Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon një ekspozitë ku prezantohen vepra arti të të rinjve lidhur me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe përballjen me të kaluarën
Një ekspozitë artesh figurative e mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të qëndrojë e hapur nga data 5 deri në 12 qershor 2017 në Galerinë e Artit FAB, duke prezantuar veprat më të mira të përzgjedhura nga Prezenca e OSBE-së prej punimeve të studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve Tiranë, lidhur me temat e Radikalizmit dhe Përballjes me Të Kaluarën.
Ekspozita ka për synim t’i nxisë të rinjtë që ta përdorin artin për të reflektuar rreth këtyre dy temave të aktualitetit në vend.
Tema e Radikalizmit ka të bëjë me përpjekjet parandaluese të OSBE-së për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që çon në terrorizëm, duke nxitur dialogun rreth këtyre fenomeneve, veçanërisht mes të rinjve.
Tema e dytë e Përballjes me të Kaluarën ka për synim që të rrisë vëmendjen e shoqërisë shqiptare ndaj dialogut rreth regjimit totalitar që e sundoi vendin gjatë viteve 1944-1990 dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut të shkaktuara prej tij, si dhe ta nxisë dhe më tej këtë dialog.
Ekspozita drejtohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Ambasadës Italiane, si dhe nga Universiteti i Arteve dhe Galeria e Artit FAB në Tiranë. Me mbështetjen e Ambasadës Italiane do të botohet një katalog përmbledhës i veprave të artit të prezantuara në këtë ekspozitë.