Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së prezanton Udhëzuesin për punë efektive të Mekanizmave Komunal kundër Dhunës në Familje
Publishing date: 17 maj 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë prezantoi të mërkurën Udhëzuesin për Punë Efektive të Mekanizmave Koordinues Komunal kundër Dhunës në Familje (MKKDHF), një mjet për të lehtësuar reagimin më efektiv dhe më të koordinuar ndaj rasteve të dhunës në familje. MKKDHF-të synojnë të forcojnë bashkërendimin, shkëmbimin e informacionit dhe angazhimin e të gjithë akterëve përkatës në nivel lokal. Ato përbëhen nga përfaqësues të gjykatave dhe prokurorive, Policisë së Kosovës, drejtorive përkatëse komunale, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Qendrave për Punë Sociale, strehimoreve lokale për viktimat e dhunës në familje dhe organizatave të shoqërisë civile. Udhëzuesi mbulon bazën ligjore dhe qëllimin e MKKDHF-ve dhe lehtëson një qasje të koordinuar shumë-institucionale, e cila përfshin mbledhjen e të dhënave, raportimin, trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për anëtarët e MKKDHF-ve. “Ne të gjithë e kuptojmë se sa e rëndësishme është të punojmë së bashku për të parandaluar dhe trajtuar problemin e dhunës në familje. MKKDHF-të, si organe koordinuese në nivel lokal, janë një hap në drejtimin e duhur,” tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Udhëzuesi i publikuar sot duhet të shërbejë si një mjet praktik për të ndihmuar anëtarët të rrisin më tej efikasitetin e MKKDHF-ve përmes kuptimit më të mirë të roleve dhe përgjegjësive të tyre,” shtoi Ambasadori Davenport. Udhëzuesi është pjesë e një projekti të mbështetur nga Qeveria Franceze, dhe është hartuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë pas vlerësimit të nevojave, takimeve të gjera me anëtarë të MKKDHF-ve, trajnimeve dhe punëtorive. Ambasadori francez, Olivier Guerot, tha se Franca promovon zbatimin universal të Konventës së Stambollit si pjesë e përpjekjeve të saj në kuadër të diplomacisë feministe. “Financimi i këtij aktiviteti të OSBE-së është pjesë e promovimit të Konventës së Stambollit dhe zbatimit të saj. Ky është një mjet i shkëlqyer për të lehtësuar zbatimin praktik të Konventës dhe ne kishim kënaqësinë të mbështeteshim në përvojën dhe ekspertizën e Misionit të OSBE-së në Kosovë,” tha Guerot. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se “lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave kërkon një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të mirë-koordinuar të të gjitha institucioneve dhe agjencive të përfshira në çdo rast që nga momenti i raportimit deri tek fuqizimi i viktimës dhe mundësimi i një jete të dinjitetshme, të pavarur dhe pa dhunë.” Deri më sot, gjithsej 33 MKKDHF janë themeluar në shumicën e komunave të Kosovës, 20 prej tyre me mbështetjen e Misionit të OSBE-së. Me 18 maj 2023, Misioni i OSBE-së do të mbështesë themelimin e MKKDHF-së të 34-të në Shtërpcë. Udhëzuesin në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe angleze mund ta gjeni këtu: Guidelines for Effective Performance of Municipal Coordination Mechanisms Against Domestic Violence (MCMDVs) | OSCE
Zgjedhjet vendore në Shqipëri përgjithësisht të mirëadministruara, por të karakterizuara nga polarizimi i vazhdueshëm dhe mungesë vëmendjeje tek çështjet lokale
Publishing date: 15 maj 2023
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights
What we do: Zgjedhjet
Tiranë, 15 maj 2023 – Zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri përgjithësisht ishin të mirëadministruara, konkurruese dhe u zhvilluan me pjesëmarrjen e forcave kryesore politike të vendit, por procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis dy partive politike kryesore në vend dhe nga ndarje të thella mes opozitës, u shprehën vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë sot. Garuesit mundën të zhvillonin fushatë lirisht, por çështjet me rëndësi për komunitetet lokale u shfaqën shumë pak në fushata. Rastet e keqpërdorimit të burimeve publike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal, pretendimet për presion mbi votuesit dhe punonjësit e sektorit publik, në veçanti, si dhe për blerjen e votave ishin shqetësuese, u shprehën vëzhguesit.
