Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut ishte konkurrues, por pretendimet për presion mbi votuesit vazhduan, thonë vëzhguesit e ODIHR-it
SHKUP, 1 nëntor 2021 – Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut ishte konkurrues dhe administrata zgjedhore bëri përpjekje për të adresuar disa mangësi procedurale nga rrethi i parë. Megjithatë, retorika negative dhe pretendimet për presion ndaj votuesve dhe kandidatëve vazhduan të ndikojnë në zgjedhje, thanë në deklaratën e sotme vëzhguesit ndërkombëtarë nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
Zyrtarët e zgjedhjeve i kryen përgatitjet teknike për balotazhet brenda afateve ligjore. Pas disa përpjekjeve për të adresuar çështjet teknike nga rrethi i parë, dita e zgjedhjeve të rrethit të dytë kaloi pa probleme, megjithëse disa mangësi vazhduan. Trajtimi joadekuat i kundërshtimeve i minoi mjetet efektive ligjore dhe privoi disa njerëz nga mundësia për të votuar.
Megjithëse nga garuesit në rrethin e dytë u kërkua që të dorëzonin raporte financiare, ato nuk u publikuan para votimit. Kjo, së bashku me informacionin e kufizuar publik për financimin e fushatës në rrethin e parë dhe llogaridhënien për të, e zvogëloi transparencën.
Transmetuesit e monitoruar nga ODIHR-i u dhanë votuesve informacion të mjaftueshëm për garuesit dhe toni i programeve të lajmeve në përgjithësi ishte neutral. Partitë më të mëdha parlamentare gëzojnë përparësi sistematike në shpërndarjen e burimeve publike për zhvillimin e fushatës dhe në mbulimin dhe reklamimin në media, duke i vënë në pozitë dukshëm të pafavorshme kandidatët e pavarur dhe ata nga partitë më të vogla.
“Mund të bëhet më shumë për t'i bërë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut më gjithëpërfshirëse, si për kandidatët e pavarur ashtu edhe për ata që i përfaqësojnë parti më të vogla,” tha Tana de Zulueta, Shefe e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të ODIHR-it. "Përmirësimet në kornizën zgjedhore mund të krijojnë një terren më të barabartë për garë duke i trajtuar pabarazitë sistematike në mundësitë për zhvillimin e fushatës, si dhe duke u përqëndruar në mënyrat për përmirësimin e pjesëmarrjes së grave në jetën politike."
Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i ODIHR-it në Maqedoninë e Veriut e filloi punën e tij më 7 shtato r me një ekip prej 16 ekspertësh të vendosur në Shkup. Në rrethin e dytë, misioni përfshiu 23 vëzhgues nga 13 vende. Raporti përfundimtar me rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor do të jetë në dispozicion pas rreth dy muajsh.
Për informata plotësuese ju lutemi kontaktoni:
Katya Andrusz, ODIHR: +48 609 522 266 ose katya.andrusz@odihr.pl