Prezenca e OSBE-së organizon vizitë studimore për zyrtarët shqiptarë në sistemin 41-bis të Italisë
Nga 5 deri më 9 dhjetor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë studimore për zyrtarë shqiptarë në Regjimin e Posaçëm 41-bis në Itali. Vizita ishte e para e këtij lloji, që pason zbatimin e Regjimit të Posaçëm në Shqipëri në vitin 2020, bazuar në modelin italian 41-bis. Regjimi i Posaçëm vendos një sërë kufizimesh mbi të burgosurit, ndaj, nëse aplikohet në mënyrë të papërshtatshme, mund të çojë në shkelje të të drejtave të njeriut.
Delegacioni me 12 anëtarë kryesohej nga Drejtori i Policisë së Burgjeve Paulin Rajta dhe përbëhej nga Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë Klevis Qose; deputeti Denis Deliu, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe i Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut; Komisioneri për Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit Ahmet Prençi; Këshilltarja Ligjore / Drejtuesja e Projektit nga Prezenca e OSBE-së Alba Jorganxhi, dhe zyrtarë të lartë të burgjeve.
Delegacioni shqiptar u prit nga gjyqtari Carlo Renoldi, Shef i Departamentit të Administratës së Burgjeve dhe nga Gjeneral Brigade z. Mauro D’Amico, Drejtor i Grupit Operativ të Lëvizshëm (Gruppo Operativo Mobile, GOM) në Ministrinë e Drejtësisë italiane, të cilët bashkorganizuan dhe bashkërenduan vizitën studimore.
Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri për standardet më të mira vendase dhe ndërkombëtare mbi menaxhimin në përputhje me të drejtat e njeriut për të burgosurit me rrezikshmëri të lartë. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Policisë Italiane të Burgjeve në burgjet e vizituara. Programi përfshinte një vizitë në mjediset e seksionit 41-bis në Sassari dhe L'Aquila dhe një vizitë në Shkollën e Trajnimit të Burgjeve “Giovanni Falcone” në Romë, ku pjesëmarrësit u njohën me kurrikulën e trajnimit për personelin e burgjeve italiane.
Vizita studimore ishte pjesë e projektit të Prezencës “Për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” dhe projektit me fonde jashtëbuxhetore “Përgjigjet ndaj terrorizmit në sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri në përputhje me shtetin e së drejtës” të financuar nga qeveria e Austrisë dhe ajo e Norvegjisë.
Vizita studimore bazohet në mbështetjen e Prezencës për reformën e burgjeve në Shqipëri dhe përfshirjen e saj aktive në promovimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur. Në fillim të këtij viti, Prezenca hartoi dhe mbajti një modul trajnimi për personelin e burgjeve të regjimit të posaçëm. Në vitin 2021, ajo organizoi një seancë trajnimi të stafit të burgjeve të Regjimit të Posaçëm mbi menaxhimin në përputhje me të drejtat e njeriut të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa në vitin 2020, Prezenca përgatiti një raport vlerësimi të regjimit të posaçëm për të burgosurit e sigurisë së lartë në Shqipëri, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare dhe në funksion të nevojave specifike të të dënuarve.
Përveç regjimit të posaçëm, Prezenca ka kontribuar në arritjet në sistemin penitenciar, duke ofruar mbështetje legjislative për paketën ligjore për sistemin penitenciar; duke punuar për Parandalimin dhe Luftën ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çon në Terrorizëm (P/CVERLT) në burgje dhe në shërbimin e provës; si edhe duke krijuar programin Master në Kriminologji në Universitetin e Tiranës.