Zgjedhjet vendore në Shqipëri përgjithësisht të mirëadministruara, por të karakterizuara nga polarizimi i vazhdueshëm dhe mungesë vëmendjeje tek çështjet lokale
Tiranë, 15 maj 2023 – Zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri përgjithësisht ishin të mirëadministruara, konkurruese dhe u zhvilluan me pjesëmarrjen e forcave kryesore politike të vendit, por procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis dy partive politike kryesore në vend dhe nga ndarje të thella mes opozitës, u shprehën vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë sot. Garuesit mundën të zhvillonin fushatë lirisht, por çështjet me rëndësi për komunitetet lokale u shfaqën shumë pak në fushata. Rastet e keqpërdorimit të burimeve publike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal, pretendimet për presion mbi votuesit dhe punonjësit e sektorit publik, në veçanti, si dhe për blerjen e votave ishin shqetësuese, u shprehën vëzhguesit.
Vëzhguesit theksuan se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) punoi në mënyrë transparente dhe efikase, megjithëse zëvendësimi i shpeshtë i anëtarëve të komisioneve të niveleve të ulëta nga partitë nominuese ndikoi negativisht në stabilitetin e këtyre komisioneve. Rregullat për mbulimin e fushatës nga transmetuesit favorizojnë fuqimisht partitë kryesore dhe përdorimi i shpeshtë i përmbajtjeve të parapërgatitura nga partitë në programet e lajmeve dëmtoi mbulimin gjithëpërfshirës dhe objektiv të fushatës, theksohet në deklaratë.
"Ndërsa liritë themelore u respektuan dhe fushata ishte konkuruese, polarizimi ndërmjet dy forcave më të mëdha politike në vend si dhe presionet ndaj votuesve dhe blerja e votës ishin shqetësuese”, u shpreh Ambasadorja Audrey Glover, e cila kryeson Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. “Ne i urojmë Shqipërisë shumë sukses në zgjidhjen e çështjeve që kemi identifikuar dhe u kërkojmë aktorëve politikë të punojnë në emër të të gjithë qytetarëve për ta sjellë zhvillimin e zgjedhjeve plotësisht në linjë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet për zgjedhje demokratike.
Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, por u ndikua negativisht nga raste të shumta të ndërhyrjeve partiake në proces, votimi në grup mjaft i përhapur, problemet me fshehtësinë e votës si dhe probleme teknike dhe proceduriale, veçanërisht në fillim të ditës. Numërimi i votave përgjithësisht u vlerësua pozitivisht.
Liritë themelore të tubimit dhe të shprehjes u respektuan përgjithësisht. Gara për kryetar bashkie mori vëmendje më të madhe sesa ajo për zgjedhjen e këshillave vendore, në një fushatë ku votuesve iu dha një zgjedhje e dallueshme. Fushata e dukshme, por jo e bujshme, përqëndrohej rreth partive të mëdha dhe kryetarëve të tyre kombëtarë si dhe përfshinte retorikë dhe stil kundërvënës, më tepër sesa përqendrim te kandidatët dhe çështjet lokale, në dëm të demokracisë vendore.
“Përgëzojmë mënyrën paqësore në të cilën u zhvilluan zgjedhjet. Megjithatë, çështjet e ngritura prej një kohe të gjatë nga Kongresi përfshinë vështirësitë teknike dhe proceduriale në ditën e zgjedhjeve, përfaqësimin e ulët të femrave si kandidate ashtu edhe në administrimin e zgjedhjeve, mungesën e aksesit në qendrat e votimit për votuesit me nevoja të veçanta”, u shpreh Steëart Dickson, kreu i Delegacionit të Kongresit për Autoritetet Vendore dhe Rajonale i Këshillit të Europës. “Për më tepër, zgjedhjet vendore duhet të jenë një mjet për qytetarët që të vendosin prioritetet e tyre për çështjet lokale, nëpërmjet votës si dhe për ata për të cilët votojnë, gjë që fatkeqësisht, ashtu si edhe në rastet e mëparshme, nuk ndodhi në këto zgjedhje”.
“Na erdhi mirë të shihnim që partitë opozitare vendosën të merrnin pjesë këtë herë, duke mundësuar votën demokratike, pavarësisht nga disa vëzhgime që treguan se kishte mungesë të pjesëmarrjes në fushën e lojës gjatë fushatës zgjedhore”, theksoi Sven Simon, kreu i Delegacionit të Parlamentit European. “Përqafimi gjithnjë e më shumë i vlerave demokratike si dhe plotësimi i reformave të domosdoshme e të shumëpritura, sipas rekomandimeve të formuluara nga komunitetit ndërkombëtar, do t’i japë Shqipërisë argumenta thelbësorë në mbështetje të pranimit në BE”.
Megjithëse ndryshimet e vitit 2020 në kuadrin ligjor zgjedhor sollën masa mbrojtëse shtesë kundër keqpërdorimit të burimeve publike për qëllime fushate, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi se kjo dispozitë zbatohet vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe pati aktivitete të shumta, si nga qeveria kombëtare ashtu edhe nga administratat lokale që binin ndesh me një rregull të ri që ndalonte autoritetet të siguronin përfitime të reja në katër muajt para ditës së zgjedhjeve. Shpesh, nuk kishte dallim të qartë ndërmjet aktiviteteve zyrtare dhe atyre të fushatës.
Zgjedhjet në përgjithësi u menaxhuan mirë nga administrata zgjedhore, megjithëse u vunë re disa vonesa në aspektet teknike të procesit dhe emërimin e komisioneve në nivelet e ulta. Vëzhguesve iu tha se kishte rritje të transparencës dhe hapjes në vendimmarrjen e KQZ-së.
Ndonëse i larmishëm, mjedisi mediatik karakterizohet nga probleme sistemike, duke përfshirë përqendrimin e pronësisë dhe kontrollit të medias të ushtruar nga interesa të ndërthurura të biznesit dhe politikës, që ndikojnë në lirinë e medias dhe praktikën gazetareske.
Rregullat për mbulimin mediatik të zgjedhjeve nga transmetuesit, bazuar në përfaqësimin aktual të partive në parlament, u ofrojnë partive kryesore parlamentare një avantazh mjaft të rëndësishëm/domethënës. Monitorimi i medias tregoi se mbulimi i fushatës u përqendrua tek kryetarët e partive kombëtare dhe kandidatët për kryetar të Bashkisë së Tiranës, me vëmendje të kufizuar për çështjet me rëndësi për nivelin vendor.
Kuadri ligjor zgjedhor ofron një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, duke përfshirë edhe nivelin vendor. Ndërsa një numër i rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it dhe Kongresit janë përmbushur në vitin 2020, shumë të tjera mbeten për t’u zbatuar.
Trembëdhjetë nga 17 ministrat e qeverisë dhe 50 nga 140 deputetë të parlamentit (35 për qind) janë femra. Ligji parashikon një kuotë gjinore prej 50 për qind dhe përcakton kriteret për vendosjen në listat e kandidatëve për këshilltarë, të cilat jo gjithmonë janë respektuar. Për më tepër, vetëm 15 nga 144 kandidatët për kryetar bashkie ishin femra. Megjithëse Kodi Zgjedhor parashikon një kuotë gjinore prej 30 për qind, femrat janë të nënpërfaqësuara në të gjithë administratën zgjedhore, veçanërisht në pozicionet vendimmarrëse.