Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së organizon vizitë studimore për zyrtarët shqiptarë në sistemin 41-bis të Italisë
Publishing date: 13 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Nga 5 deri më 9 dhjetor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë studimore për zyrtarë shqiptarë në Regjimin e Posaçëm 41-bis në Itali. Vizita ishte e para e këtij lloji, që pason zbatimin e Regjimit të Posaçëm në Shqipëri në vitin 2020, bazuar në modelin italian 41-bis. Regjimi i Posaçëm vendos një sërë kufizimesh mbi të burgosurit, ndaj, nëse aplikohet në mënyrë të papërshtatshme, mund të çojë në shkelje të të drejtave të njeriut. Delegacioni me 12 anëtarë kryesohej nga Drejtori i Policisë së Burgjeve Paulin Rajta dhe përbëhej nga Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë Klevis Qose; deputeti Denis Deliu, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe i Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut; Komisioneri për Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit Ahmet Prençi; Këshilltarja Ligjore / Drejtuesja e Projektit nga Prezenca e OSBE-së Alba Jorganxhi, dhe zyrtarë të lartë të burgjeve. Delegacioni shqiptar u prit nga gjyqtari Carlo Renoldi, Shef i Departamentit të Administratës së Burgjeve dhe nga Gjeneral Brigade z. Mauro D’Amico, Drejtor i Grupit Operativ të Lëvizshëm (Gruppo Operativo Mobile, GOM) në Ministrinë e Drejtësisë italiane, të cilët bashkorganizuan dhe bashkërenduan vizitën studimore. Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri për standardet më të mira vendase dhe ndërkombëtare mbi menaxhimin në përputhje me të drejtat e njeriut për të burgosurit me rrezikshmëri të lartë. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Policisë Italiane të Burgjeve në burgjet e vizituara. Programi përfshinte një vizitë në mjediset e seksionit 41-bis në Sassari dhe L'Aquila dhe një vizitë në Shkollën e Trajnimit të Burgjeve “Giovanni Falcone” në Romë, ku pjesëmarrësit u njohën me kurrikulën e trajnimit për personelin e burgjeve italiane. Vizita studimore ishte pjesë e projektit të Prezencës “Për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” dhe projektit me fonde jashtëbuxhetore “Përgjigjet ndaj terrorizmit në sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri në përputhje me shtetin e së drejtës” të financuar nga qeveria e Austrisë dhe ajo e Norvegjisë. Vizita studimore bazohet në mbështetjen e Prezencës për reformën e burgjeve në Shqipëri dhe përfshirjen e saj aktive në promovimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur. Në fillim të këtij viti, Prezenca hartoi dhe mbajti një modul trajnimi për personelin e burgjeve të regjimit të posaçëm. Në vitin 2021, ajo organizoi një seancë trajnimi të stafit të burgjeve të Regjimit të Posaçëm mbi menaxhimin në përputhje me të drejtat e njeriut të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa në vitin 2020, Prezenca përgatiti një raport vlerësimi të regjimit të posaçëm për të burgosurit e sigurisë së lartë në Shqipëri, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare dhe në funksion të nevojave specifike të të dënuarve. Përveç regjimit të posaçëm, Prezenca ka kontribuar në arritjet në sistemin penitenciar, duke ofruar mbështetje legjislative për paketën ligjore për sistemin penitenciar; duke punuar për Parandalimin dhe Luftën ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çon në Terrorizëm (P/CVERLT) në burgje dhe në shërbimin e provës; si edhe duke krijuar programin Master në Kriminologji në Universitetin e Tiranës.
Misioni i OSBE-së mbështet Policinë e Kosovës në çështjet e disiplinës dhe llogaridhënies
Publishing date: 25 nëntor 2022
Për të ndihmuar Policinë e Kosovës (PK) në përmirësimin e hetimeve të brendshme dhe kontrollin e evidencës penale, Misioni i OSBE-së mbështeti një vizitë studimore treditore për pesë menaxherë të lartë të Divizionit të Standardeve Profesionale të PK-së në Inspektoratin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë Kombëtare dhe Policinë Kombëtare të Francës në Paris.