Misioni i OSBE-së nis sesione informuese me të rinj të komuniteteve jo-shumicë për t'iu bashkuar Policisë së Kosovës
Publishing date: 11 maj 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Policimi, Sundimi i ligjit
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti dje në Graçanicë takimin e parë nga gjithsej gjashtë sa do të mbahen me të rinj të komuniteteve jo-shumicë për t'i informuar ata rreth mundësive të punësimit në Policinë e Kosovës dhe për t'i njoftuar me procedurat e rekrutimit. Takimet do të zhvillohen së bashku me policinë në rajone të ndryshme në mbarë Kosovën dhe po mbahen në mbështetje të fushatës së Policisë së Kosovës për rekrutim. Në këto sesione, pjesëmarrësit do të mësojnë për procedurat e aplikimit për t'ju bashkuar policisë, duke u përqendruar veçanërisht në kriteret e rekrutimit dhe procesin e përzgjedhjes, përfshirë edhe testet me shkrim, ato fizike dhe psikologjike. Ata do të mësojnë edhe për trajnimin bazik profesional të policisë dhe për rëndësinë e punës së policisë për të kontribuar për komunitetet të cilave u shërbejnë. “Edhe pse korniza ligjore ofron mbrojtje adekuate dhe përfshirje të barabartë të të gjitha komuniteteve në radhët e policisë, përfshirja e komuniteteve jo-shumicë mbetet sfidë për policinë”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Një forcë policore diverse dhe përfaqësuese i shërben më mirë publikut. E përgëzojmë Policinë e Kosovës për përpjekjet e saj për t’iu qasur të gjitha komuniteteve, duke ofruar informacion të dorës së parë dhe përgjigjur pyetjeve, dhe duke i motivuar njerëzit që të bëhen pjesë e saj për të ofruar siguri për komunitetet e ndryshme të Kosovës”, shtoi ai. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtën dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Përveç trajnimeve të specializuara dhe mundësive zhvillimore për policinë, Misioni punon me Policinë e Kosovës për të shtuar edhe më tej pjesëmarrjen e komuniteteve jo-shumicë dhe grave në radhët e saj. Një video mesazh nga Ambasadori Davenport në mbështetje të kësaj fushate mund ta shikoni këtu: (1) Facebook
“Si të shoh? – Kosovë:” OSBE dhe DokuFest bashkojnë të rinjtë nga komunitete të ndryshme përmes kampit të shkëmbimit ndërkulturor
Publishing date: 8 maj 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me DokuFest-in, e kanë përmbyllur më 7 maj 2023 kampin e shkëmbimit ndërkulturor tetëditor si pjesë e nismës "Si të shoh? – Kosovë” (“How do I see you? – Kosovo). Aktiviteti bashkoi 14 të rinj nga komunitete, zona dhe prejardhje të ndryshme, me qëllim që të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe së bashku të zbërthejnë paragjykimet që mund të ndikojnë në dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Aktiviteti ka përfshirë vizita kulturore në mbarë Kosovën, takime me organizata që promovojnë shkëmbimet kulturore dhe dialogun, dhe eksplorim të edukimit medial dhe filmik si mjete për të shkëmbyer përvoja dhe për të tejkaluar dallimet. Pjesëmarrësit patën mundësinë që të sfidojnë pikëpamjet e tyre fillestare se çfarë do të thotë të jetosh në shoqëri shumëkulturore. Ata iu referuan kampit si mundësi e shkëlqyeshme për të njohur më mirë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, dhe për të zbuluar pasurinë e të qenit shoqëri e larmishme dhe gjithëpërfshirëse. “Falë kësaj mundësie, pata rastin të njihem me të rinj tjerë nga komunitete të ndryshme. Kemi shkëmbyer ide dhe pikëpamje dhe çka është më e rëndësishmja, e kemi ndarë këtë përvojë së bashku. Së bashku zbuluam vende të reja dhe u takuam me njerëz frymëzues. Tani mezi pres t'u them të gjithë miqve të mi se sa i mrekullueshëm ishte ky rrugëtim”, tha Doruntina Azemi, njëra nga pjesëmarrësit. Emre Ismaili, një tjetër pjesëmarrës, tha: “Ky kamp na ka bërë që t’i vlerësojmë nuancat e diversitetit”. Si rezultat i këtij aktiviteti, gjatë festivalit të filmit DokuFest i cili do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht 2023 në Prizren, do të organizohet ekspozitë me materiale audio dhe video nga intervistat e pjesëmarrësve me njëri-tjetrin. Këto intervista përqendrohen në këndvështrimet e tyre rreth dialogut ndërmjet dhe brenda komuniteteve, duke ilustruar rrugëtimin e tyre dhe “si e shohin ata njëri-tjetrin”. Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte nga mbështetësit e parë të DokuFestit që nga viti 2002, i cili përveç vetë festivalit punon edhe me të rinjtë në kinematografi për të zhvilluar produksionet e tyre personale kreative mbi dialogun dhe tregimet për të drejtat e njeriut.
Misioni i OSBE-së dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi diskutojnë me zyrtarët komunalë në Kosovë rreth balancimit të së drejtës për privatësi me të drejtën për qasje në dokumente publike
Publishing date: 25 prill 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) përmbyllën serinë e pesë punëtorive rajonale mbajtur për më shumë se 100 zyrtarë komunalë nga komunat anembanë Kosovës me temë balancimi i së drejtës për privatësi dhe qasja në dokumente publike. Diskutimet u fokusuan në sfidat që kanë të bëjnë me të dhënat personale të përfshira në dokumentet komunale, të cilat rrezikojnë të zbulohen në procesin e sigurimit të qasjes në të dhënat zyrtare. Pjesëmarrësit prezantuan raste konkrete që dalin nga situata të tilla si publikimi i listave të subvencioneve mjekësore komunale dhe qasja në të dhënat e mbledhura përmes kamerave të vëzhgimit të hapësirave publike. Paneli, i përbërë nga ekspertë të AIP-së, trajtoi pyetjet, duke u ofruar zyrtarëve komunalë përgjigje se si të merren me balancimin e të drejtës për privatësi dhe drejtës për qasjes në informacione publike. Kryetarja e AIP-së, Komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku, tha: “Ekziston një vijë e hollë ndërmjet të drejtës për privatësi dhe qasjes në dokumente publike, e cila nuk është gjithmonë lehtësisht e dallueshme. Prandaj, balancimi i këtyre dy të drejtave është i një rëndësie jetike në vendosjen e standardeve të qarta dhe të sakta, bazuar në praktikat më të mira të zbatimit të këtyre të drejtave.” Komisionerja Sogojeva-Dermaku ftoi pjesëmarrësit që të promovojnë publikimin proaktiv të informatave zyrtare në ueb-faqet e tyre dhe caktimin e zyrtarëve komunalë për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilët ende mungojnë në një numër komunash. Për të përsosur kuptimin e kësaj detyre të ndjeshme, z. Ali Topalli, zyrtar komunal përgjegjës për qasje në të dhënat zyrtare në komunën e Fushë Kosovës sugjeroi që AIP të shpjegojë balancimin e të drejtës për privatësi dhe qasjen në dokumente publike edhe për palën tjetër në këtë proces, kërkuesin e informacionit: publikun e gjerë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. “Kjo do t'i ndihmojë ata të kuptojnë të gjithë procesin dhe të përmbahen nga parashtrimi i ankesave në situatat kur iu mohohet qasja në informacione zyrtare për të mbrojtur të dhënat personale të një individi,” tha ai. Duke përdorur të dhënat e mbledhura nga këto punëtori, Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me AIP-në, do të hartojë ‘Pyetjet e Bëra Shpesh’ (në gjuhën angleze "FAQ") për balancimin e privatësisë dhe qasjes në dokumente publike, të cilat do t'u shërbejnë zyrtarëve komunalë si një mjet udhëzues në situatat që lindin nga raporti konfliktual midis të drejtës për privatësi dhe qasjes në të dhëna. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbështet AIP-në në promovimin e të drejtës për privatësi dhe qasje në dokumentet publike dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve publikë, duke garantuar në këtë mënyrë transparencë më të madhe ndaj publikut dhe duke siguruar njëkohësisht që të drejtat e tyre të privatësisë të mos shkelen në këtë proces.
ODIHR hap misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri
Publishing date: 7 prill 2023
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights
What we do: Zgjedhjet
Tiranë, 7 prill 2023 – Zyra e OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) sot hapi një mision vëzhgimi të zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri, pas një ftese nga autoritetet kombëtare.
Prezenca e OSBE-së mundëson bashkëpunimin mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Demokriti” të Trakës
Publishing date: 5 prill 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Sundimi i ligjit
Më 4 prill 2023, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti “Demokriti” i Trakës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, të mundësuar nga Prezenca e OSBE-së, në mjediset e universitetit grek. Memorandumi i mirëkuptimit synon të rregullojë bashkëpunimin mes dy universiteteve për shkëmbimin e dijeve dhe teknologjisë, përmes programeve dhe kërkimit të aplikuar, veçanërisht në fushën e kriminologjisë. Po ashtu, ai parashikon shkëmbime të stafit akademik dhe teknik, shkëmbimin e studentëve, stazhe dhe specializime, organizimin e vizitave studimore, seminare, konferenca, botime dhe veprimtari të ndryshme shkencore. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili nënshkroi marrëveshjen me homologun e tij grek Dr. Fotios Maris, tha: “Vlerësojmë që, së bashku me Prezencën e OSBE-së, si mbështetëse e disa nismave të ndërmarra së fundmi, ky bashkëpunim do të ndikojë më tej në përmirësimin e veprimtarive akademike, në mbështetje të studentëve dhe të personelit të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Ky fakultet luan një rol të veçantë, ndër të tjera, në drejtim të ecurisë të reformës në drejtësi dhe në zhvillimin e strategjive dhe veprimtarive në luftën kundër krimit në përgjithësi, krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti, që ndikohen edhe nga rritja e kapaciteteve nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar”. Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit “Për ngritjen e një programi master në kriminologji”, i cili mbështetet financiarisht nga Byroja e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit. Prezenca e OSBE-së e zbaton këtë projekt në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Menaxherja e projektit, Alba Jorganxhi, tha: “Prezenca mbështet bashkëpunimin mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Demokriti” të Trakës për të rritur kapacitetet kërkimore të profesionistëve shqiptarë të drejtësisë penale, akademikëve dhe politikëbërësve në parandalimin dhe luftën kundër krimit. Bashkëpunimi rajonal në fushën akademike dhe atë të kriminologjisë mundëson arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut”. Në veprimtari morën pjesë edhe dy zëvendësrektorët e Universitetit “Demokriti” të Trakës, dekanët e fakulteteve të drejtësisë të të dyja universiteteve, si dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik. Ajo u pasua nga takime të përbashkëta me profesorë e studentë të Universitetit “Demokriti”. Programi Master në Kriminologji – i krijuar në dhjetor 2020 me nismën dhe mbështetjen e Prezencës së OSBE-së – u mundëson studentëve të eksplorojnë ndërlidhjet mes krimit, drejtësisë dhe shoqërisë, në kontekst krahasues, si edhe promovimin e drejtësisë restauruese për viktimat dhe përgjigjet me në qendër viktimat. Kurrikulumi i tij gjithëpërfshirës dhe i integruar mundëson karrierën në fusha të ndryshme të sistemit të drejtësisë. Përmes programit master, Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri në identifikimin e shkaqeve rrënjësore të krimit.