Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Shkolla e Magjistraturës nis kursin e ri për legjislacionin mjedisor, zhvilluar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Publishing date: 26 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Arsimi, Mirëqeverisja, Rinia
Më 25 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës zhvilluan një ceremoni të përbashkët për të paraqitur një kurs të ri kushtuar legjislacionit mjedisor dhe mekanizmave detyrues për zbatim në mbrojtjen e mjedisit. Kursi semestral, pjesë e kurrikulës të formimit fillestar për studentët e magjistraturës, fokusohet tek aspektet penale, administrative dhe civile të legjislacionit mjedisor ndërkombëtar dhe vendas. Ai u hartua nga një ekip ekspertësh vendas dhe të huaj i krijuar nga Prezenca e OSBE-së. Në hapje të veprimtarisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, tha: “Kursi i ri do të fuqizojë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm që të jenë katalizatorë për ndryshime pozitive, duke siguruar që pasuritë natyrore të Shqipërisë të mbrohen dhe ruhen për brezat që do të vijnë”. Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, falënderoi Prezencën e OSBE-së për mbështetjen në hartimin e kursit dhe njoftoi se kursi është miratuar nga bordi i shkollës dhe do të nisë zbatimin gjatë këtij viti akademik. Duke marrë parasysh shqetësimet në rritje për shkelje dhe krime të organizuara ndaj mjedisit, kursi i ri do të mbështesë rritjen e kapaciteteve e prokurorëve dhe magjistratëve të ardhshëm për të trajtuar si duhet rastet mjedisore dhe për të sjellë autorët para drejtësisë. Kursi do t’i pajisë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm me njohuritë dhe mjetet për të adresuar sfidat mjedisore, për të nxitur zbatimin e ligjeve mjedisore dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që kërkojnë drejtësi në çështjet mjedisore. Kjo gjë do të çojë në rritjen e efektivitetit të reagimit të agjencive të zbatimit të ligjit ndaj kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore. Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështetë institucionet në përmirësimin e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri. Sigurimi i ekspertizës ndërkombëtare dhe kombëtare për zhvillimin e këtij kursi u mundësua në kuadër të projektit me financim të jashtëm “ Rritja e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore ”, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen financiare të Norvegjisë, Francës dhe Italisë.
Misioni i OSBE-së publikoi Udhëzuesin për raportim nga gjykata për gazetarët në Kosovë
Publishing date: 21 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Liria dhe zhvillimi i medias, Sundimi i ligjit
Prishtinë, 21 shtator 2023 – Misioni i OSBE-së publikoi sot një sërë udhëzimesh për raportim nga gjykata, për t’i ndihmuar gazetarët në Kosovë në punën e tyre dhe për të kontribuar në gazetarinë e përgjegjshme dhe të informuar. Udhëzuesi ofron mbështetje gjithëpërfshirëse për gazetarët që mbulojnë sistemin gjyqësor në Kosovë dhe nënvizon konsideratat etike dhe ligjore në raportimin mbi gjyqësorin.
Prezenca e OSBE-së Shqipëri organizoi Forumin IX vjetor për Zhvillimin e Medias
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi më 18 shtator 2023, edicionin e nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me sigurinë e gazetarëve, legjislacioni që prek mediat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e mediave në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend. “Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion,” tha ai. Në hapje të takimit folën edhe Adea Pirdeni, Zv.ministrja e Drejtësisë, Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasador Luigi Soreca, I ngarkuar me punë ad interim, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, dhe Giulia Re, Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Sesioni i dytë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore që lindin për shkak të përdorimit të zgjeruar të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në media në ditët e sotme. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve si mjet për luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e gazetarisë profesionale. Gjatë Forumit u mbajt një ceremoni e veçantë, gjatë së cilës u shpallën edhe fituesit e konkursit vjetor të Prezencës së OSBE-së për verifikimin e fakteve. Ata janë: Arbjona Çibuku nga Citizens Channel për artikullin e saj "Pylli orbital i Tiranës". Esmeralda Cenollari nga Faktoje.al për shkrimin e saj tërheqës "Bajpasi i Vlorës". Ilda Koçi, po ashtu nga Faktoje.al, për shkrimin e saj mendjemprehtë “Të gjitha rrugët e Shijakut të çojnë në Park, një faturë 40 milionë lekë për parkun që nuk ekziston!”. Konkursi i sivjetshëm u përqendrua në verifikimin e fakteve dhe përdorimin e të dhënave nga burime të hapura, përkrahjen e gazetarisë së bazuar në fakte, si dhe promovimin e përdorimit të të dhënave me burim publik dhe të aftësive solide për mbledhjen e lajmeve.
Pjesëmarrëset e Akademisë së OSBE-së për Dialog përfundojnë vizitën studimore në Belfast
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Demokratizimi, Barazia gjinore, Rinia
Belfast dhe Prishtinë, 18 shtator 2023- Tetë studente, alumni të Akademisë së Dialogut të themeluar nga OSBE që bashkon gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi, përfunduan sot një vizitë studimi një javore në Irlandën e Veriut.
