovës në çështjet e disiplinës dhe llogaridhënies
Publishing date: 25 nëntor 2022
Për të ndihmuar Policinë e Kosovës (PK) në përmirësimin e hetimeve të brendshme dhe kontrollin e evidencës penale, Misioni i OSBE-së mbështeti një vizitë studimore treditore për pesë menaxherë të lartë të Divizionit të Standardeve Profesionale të PK-së në Inspektoratin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë Kombëtare dhe Policinë Kombëtare të Francës në Paris.
OSBE-ja organizon trajnim rajonal me organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët për monitorimin dhe hetimin e përdorimit të fondeve publike nëpërmjet të dhënave të hapura
Publishing date: 25 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Office of the Co-ordinator of OSCE Economic and Environmental Activities
What we do: Liria dhe zhvillimi i medias
Më 24 dhe 25 nëntor, Zyra e Bashkërenduesit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilluan, në Tiranë, një trajnim rajonal dyditor për përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarë nga Evropa Juglindore. Trajnimi rriti kapacitetet teknike dhe nxiti diskutimet dhe shkëmbimin e njohurive për përdorimin e të dhënave të hapura në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë transparencës dhe mbikëqyrjes së proceseve të prokurimit publik.
Misioni i OSBE-së në Shkup promovoi studimin bazë për çështjet gjinore dhe diversitetin në gjyqësor
Publishing date: 18 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
What we do: Barazia gjinore, Sundimi i ligjit
Për të ndihmuar në adresimin e çështjeve të pabarazisë gjinore në sistemin e drejtësisë, Misioni i OSBE-së në Shkup kohët e fundit publikoi një studim bazë mbi Gjininë dhe Diversitetin në Gjyqësor. “Vetëm një gjyqësor transparent dhe gjithëpërfshirës mund të gëzojë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, gjë që do t'i mundësojë të kryejë plotësisht funksionin për mbrojtjen e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut. Sistemi gjyqësor duhet të pasqyrojë komunitetin të cilit i shërben, përfshirë gratë, pakicat dhe personat me aftësi të kufizuara,” tha zëvendës-shefi i Misionit, Jeffrey Goldstein në aktivitetin e sotëm për promovimin e studimit. “Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i barabartë i grave në gjyqësor rrit cilësinë e punës gjyqësore, arsyetimin e vendimeve gjyqësore, mbrojtjen e të drejtave njerëzore të grave, si dhe ofron rezultate më të mira të sektorit të drejtësisë për të gjithë.” Kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Pavlina Crvenkovska, duke folur në këtë ngjarje, tha: “Këshilli Gjyqësor synon të promovojë barazinë gjinore gjatë punësimeve të reja në gjyqësor, veçanërisht duke u fokusuar në bashkësitë etnike. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurojmë realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, të cilët janë pjesë e proceseve gjyqësore, në mënyrë që të elimonohen praktikat diskriminuese.” Misioni ka qenë prej kohësh i përfshirë në fushën e barazisë gjinore, mosdiskriminimit dhe reformës në drejtësi. Poashtu, kontribuoi në ngritjen e infrastrukturës legjislative dhe institucionale të Maqedonisë së Veriut në këtë fushë dhe ndihmoi qeverinë në hartimin e Ligjit për mundësi të barabarta të grave dhe burrave.
Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon vizita në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare për nxënësit e shkollave fillore
Publishing date: 15 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Rinia, Toleranca dhe mosdiskriminimi
Për t’i mësuar nxënësit e shkollave për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe fetare, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi katër vizita për mbi 130 nxënës të shkollave fillore dhe mësuesit e tyre në lokacione të ndryshme në Prizren. Qëllimi i vizitave ishte që nxënësit nga komunitete të ndryshme të fitojnë më shumë njohuri për trashëgiminë kulturore dhe fetare, si dhe të kuptojnë dhe vlerësojnë diversitetin. Nxënësit vizituan Xhaminë e Sinan Pashës, Kishën Ortodokse Serbe të Shën Gjergjit, Katedralen Katolike të Zojës Ndihmëtare, si dhe kompleksin memorial të Lidhjes së Prizrenit. Ata u informuan për historinë e këtyre monumenteve dhe vlerën e tyre për shoqërinë, si dhe për rëndësinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së objekteve kulturore dhe fetare të komuniteteve të ndryshme. “Ruajtja e trashëgimisë së pasur dhe të larmishme në mbarë Kosovën kërkon mbështetje nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, ndërsa përfshirja e të rinjve në këtë ka rëndësi të madhe. Shpresojmë që vizitat si këto do të ndihmojnë në angazhimin për ruajtjen e tyre”, tha Kavya Rajan, Drejtore e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë. Liridon Agushi, mësimdhënës i historisë në Shkollën Fillore Ismail Luma në Lipjan nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite studimore për familjarizimin e nxënësve me trashëgiminë e larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë. “Falënderojmë OSBE-në për organizimin e kësaj vizite, e cila është e para e këtij lloji për shkollën tonë, e që ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që të kuptojnë dhe promovojnë multikulturalizmin dhe respektin për njëri-tjetrin.” Misioni i OSBE-së ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni në vazhdimësi mbështet angazhimin për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë.