Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës kthim prapa në çështjen e integrimit dhe sundimit të ligjit në Mitrovicë, thekson raporti i Misionit të OSBE-së
Publishing date: 9 shkurt 2024
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
PRISHTINË, 9 shkurt 2024- Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi sot raportin mbi ndikimin e dorëheqjes masive të vitit 2022 të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativ serb të Kosovës nga sistemi i drejtësisë në rajonin e Mitrovicës.
OSBE-ja organizon hakatonin e parë kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri
Publishing date: 7 shkurt 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Office of the Special Representative and Co-ordinator for Combating Trafficking in Human Beings
What we do: Combating trafficking in human beings, Sajber/ TIK Siguri
Tridhjetë përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile u angazhuan në hakatonin e parë kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri – një trajnim aktiv ku ata punuan së bashku për të zbuluar trafikimin e qenieve njerëzore në internet dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve, më 6 dhe 7 shkurt 2024. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Zyrën e Përfaqësuesit Special dhe Koordinatorit të OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Nën drejtimin e ekspertëve ndërkombëtarë, mentorë në teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike, pjesëmarrësit nga policia, shërbimet sociale, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe organizatat e shoqërisë civile u angazhuan në zhvillimin e mjeteve për zbulimin e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual në internet. “Teknologjia mund të zhvillohet dhe të përdoret edhe për të ndihmuar në luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore në mjedisin online. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shohim mundësi përtej sfidave dhe pikërisht ky është qëllimi i këtij trajnimi novator”, tha Clarisse Pasztory, Kryetare në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila foli në sesionin e hapjes krahas drejtorit të AKCESK-ut, Igli Tafa. Qëllimi i hakatonit ishte rritja e ndërgjegjësimit për mënyrat se si keqpërdoret teknologjia në Shqipëri për të shfrytëzuar viktimat, veçanërisht fëmijët. Ai synoi, gjithashtu, të identifikonte platformat dhe faqet e internetit që janë veçanërisht të ekspozuara ndaj rreziqeve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe të ofronte një pasqyrë se si shfrytëzohen ato nga trafikantët. Përveç kësaj, hakatoni shërbeu për të ngritur një rrjet ekspertize për të adresuar trafikimin e qenieve njerëzore përmes teknologjisë duke përdorur metodologjinë e të mësuarit duke punuar, që i jep përparësi procesit të të nxënit përkundrejt teorisë dhe duke testuar njohuritë dhe kapacitetet e pjesëmarrësve në një mjedis të drejtpërdrejtë online për të zbuluar faqet e internetit dhe platformat e mediave sociale që rekrutojnë viktima për shfrytëzim seksual.
Forcimi i gazetarisë së pavarur në Maqedoninë e Veriut
Publishing date: 3 shkurt 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
What we do: Liria dhe zhvillimi i medias, Sundimi i ligjit
Së bashku me Shoqatën e Gazetarëve (SHGM) dhe partnerët tanë të tjerë, Misioni i OSBE-së në Shkup mbetet i palëkundur në përkushtimin e tij për të mbështetur gazetarinë e cilësisë së lartë.
Organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të pushtetit vendor e qendror shkëmbejnë praktikat më të mira në rritjen e ndërgjegjësimit për armët e zjarrit, gjatë vizitës në Kroaci organizuar nga Prezenca e OSBE-së
Publishing date: 2 shkurt 2024
Dhjetë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit zhvilluan një vizitë në Zagreb të Kroacisë, më 30 dhe 31 janar 2024, për të shkëmbyer praktikat dhe strategjitë më të mira gjatë hartimit e zbatimit të nismave ndërgjegjësuese lidhur me armët e zjarrit, në nivelin vendor dhe kombëtar. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e projektit të saj “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca. Delegacioni shqiptar pati mundësinë të mësonte nga përvoja e gjerë e Kroacisë dhe strategjitë e saj të qëndrueshme për rritjen e ndërgjegjësimit për rrezikun dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit. Ata u takuan me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të Kroacisë, Qendrës për Ekzaminime Mjeko-Ligjore, Qendrës Informative për Parandalim dhe Stacionit Policor Velika Gorica. Ata vizituan edhe Kryqin e Kuq në Zagreb dhe qendrën e tij për vullnetarë dhe të rinj, ku u njohën me nisma të ndryshme ndërgjegjësuese dhe parandaluese për rrezikun e armëve, me fokus të rinjtë. “Kjo vizitë shkëmbimi ishte një përvojë e dobishme për ne, për të parë se si zbatohen fushatat ndërgjegjësuese për armët e zjarrit, në kontekstin e Kroacisë. Pas vizitës, në bashkëpunim me projektin e Prezencës së OSBE-së, do të zhvillojmë një plan për zbatimin e veprimtarive informuese në komunitetet tona”, tha Ervin Muço, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Social në Bashkinë Elbasan. Strategjia e Rritjes së Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e Armëve të Vogla e të Lehta, e hartuar së fundmi, vë në pah se Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike dhe organizatat e shoqërisë civile janë partnerë të pozicionuar mirë, veçanërisht në mesin e grupeve të synuara të vështira për t’u arritur. Këshillat Vendorë dhe organizatat e përzgjedhura, që ishin pjesë e vizitës në Kroaci, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e konceptualizimit të strategjisë. Po ashtu, ata kanë shprehur vullnetin e tyre për të bashkëpunuar me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në veprimtaritë ndërgjegjësuese, në nivel vendor dhe kombëtar në Shqipëri, që do të zbatohen si pjesë e projektit të OSBE-së për armët e vogla e të lehta. “Kjo është një platformë e jashtëzakonshme, e cila synon të bashkojë përfaqësuesit e Këshillave Vendorë, shoqërisë civile, Ministrisë dhe Policisë përgjatë realizimit të këtyre veprimtarive. Ne besojmë se kjo është arritja e parë në forcimin e bashkëpunimit midis këtyre aktorëve të rëndësishëm, në procesin e rritjes së përpjekjeve ndërgjegjësuese të qeverisë, në dobi të qytetarëve shqiptarë”, tha Xhenis Ballço, specialiste vendase e projektit në Prezencën e OSBE-së. Organizimi i vizitës u mbështet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe nga Kryqi i Kuq në Zagreb.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon vizitë studimore në Sllovaki për zyrtarë të mjedisit dhe të zbatimit të ligjit
Publishing date: 31 janar 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Environmental good governance
Zyrtarë të mjedisit dhe të zbatimit të ligjit zhvilluan një vizitë studimore në Sllovaki me fokus inspektimin mjedisor dhe hetimin e krimeve mjedisore, më 30 dhe 31 janar 2024. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, si pjesë e përpjekjeve të saj për të rritur kapacitetet kombëtare në adresimin e sfidave të lidhura me qeverisjen dhe sigurinë mjedisore. Gjatë takimeve me homologët sllovakë, delegacioni prej 11 anëtarësh u njoh me standardet vendase dhe ndërkombëtare për sigurinë mjedisore dhe hetimin e krimit mjedisor në Sllovaki. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Njësisë Sllovake të Krimit Mjedisor, struktura e saj policore prej 200 oficerësh të policisë së krimit mjedisor dhe bashkërendimi i tyre ndërinstitucional. Delegacioni u prit nga zyrtarë të Departamentit për Zbulimin e Substancave të Rrezikshme dhe Krimin Mjedisor në policinë sllovake, Prokurorisë, Ministrisë së Mjedisit, autoriteteve doganore, Inspektoratit Shtetëror dhe Ministrisë së Bujqësisë së Sllovakisë. “Përafrimi i legjislacionit të krimit mjedisor është në një fazë të përparuar në Shqipëri. Megjithatë, zbatimi i tij kërkon një qasje të bashkërenduar strategjike mes institucioneve të ndryshme, ngritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës të punonjësve dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik”, tha Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani. Vizita studimore ishte pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Për rritjen e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri", i cili financohet nga Italia, Franca dhe Norvegjia. Vitin e kaluar, Prezenca zhvilloi një kurrikulë të re për legjislacionin mjedisor për Shkollën e Magjistraturës dhe mbështeti një vlerësim të nevojave për trajnime për të gjitha institucionet që merren me sigurinë mjedisore.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri paraqet gjetjet paraprake të anketës për qeverisjen mjedisore dhe të vlerësimit të nevojave për trajnim
Publishing date: 20 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Environmental good governance
Qeverisja mjedisore efektive dhe funksionale mbështetet në ekspertizën e gjerë teknike të institucioneve dhe angazhimin proaktiv publik. Duke njohur aspektet e ndërlikuara të sfidave mjedisore, Prezenca e OSBE-së po punon me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të respektimit të standardeve mjedisore për të forcuar kapacitetet e tyre teknike për trajtimin e shkeljeve mjedisore dhe për të rritur rolin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen mjedisore. Në këtë kontekst, si pjesë e përpjekjeve të saj të vazhdueshme, Prezenca e OSBE-së ka drejtuar punën për hartimin e dy dokumenteve të rëndësishme: një anketë e hapur për qeverisjen mjedisore dhe një vlerësim i nevojave për trajnim në të gjithë zinxhirin institucional që trajton shkeljet mjedisore. Më 19 dhjetor 2023, Prezenca prezantoi dhe diskutoi gjetjet paraprake të të dyja raporteve me 30 pjesëmarrës nga sfera të ndryshme, si prokurorë, inspektorë mjedisorë, zyrtarë policorë, nëpunës civilë dhe organizata të shoqërisë civile. Përmes këtij diskutimi teknik, u shtjelluan dhe thelluan më tej gjetjet paraprake, të cilat do të orientojnë dhe mbështesin punën e Prezencës për hartimin e programeve të posaçme të avancuara për trajnimin e institucioneve, si dhe për të ndërmarrë fushatat e ndërgjegjësimit publik për mjedisin. Në hapje të veprimtarisë, kreu i Departamentit për Qeverisjen në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Aleksandar Maskovic, tha: “Temat e diskutuara këtu do të ndihmojnë për të formësuar programet e ardhshme të trajnimit dhe, gjithashtu, do të kontribuojnë në zhvillimin e një strategjie të fuqishme dhe të bashkërenduar midis të gjitha palëve të interesuara.” Anila Leka, prokurore e Prokurorisë së Përgjithshme, nënvizoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të prokurorëve për shkeljet mjedisore, në përputhje me përpjekjet për rishikimin e të gjithë kodit penal të Shqipërisë. Anketa mbi qeverisjen mjedisore tregoi se 86% e të anketuarve kanë interes të lartë për të kontribuar për qeverisjen mjedisore në Shqipëri. Ndër të tjera, anketa trajtoi çështje të tjera të rëndësishme, si kryqëzimi i shkeljeve mjedisore me korrupsionin dhe gjininë. Rezultatet e sondazhit do të mbështesin Prezencën dhe palët e tjera të interesuara për të hartuar dhe zhvilluar fushata mjedisore të posaçme. Vlerësimi i nevojave për trajnim nënvizon rëndësinë e programeve sistematike të trajnimit për nëpunësit civilë të institucioneve që merren me shkeljet mjedisore. Ai hedh dritë mbi situatën aktuale, identifikon boshllëqet në njohuri dhe aftësi dhe përfundimisht u hap rrugën ndërhyrjeve strategjike që do të fuqizojnë palët përkatëse të interesuara në përpjekjet e tyre për të luftuar me efektivitet shkeljet mjedisore. Anketa dhe vlerësimi i nevojave për trajnim janë zhvilluar në kuadër të projektit me financim të jashtëm “Forcimi i qeverisjes dhe i sigurisë mjedisore në Shqipëri”, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe mbështetur nga qeveritë e Norvegjisë, Francës dhe Italisë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon shkëmbimet ndërmjet organizatave të shoqërisë civile përmes Forumit të Shoqërisë Civile
Publishing date: 15 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Mirëqeverisja, Rinia
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e 7-të të Forumit të përvitshëm të Shoqërisë Civile, platformë kjo që i mbledh organizatat e shoqërisë civile për t’i trajtuar sfidat dhe çështjet me të cilat përballen dhe për të lehtësuar shkëmbimet konstruktive ndërmjet tyre. Në edicionin e sivjetmë morën pjesë rreth 80 përfaqësues dhe aktivistë të organizatave të shoqërisë civile nga mbarë vendi që veprojnë në një gamë të gjerë fushash. Në kuadër të paneleve në përbërje të ekspertëve, pjesëmarrësit diskutuan rreth zhvillimeve në lidhje me kornizën ligjore për rininë, si dhe rolin e organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave tjera të të drejtave të njeriut në raport me monitorimin e zbatimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Diskutimet u fokusuan edhe në nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse drejt një roli më të fortë të organizatave të shoqërisë civile në shoqëri. “Aktivizmi dinamik qytetar në të gjitha nivelet është shtyllë themelore e demokracisë dhe zhvillimit social, dhe organizatat e shoqërisë civile janë në pozitë që t'i mbajnë organet qeveritare përgjegjëse për veprimet e tyre”- tha ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Gjithashtu, organizatat lokale, pra ato që janë më së afërmi qytetarëve, kanë potencialin që të dalin me zgjidhje të reja për problemet ekzistuese, duke i angazhuar aktivisht pushtetin lokal dhe banorët”, shtoi ai. Gjatë diskutimeve, organizatat rinore dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit konfirmuan sërish angazhimin e tyre për zhvillimin e vazhdueshëm të kornizës më të gjerë për rininë. Tani që Projektligji për rininë është në Kuvend, pjesëmarrësit theksuan nevojën për një proces të hapur dhe transparent konsultimesh në suazat e hartimit të akteve nënligjore përkatëse, proces ky që pritet të fillojë pas miratimit të Ligjit. Krejt në fund, Strategjia për Rininë për vitet 2024-2032 dhe plani gjegjës trevjeçar i veprimit vazhdojnë të përbëjnë dokumentet kyçe të politikave rinore që duhen finalizuar, e që do të vendosin kornizat për zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë të sektorit të rinisë. Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar fuqishëm ndaj këtyre proceseve dhe mbështetjes së palëve të përfshira në to. Më tej, Afrim Maliqi, drejtor i HandiKos, theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje më të konsoliduar të bazuar në të drejtat e njeriut ndaj të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke pasur parasysh ndryshimet kushtetuese që do të përfshijnë Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara si një instrument ndërkombëtar që do të zbatohet drejtpërdrejtë në Kosovë. Misioni i OSBE-së në Kosovë punon me organizatat e shoqërisë civile në suazat e angazhimit të vet afatgjatë për të përforcuar kontributet e sektorit të shoqërisë civile në jetën publike, dhe në funksion të rritjes së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të organizatave të shoqërisë civile me institucionet përkatëse. Misioni organizon Forumin e Shoqërisë Civile çdo vit që nga viti 2016.