OSBE-ja organizon trajnim rajonal me organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët për monitorimin dhe hetimin e përdorimit të fondeve publike nëpërmjet të dhënave të hapura
Publishing date: 25 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Office of the Co-ordinator of OSCE Economic and Environmental Activities
What we do: Liria dhe zhvillimi i medias
Më 24 dhe 25 nëntor, Zyra e Bashkërenduesit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilluan, në Tiranë, një trajnim rajonal dyditor për përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarë nga Evropa Juglindore. Trajnimi rriti kapacitetet teknike dhe nxiti diskutimet dhe shkëmbimin e njohurive për përdorimin e të dhënave të hapura në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë transparencës dhe mbikëqyrjes së proceseve të prokurimit publik.
Misioni i OSBE-së në Shkup promovoi studimin bazë për çështjet gjinore dhe diversitetin në gjyqësor
Publishing date: 18 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
What we do: Barazia gjinore, Sundimi i ligjit
Për të ndihmuar në adresimin e çështjeve të pabarazisë gjinore në sistemin e drejtësisë, Misioni i OSBE-së në Shkup kohët e fundit publikoi një studim bazë mbi Gjininë dhe Diversitetin në Gjyqësor. “Vetëm një gjyqësor transparent dhe gjithëpërfshirës mund të gëzojë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, gjë që do t'i mundësojë të kryejë plotësisht funksionin për mbrojtjen e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut. Sistemi gjyqësor duhet të pasqyrojë komunitetin të cilit i shërben, përfshirë gratë, pakicat dhe personat me aftësi të kufizuara,” tha zëvendës-shefi i Misionit, Jeffrey Goldstein në aktivitetin e sotëm për promovimin e studimit. “Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i barabartë i grave në gjyqësor rrit cilësinë e punës gjyqësore, arsyetimin e vendimeve gjyqësore, mbrojtjen e të drejtave njerëzore të grave, si dhe ofron rezultate më të mira të sektorit të drejtësisë për të gjithë.” Kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Pavlina Crvenkovska, duke folur në këtë ngjarje, tha: “Këshilli Gjyqësor synon të promovojë barazinë gjinore gjatë punësimeve të reja në gjyqësor, veçanërisht duke u fokusuar në bashkësitë etnike. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurojmë realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, të cilët janë pjesë e proceseve gjyqësore, në mënyrë që të elimonohen praktikat diskriminuese.” Misioni ka qenë prej kohësh i përfshirë në fushën e barazisë gjinore, mosdiskriminimit dhe reformës në drejtësi. Poashtu, kontribuoi në ngritjen e infrastrukturës legjislative dhe institucionale të Maqedonisë së Veriut në këtë fushë dhe ndihmoi qeverinë në hartimin e Ligjit për mundësi të barabarta të grave dhe burrave.
Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon vizita në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare për nxënësit e shkollave fillore
Publishing date: 15 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Rinia, Toleranca dhe mosdiskriminimi
Për t’i mësuar nxënësit e shkollave për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe fetare, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi katër vizita për mbi 130 nxënës të shkollave fillore dhe mësuesit e tyre në lokacione të ndryshme në Prizren. Qëllimi i vizitave ishte që nxënësit nga komunitete të ndryshme të fitojnë më shumë njohuri për trashëgiminë kulturore dhe fetare, si dhe të kuptojnë dhe vlerësojnë diversitetin. Nxënësit vizituan Xhaminë e Sinan Pashës, Kishën Ortodokse Serbe të Shën Gjergjit, Katedralen Katolike të Zojës Ndihmëtare, si dhe kompleksin memorial të Lidhjes së Prizrenit. Ata u informuan për historinë e këtyre monumenteve dhe vlerën e tyre për shoqërinë, si dhe për rëndësinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së objekteve kulturore dhe fetare të komuniteteve të ndryshme. “Ruajtja e trashëgimisë së pasur dhe të larmishme në mbarë Kosovën kërkon mbështetje nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, ndërsa përfshirja e të rinjve në këtë ka rëndësi të madhe. Shpresojmë që vizitat si këto do të ndihmojnë në angazhimin për ruajtjen e tyre”, tha Kavya Rajan, Drejtore e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë. Liridon Agushi, mësimdhënës i historisë në Shkollën Fillore Ismail Luma në Lipjan nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite studimore për familjarizimin e nxënësve me trashëgiminë e larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë. “Falënderojmë OSBE-në për organizimin e kësaj vizite, e cila është e para e këtij lloji për shkollën tonë, e që ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që të kuptojnë dhe promovojnë multikulturalizmin dhe respektin për njëri-tjetrin.” Misioni i OSBE-së ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni në vazhdimësi mbështet angazhimin për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë.
