Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut ishin konkurruese, por u ndikuan negativisht nga mangësitë ligjore dhe polarizimi politik: vëzhguesit ndërkombëtarë
SHKUP, 20 tetor 2025 – Fushata në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut ishte konkurruese dhe votuesit kishin një gamë të gjerë alternativash politike për të zgjedhur, por ata u ndikuan negativisht nga boshllëqet dhe mangësitë sistematike ligjore në mbikëqyrjen e financave të fushatës, si dhe nga polarizimi politik dhe zhgënjimi i thellë publike me politikën, thanë vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë sot.
Misioni i përbashkët i vëzhgimit nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës (Kongresi), dhe Parlamenti Evropian (PE) konstatoi se, edhe pse kuadri ligjor ofron bazë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, ai përmban boshllëqe të shumta dhe i mungon qartësia në shumë fusha. Në të njëjtën kohë, ndryshimet ligjore të vitit të kaluar morën parasysh disa rekomandime të ODIHR-it, por lane të pa adresuar shumicën e rekomandimeve të mëparshme.
“Ishte mirë të shihnim gjatë javëve të fundit një fushatë konkurruese dhe dje një ditë zgjedhore të administruar siç duhet dhe kryesisht të qetë, por mangësitë në ligjet zgjedhore, të cilat dobësojnë punën e institucioneve, mbeten shqetësuese,” tha Matteo Mecacci, Shef i Misionit të ODIHR-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. “Trajtimi i aspekteve kyçe të procesit zgjedhor që kërkojnë reformë—nga financimi i fushatës deri te mundësitë e barabarta të fushatës në media për të gjithë garuesit—do të vazhdojë të jetë në qendër të punës sonë, përfshirë edhe gjatë vëzhgimit të raundit të dytë të garave më 2 Nëntor.”
Liritë themelore u respektuan gjatë gjithë fushatës dhe kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë të lirshme. Në të njejtën kohë, pa e shkelur ligjin, kryetarët e komunave dhe zyrtarët e lartë qeveritarë inaguruan, vizituan ose promovuan investime dhe projekte infrastrukturore si para, ashtu edhe gjatë periudhës zyrtare të fushatës, duke dobësuar garancitë ligjore për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Gjithashtu ishin shqetësuese raportet për presion të pretenduar ndaj punonjësve të sektorit publik dhe frikësim të votuesve dhe kandidatëve të opozitës, si dhe blerje votash nga partitë politike.
Rreth 1.72 milionë qytetarë me vendbanim të përhershëm në vend kishin të drejtë vote. Administrata zgjedhore i menaxhoi përgatitjet në mënyrë efikase dhe në përgjithësi gëzoi besimin e publikut. Megjithatë, u shprehën disa shqetësime lidhur me pavarësinë e saj, pasi ajo përbëhet kryesisht nga nëpunës publikë. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, megjithëse u vunë re disa mangësi në procedura, të tilla si votimi në grup dhe ndërhyrja e panevojshme nga përfaqësuesit e kandidatëve.
Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në jetën publike dhe politike. Përderisa ligji përcakton një kuotë gjinore prej 40 për qind për listat e kandidatëve, vetëm 32 nga 309 kandidatë për kryetarë të komunave ishin gra. Diskutimet për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave kryesisht mungonin në fushatë. Vëzhguesit vunë re shqetësime lidhur me retorikën seksiste kundër kandidateve gra dhe pjesëmarrjes politike të grave në përgjithësi, veçanërisht online.
Ne e mirëpresim faktin që dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e organizuar mirë”, tha Gobnait Ni Mhuimhneachain, Shefe e Delegacionit nga Kongresi i Këshillit të Evropës. “Megjithatë, numri i ulët i kandidateve gra për kryetare bashkie dhe mungesa e aksesit për votuesit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit mbeten shqetësime serioze. Mungesa e medias lokale, veçanërisht jashtë kryeqytetit, është gjithashtu një problem i madh, duke kufizuar mbulimin e çështjeve lokale - të cilat duhet të jenë qendrore për një fushatë zgjedhore lokale - dhe duke kontribuar në spikatje të temave kombëtare, duke polarizuar më tej mjedisin zgjedhor.”
Boshllëqet sistematike në kuadrin ligjor që rregullojnë financimin e fushatës, të kombinuara me kapacitetin e kufizuar të organeve mbikëqyrëse të vendit, penguan shqyrtimin efektive të financimit të fushatës. Fondet publike përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të financimit të përgjithshëm të fushatës, por formula e shpërndarjes favorizoi ndjeshëm partitë kryesore parlamentare duke përjashtuar partitë më të vogla me një grup parlamentar dhe ofroi mundësi shumë të kufizuara për partitë e tjera të vogla dhe kandidatët e pavarur.
“Ne i dëgjuam të gjithë bashkëbiseduesit tanë me vëmendje dhe interes. Megjithëse integrimi evropian nuk ishte një çështje qendrore e fushatës, kuptojmë nga shumë prej tyre se shumica e partive dhe komuniteteve në Maqedoninë e Veriut mbeten të përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE,” tha Marta Temido, Shefe e Delegacionit të PE-së. “Prandaj, ne u sugjerojmë autoriteteve të sapozgjedhura lokale të avancojnë agjendën e reformave të vendit të tyre për në BE.”
Peizazhi mediatik është i larmishëm, por i fragmentuar sipas vijave politike dhe etnike. Në të njëjtën kohë, kushtet e pafavorshme të punës dhe burimet e kufizuara njerëzore në sektorin e medias ndikojnë në cilësinë e raportimit. Monitorimi mediatik i misionit vëzhgues tregoi se mbulimi i zgjedhjeve në mediat transmetuese ishte në përgjithësi i balancuar. Fushata në mediat sociale është kryesisht e parregulluar dhe nuk ka autoritet mbikëqyrës të mandatuar për të monitoruar fushatën në rrjetet sociale dhe për të zbuluar dezinformimin apo përmbajtjen manipuluese.
Vëzhgimi ndërkombëtar i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut arriti në total 275 vëzhgues nga 40 vende, të përbërë nga 253 ekspertë të ODIHR-it dhe vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër, 15 antarë dhe staf nga Kongresi, si dhe shtatë dhe shtatë parlamentarë dhe anëtarë të stafit të PE-së.
Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:
Katya Andrusz, ODIHR: +48 609 522 266 ose katya.andrusz@odihr.pl
Stephanie Poirel, Kongresi: +33 6 63 55 07 10 ose stephanie.poirel@coe.int
Raffaele Luise, PE: +32 470952279 ose raffaele.luise@europarl.europa.eu