Misioni i OSBE-së i bashkon të rinjtë nga komunitete të ndryshme të Kosovës përmes sportit
Publishing date: 1 shtator 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e katërt të kampit multietnik të tenisit të organizuar në bashkëpunim me komunën e Graçanicës, duke mbledhur të rinj nga komunitete të ndryshme për ushtrime dhe lojëra. Në këtë edicion morën pjesë 20 të rinj nga komuniteti shqiptar, serb dhe ashkali të Kosovës nga komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Graçanicës. Të rinjtë mësuan rreth tenisit nën drejtimin e trajneres Marija Djordjevic dhe ushtruan për lojëra parakualifikuese në terrenet për lojëra të tenisit në Parkun e Gërmisë si dhe mësuan shkathtësitë e nevojshme të sportit, të cilat i treguan në ndeshjen finale në Graçanicë. Pas tri ndeshjeve finale, fituesit Marija Crvenković, Luka Filić dhe Viktor Radić u shpërblyen me medalje nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Graçanicës, Dušan Cvejić. "OSBE-ja prej kohësh është e përkushtuar në mbështetje të institucioneve në nxitjen e marrëdhënieve dhe dialogut më të mirë ndërmjet komuniteteve. Sporti është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar ura, për të rritur mirëkuptimin dhe për të promovuar respektin, duke sfiduar gjithashtu stereotipet”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport. Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić, falënderoi OSBE-në për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerësimin e përpjekjeve të komunës. “Komuna dëshmoi për të katërtin vit se qëndron për bashkëpunim. Mendojmë se mënyra më e mirë për të forcuar bashkëpunimin ndërkomunal është përmes të rinjve”. Drejtoresha e Qendrës Rinore në Obiliq, Zelushe Kelmendi, qendër që është pjesëmarrëse për të katërtin vit, theksoi se ky turne u mundëson të rinjve shoqërimin dhe thyerjen e barrierave ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Ky është viti i katërt radhazi që Misioni i OSBE-së mbështet kampin multietnik të tenisit, duke vazhduar me sukseset e viteve të mëparshme. Përveç ofrimit të një mundësie për një mjedis të shëndetshëm dhe mbështetës për lojtarët e rinj, kampi i ndihmon edhe në kapërcimin e barrierave gjuhësore dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Vë theks në fuqizimin e të rinjve përmes dialogut dhe aktiviteteve ndëretnike, duke njohur potencialin e tyre në promovimin e paqes dhe sigurisë.
Përmbyllet edicioni i 3-të i “Artfest,” mbajtur në Mitrovicën e Jugut me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë
Publishing date: 3 gusht 2023
“Artfest”, një festival treditor i artit dhe i të drejtave të njeriut për të rinjtë, i organizuar nga OJQ-ja Hapësina Shoqnore për Dekonstruksion (HSD) dhe i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, u përmbyll më 30 korrik 2023 në Mitrovicën e Jugut. Festivali, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së për të tretin vit radhazi, mblodhi më shumë se 200 fëmijë dhe të rinj të komuniteteve të ndryshme në rajonin e Mitrovicës. Gjatë festivalit, fëmijët dhe të rinjtë shprehën vizionin e tyre për një shoqëri gjithëpërfshirëse përmes krijimtarive të tyre me argjilë, vizatime, qepje, pikturim fytyrash dhe duke marrë pjesë në punëtori për ndërtimin e paqes. Gjithashtu, fëmijët dhe të rinjtë morën pjesë në aktivitete muzikore si dhe vizituan ekspozitën në Shoqatën e të Shurdhërve, “Mbishkrimi i Përkujdesit” ("Inscribing Care"), të artistes serbe Dunja Karanoviq. “Artfest ka bërë bashkë komunitetet e ndryshme përmes artit, të papenguar nga strukturat sociale dhe me bashkëpunime të mirëfillta ndërmjet komuniteteve. Ndonëse organizim formal, ndjesia e krijuar në Artfest është gjithëpërfshirëse dhe që të gjithë, fëmijë, prindër, studentë, gra, burra e të moshuar e kanë gjetur veten si pjesë përbërëse të këtij edicioni”, tha Besart Peci, aktivist i shoqërisë civile dhe një nga pjesëmarrësit. “Krijimet artistike nxjerrin në pah imagjinatën e fëmijëve dhe kjo është ajo çfarë mund ta arrijmë. Kjo e ka bërë më të bukur qytetin dhe jetën në përgjithësi”, ka shtuar ai. Me vullnetarë nga e tërë Evropa dhe nga OJQ-të lokale si HSD, Handikos, Bonevet, Community Building Mitrovica dhe Local Peace, festivali ofroi një mundësi unike për dialog dhe shkëmbim ndërmjet komuniteteve. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Promovon në mënyrë aktive qasjen gjithëpërfshirëse për të dëgjuar zërat e të rinjve dhe punon drejt zhvillimit të shkathtësive të të rinjve në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, vullnetarizmi, ngritja e vetëbesimit, të menduarit kritik, kohezioni social dhe dialogu.
OSBE, UNHCR, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, rrisin përpjekjet për t’i dhënë fund pashtetësisë
Publishing date: 19 korrik 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
Misioni i OSBE-së në Shkup, së bashku me Përfaqësinë e UNHCR në Maqedoninë e Veriut, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive nisën me punëtorinë rajonale që synon të mbështesë shtetin në përpjekjet për t’i dhënë fund pashtetësisë.