Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së në Shkup promovoi studimin bazë për çështjet gjinore dhe diversitetin në gjyqësor
Publishing date: 18 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
What we do: Barazia gjinore, Sundimi i ligjit
Për të ndihmuar në adresimin e çështjeve të pabarazisë gjinore në sistemin e drejtësisë, Misioni i OSBE-së në Shkup kohët e fundit publikoi një studim bazë mbi Gjininë dhe Diversitetin në Gjyqësor. “Vetëm një gjyqësor transparent dhe gjithëpërfshirës mund të gëzojë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, gjë që do t'i mundësojë të kryejë plotësisht funksionin për mbrojtjen e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut. Sistemi gjyqësor duhet të pasqyrojë komunitetin të cilit i shërben, përfshirë gratë, pakicat dhe personat me aftësi të kufizuara,” tha zëvendës-shefi i Misionit, Jeffrey Goldstein në aktivitetin e sotëm për promovimin e studimit. “Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i barabartë i grave në gjyqësor rrit cilësinë e punës gjyqësore, arsyetimin e vendimeve gjyqësore, mbrojtjen e të drejtave njerëzore të grave, si dhe ofron rezultate më të mira të sektorit të drejtësisë për të gjithë.” Kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Pavlina Crvenkovska, duke folur në këtë ngjarje, tha: “Këshilli Gjyqësor synon të promovojë barazinë gjinore gjatë punësimeve të reja në gjyqësor, veçanërisht duke u fokusuar në bashkësitë etnike. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurojmë realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, të cilët janë pjesë e proceseve gjyqësore, në mënyrë që të elimonohen praktikat diskriminuese.” Misioni ka qenë prej kohësh i përfshirë në fushën e barazisë gjinore, mosdiskriminimit dhe reformës në drejtësi. Poashtu, kontribuoi në ngritjen e infrastrukturës legjislative dhe institucionale të Maqedonisë së Veriut në këtë fushë dhe ndihmoi qeverinë në hartimin e Ligjit për mundësi të barabarta të grave dhe burrave.
Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon vizita në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare për nxënësit e shkollave fillore
Publishing date: 15 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Rinia, Toleranca dhe mosdiskriminimi
Për t’i mësuar nxënësit e shkollave për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe fetare, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi katër vizita për mbi 130 nxënës të shkollave fillore dhe mësuesit e tyre në lokacione të ndryshme në Prizren. Qëllimi i vizitave ishte që nxënësit nga komunitete të ndryshme të fitojnë më shumë njohuri për trashëgiminë kulturore dhe fetare, si dhe të kuptojnë dhe vlerësojnë diversitetin. Nxënësit vizituan Xhaminë e Sinan Pashës, Kishën Ortodokse Serbe të Shën Gjergjit, Katedralen Katolike të Zojës Ndihmëtare, si dhe kompleksin memorial të Lidhjes së Prizrenit. Ata u informuan për historinë e këtyre monumenteve dhe vlerën e tyre për shoqërinë, si dhe për rëndësinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së objekteve kulturore dhe fetare të komuniteteve të ndryshme. “Ruajtja e trashëgimisë së pasur dhe të larmishme në mbarë Kosovën kërkon mbështetje nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, ndërsa përfshirja e të rinjve në këtë ka rëndësi të madhe. Shpresojmë që vizitat si këto do të ndihmojnë në angazhimin për ruajtjen e tyre”, tha Kavya Rajan, Drejtore e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë. Liridon Agushi, mësimdhënës i historisë në Shkollën Fillore Ismail Luma në Lipjan nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite studimore për familjarizimin e nxënësve me trashëgiminë e larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë. “Falënderojmë OSBE-në për organizimin e kësaj vizite, e cila është e para e këtij lloji për shkollën tonë, e që ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që të kuptojnë dhe promovojnë multikulturalizmin dhe respektin për njëri-tjetrin.” Misioni i OSBE-së ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni në vazhdimësi mbështet angazhimin për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë.
Misioni i OSBE-së në Shkup publikon kursin online mbi teknikat e gazetarisë hulumtuese digjitale
Publishing date: 15 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
Për të promovuar gazetarinë hulumtuese dhe për të ndihmuar profesionistët e medias të zhvillojnë aftësitë e tyre investigative digjitale në mënyrë që të mund të kryejnë kërkime më të plota për të nxjerrë në dritë faktet, Misioni i OSBE-së në Shkup publikoi një kurs elektronik më 15 nëntor 2022. Ky kurs elektronik ofron një sërë mjetesh për gazetarët që hetojnë korrupsionin ose raste të tjera të profilit të lartë me interes publik. Kursi përfshin një sërë mjetesh dhe teknikash të dobishme që do të ndihmojnë gazetarët hulumtues të gjejnë më shumë informacion në platforma të ndryshme online. Kursi do t'i ndihmojë gazetarët të planifikojnë një investigim, të kryejnë kërkime të suksesshme në internet nëpër platforma dhe të mbledhin informacion, të kryejnë intervista të suksesshme dhe të kompletojnë gjetjet e tyre. Gjithashtu, kursi përfshin shumë këshilla nga gazetarë me përvojë se si të hetojnë më detajisht. Ndërsa ky kurs elektronik është projektuar kryesisht për gazetarët hulumtues, veçanërisht ata që hetojnë rastet e korrupsionit, ai është gjithashtu i aplikueshëm për një audiencë më të gjerë gazetareske. Ne besojmë se kushdo që dëshiron të gërmojë më thellë në një temë mund të përfitojë nga mjetet, këshillat dhe teknikat e paraqitura në kursin falas të mësimit elektronik. Ju ftojmë të shikoni kursin, i cili është i disponueshëm në gjuhën angleze, maqedonase dhe shqipe.
Kërcënimet kibernetike, në fokus të sesioneve informuese të Prezencës së OSBE-së me shkollat në Shqipëri
Publishing date: 2 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Sajber/ TIK Siguri, Rinia
Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, nga 19 tetori deri më 2 nëntor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u takua me fëmijë, prindër, mësues, psikologë dhe punonjës socialë në shkolla për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit për kërcënimet kibernetike. Sesionet informuese, të zhvilluara në Korçë, Pogradec, Shkodër Malësi e Madhe, Rrëshen dhe Lezhë, synuan, gjithashtu, t’i ndihmonin të rinjtë të mbrohen online, ndërkohë që kërcënimet ndaj teknologjisë dhe të dhënave konfidenciale bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Prezenca i organizoi këto veprimtari në partneritet me Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK). Temat e diskutuara me 360 pjesëmarrës u përqendruan te kërcënimet me të cilat përballen qytetarët në internet, si bullizmi, përpjekja për të vjedhur të dhënave personale (phishing), joshja e të miturve, gjuha e urrejtjes, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi mes të rinjve, si edhe te mjetet e identifikimit të hershëm dhe të parandalimit të këtyre kërcënimeve. Në fokus u vendosën edhe rolet dhe përgjegjësitë e mësuesve, prindërve dhe të psikologëve të shkollave. Një nga pjesëmarrësit, Kledisa, 15 vjeç, nga Korça, u shpreh: “Falë këtij sesioni informues, fillova të mendoj dhe të kuptoj më mirë rëndësinë e të qenit të kujdesshëm dhe të të menduarit kritik kur lundrojmë në internet. Gjuha e dhunshme përmes internetit është me rrezik për miqtë tanë dhe shoqërinë – ne kemi qenë dëshmitarë të rasteve të tilla në mesin e shokëve tanë”. Mësuesit thanë se metodologjia ishte shumë interesante dhe e dobishme për punën e tyre me të rinjtë në të ardhmen, ndërsa prindërit vlerësuan informacionet për kontrollin prindëror dhe për përmirësimin e komunikimit me fëmijët për veprimtaritë e tyre në internet, pa i gjykuar ata. Në prill të vitit 2022, Prezenca e OSBE-së mbështeti AKCESK-un në organizimin e një kampi rajonal kibernetik me të rinj dhe profesionistë nga Ballkani Perëndimor. Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, përmes krijimit të një rrjeti, ku të rinjtë, institucionet dhe aktorët e tjerë mund të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat më të mira. Prezenca do të vijojë të punojë me AKCESK-un, Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për të shtuar njohuritë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet kibernetike te fëmijët, të rinjtë, prindërit, punonjësit e shkollave dhe grupe të tjera.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet vizitën në Slloveni të gazetarëve që raportojnë për çështjet parlamentare
Publishing date: 1 nëntor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Njëmbëdhjetë gazetarë që mbulojnë Kuvendin nga media të ndryshme në Shqipëri dhe punonjës të Shërbimit të Komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë udhëtuan në Lubjanë, nga 27 deri më 29 tetor 2022, për të shkëmbyer përvojë me homologët sllovenë dhe për t’u njohur me praktikat e tyre më të mira. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me synimin për të mbështetur gazetarët në përmirësimin e cilësisë së punës së tyre, si dhe për ta afruar parlamentin me qytetarët. Të tilla vizita u zhvilluan edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Austri, gjatë muajve prill dhe shtator. Në Slloveni, pjesëmarrësit vizituan mjediset e parlamentit dhe u takuan me Sekretaren e Përgjithshme të parlamentit slloven dhe me drejtuesen e departamentit të komunikimit. Diskutimet u përqendruan te bashkëpunimi me median, raportimi parlamentar dhe afrimi te qytetarët përmes medias. Zyrtarët sllovenë iu përgjigjën pyetjeve për funksionet e parlamentit të Sllovenisë, punën e komisioneve parlamentare dhe marrëdhëniet e tyre me median. Gazetarët shqiptarë u takuan edhe me përfaqësues të kanalit televiziv publik slloven kushtuar çështjeve parlamentare, me përfaqësues të Shoqatës Sllovene të Gazetarëve dhe të Agjencisë Sllovene të Shtypit. Ata u njohën me funksionimin e këtyre strukturave, situatën e medias dhe marrëdhëniet e medias me parlamentin, qeverinë dhe subjektet politike. Në fund të takimeve, gazetarët diskutuan me stafin e Kuvendit dhe të Prezencës së OSBE-së për përvojën e fituar nga vizitat në të tria parlamentet. Ata propozuan organizimin e takimeve periodike për t’u njohur më në detaje me çështjet parlamentare dhe e ftuan Prezencën të vijojë të japë mbështetjen e saj. Vizita u organizua si pjesë e projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Prezenca e OSBE-së dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Misioni i OSBE-së trajnon zyrtarët e ri policorë rreth parandalimit të dhunës në familje
Publishing date: 21 tetor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Barazia gjinore, Policimi, Sundimi i ligjit
Më 21 tetor, Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli serinë prej pesë punëtorish mbi parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje për 144 zyrtarë të sapoemëruar të Policisë së Kosovës (PK).