Misioni i OSBE-së në Shkup publikon kursin online mbi teknikat e gazetarisë hulumtuese digjitale
Publishing date: 15 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
Për të promovuar gazetarinë hulumtuese dhe për të ndihmuar profesionistët e medias të zhvillojnë aftësitë e tyre investigative digjitale në mënyrë që të mund të kryejnë kërkime më të plota për të nxjerrë në dritë faktet, Misioni i OSBE-së në Shkup publikoi një kurs elektronik më 15 nëntor 2022. Ky kurs elektronik ofron një sërë mjetesh për gazetarët që hetojnë korrupsionin ose raste të tjera të profilit të lartë me interes publik. Kursi përfshin një sërë mjetesh dhe teknikash të dobishme që do të ndihmojnë gazetarët hulumtues të gjejnë më shumë informacion në platforma të ndryshme online. Kursi do t'i ndihmojë gazetarët të planifikojnë një investigim, të kryejnë kërkime të suksesshme në internet nëpër platforma dhe të mbledhin informacion, të kryejnë intervista të suksesshme dhe të kompletojnë gjetjet e tyre. Gjithashtu, kursi përfshin shumë këshilla nga gazetarë me përvojë se si të hetojnë më detajisht. Ndërsa ky kurs elektronik është projektuar kryesisht për gazetarët hulumtues, veçanërisht ata që hetojnë rastet e korrupsionit, ai është gjithashtu i aplikueshëm për një audiencë më të gjerë gazetareske. Ne besojmë se kushdo që dëshiron të gërmojë më thellë në një temë mund të përfitojë nga mjetet, këshillat dhe teknikat e paraqitura në kursin falas të mësimit elektronik. Ju ftojmë të shikoni kursin, i cili është i disponueshëm në gjuhën angleze, maqedonase dhe shqipe.
Kërcënimet kibernetike, në fokus të sesioneve informuese të Prezencës së OSBE-së me shkollat në Shqipëri
Publishing date: 2 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Sajber/ TIK Siguri, Rinia
Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, nga 19 tetori deri më 2 nëntor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u takua me fëmijë, prindër, mësues, psikologë dhe punonjës socialë në shkolla për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit për kërcënimet kibernetike. Sesionet informuese, të zhvilluara në Korçë, Pogradec, Shkodër Malësi e Madhe, Rrëshen dhe Lezhë, synuan, gjithashtu, t’i ndihmonin të rinjtë të mbrohen online, ndërkohë që kërcënimet ndaj teknologjisë dhe të dhënave konfidenciale bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Prezenca i organizoi këto veprimtari në partneritet me Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK). Temat e diskutuara me 360 pjesëmarrës u përqendruan te kërcënimet me të cilat përballen qytetarët në internet, si bullizmi, përpjekja për të vjedhur të dhënave personale (phishing), joshja e të miturve, gjuha e urrejtjes, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi mes të rinjve, si edhe te mjetet e identifikimit të hershëm dhe të parandalimit të këtyre kërcënimeve. Në fokus u vendosën edhe rolet dhe përgjegjësitë e mësuesve, prindërve dhe të psikologëve të shkollave. Një nga pjesëmarrësit, Kledisa, 15 vjeç, nga Korça, u shpreh: “Falë këtij sesioni informues, fillova të mendoj dhe të kuptoj më mirë rëndësinë e të qenit të kujdesshëm dhe të të menduarit kritik kur lundrojmë në internet. Gjuha e dhunshme përmes internetit është me rrezik për miqtë tanë dhe shoqërinë – ne kemi qenë dëshmitarë të rasteve të tilla në mesin e shokëve tanë”. Mësuesit thanë se metodologjia ishte shumë interesante dhe e dobishme për punën e tyre me të rinjtë në të ardhmen, ndërsa prindërit vlerësuan informacionet për kontrollin prindëror dhe për përmirësimin e komunikimit me fëmijët për veprimtaritë e tyre në internet, pa i gjykuar ata. Në prill të vitit 2022, Prezenca e OSBE-së mbështeti AKCESK-un në organizimin e një kampi rajonal kibernetik me të rinj dhe profesionistë nga Ballkani Perëndimor. Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, përmes krijimit të një rrjeti, ku të rinjtë, institucionet dhe aktorët e tjerë mund të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat më të mira. Prezenca do të vijojë të punojë me AKCESK-un, Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për të shtuar njohuritë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet kibernetike te fëmijët, të rinjtë, prindërit, punonjësit e shkollave dhe grupe të tjera.