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe KQZ-ja nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit për forcimin e kapaciteteve të administratës zgjedhore, intensifikimin e bashkëpunimit
Publishing date: 17 tetor 2022
Content type: News
Më 17 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi rreth intensifikimit të bashkëpunimit për forcimin e kapaciteteve të KQZ-së me synim kryerjen e veprimtarisë së saj në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet më të mira ndërkombëtare. “Kjo marrëveshje simbolizon bashkëpunimin e fortë dhe të vazhdueshëm mes Prezencës së OSBE-së dhe KQZ-së. KQZ-ja ka qenë prej vitesh një nga partnerët kryesorë dhe më të besuar të Prezencës dhe për këtë arsye mbështetja ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë ndër përparësitë tona gjatë gjithë mandatit tim. Tri shkronjat e shkurtimit të KQZ-së duhet të lexohen ndryshe si Qëndrueshmëri, Efikasitet dhe Besueshmëri [në anglisht CEC: Consistency, Efficiency and Credibility]”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në fjalën e mbajtur në këtë veprimtari. Ai shtoi se një administratë zgjedhore e paanshme, e mirëpërgatitur dhe e mirëpajisur është thelbësore për integritetin e proceseve zgjedhore. “Në këtë kontekst, Prezenca është e gatshme që ta ndihmojë KQZ-në për përballimin e sfidave të lidhura me përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm”, tha ai. Në kuadër të reformës zgjedhore, Del Monaco theksoi se Prezenca e vlerëson rifillimin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe e nxiti atë të adresojë rekomandimet ende të patrajtuara të OSBE/ODIHR-it përmes një procesi të konsultuar gjerësisht. Ai tha se nga pikëpamja teknike dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, koha po shkurtohet gjithnjë e më shumë që ndryshimet thelbësore ligjore të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shprehu mirënjohjen për Prezencën e OSBE-së dhe e falënderoi ambasadorin Del Monaco për angazhimin e tij dhe vijueshmërinë e mbështetjes ndaj KQZ. “Jemi në fazë të rëndësishme të marrëdhënieve institucionale mes KQZ-së dhe OSBE-së dhe ky memorandum është konfirmimi i bashkëpunimit që KQZ-ja dhe Prezenca e OSBE-së kanë pasur deri tani. Besoj se do të kemi këtë nivel bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Kemi akoma shumë për të bërë, zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore janë shumë afër ndaj mbështetja e OSBE-së si një nga partnerët tanë të rëndësishëm do të ketë rolin e vet në miradministrimin e procesit zgjedhore”, tha Komisioneri Celibashi. Marrëveshja e nënshkruar sot përbën një themel të fortë për të ecur përpara me veprime dhe ndërhyrje të prekshme në një sërë fushash kyçe. Këto përfshijnë mbështetjen për KQZ-në për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ato që rrjedhin nga rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë; fuqizimin e kapaciteteve të saj profesionale për administrimin e zgjedhjeve, duke përfshirë aftësitë e trajnimit dhe të kontakteve informuese me votues; si edhe bashkimin e forcave për një bashkërendim më të mirë të asistencës ndërkombëtare për çështjet zgjedhore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka ofruar mbështetje të vazhdueshme autoriteteve shqiptare, përgjatë viteve, me qëllim realizimin e proceseve të reformës zgjedhore në mënyrë të dakordësuar, gjithëpërfshirëse dhe në kohë, si dhe ofrimin e asistencës teknike për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve.