Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut i qetë dhe i realizuar mirë, por zbrazëtirat ligjore mbeten të patrajtuara, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë
SHKUP, 6 maj 2019 – Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut ishte i qetë dhe i realizuar mirë. Megjithatë, mangësitë në kornizën ligjore vazhduan të mbeten shqetësim, konkluduan vëzhguesit ndërkombëtarë në deklaratën paraprake të publikuar sot.
Misioni vëzhgues është aktivitet i përbashkët i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (AP të OSBE-së) dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).
“Ky cikël zgjedhor tani u përmbyll me sukses, ku votuesit kishin mundësi të zgjedhin lirshëm ndërmjet mundësive të ndryshme,” tha Sereine Mauborgne, Koordinatore speciale dhe udhëheqëse e misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së. “Pjesëmarrja e shtuar e votuesve në ditën e djeshme e tregon vendosmërinë e popullatës për t’u bashkuar dhe për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballet vendi. Tani mbetet që udhëheqësia politike ta dëgjojë këtë mesazh dhe të ndërmarrë reforma të mirëfillta që do t’i zëvendësojnë arnimet ligjore që kërkojnë marrëveshje të vazhdueshme politike me Kod zgjedhor që është koherent dhe i qëndrueshëm.”
Rreth 1,8 milion votues me të drejtë vote kishin të drejtë të votonin në 3.396 vendvotime në mbarë vendin. Autoritetet zgjedhore i bënë përgatitjet për rrethin e dytë në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe, në përgjithësi, e gëzuan besimin e publikut. Megjithatë, duhet të trajtohet fakti që qytetarët me dokumente të skaduara të identifikimit u përjashtuan nga votimi. Po ashtu, edhe pse kësaj radhe u arrit kufiri i pjesëmarrjes prej 40%, ai krijon potencial për zgjedhje të përsëritura, shqetësim ky që është ngritur edhe më parë nga ODIHR-i.
Fushata u zhvillua në ambient të qetë. Të gjithë pjesëmarrësit ishin në gjendje të bënin fushatë pa pengesë, e po ashtu u respektuan edhe liritë themelore. Funksionarët shtetërorë duket se vazhduan të bëjnë dallim të qartë mes aktiviteteve të tyre zyrtare dhe politike. Për më tepër, të dy kandidatët iu drejtuan bashkësive të ndryshme etnike.
“Votimi për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale u organizua mirë dhe votuesit, sikurse edhe në rrethin e parë, kishin mundësi zgjedhjen e tyre ta bëjnë në mënyrë të lirshme. Mirëpo, zgjedhjet nuk kufizohen vetëm në ditën e zgjedhjeve. Delegacioni i APKE-së konsideron se disa probleme që përsëriten në procesin zgjedhor mbeten të patrajtuara, veçanërisht nevoja për reforma të Kodit Zgjedhor dhe, në përgjithësi, të sistemit politik, për t’i përfshirë qytetarët dhe për të siguruar pjesëmarrje të tyre aktive, pavarësisht nga përkatësia etnike. Përveç kësaj, është me rëndësi kyçe që të përforcohet transparenca dhe kontrolli i financimit të fushatës zgjedhore. Nuk duhet të lejohet që çështja e anëtarësimit në BE dhe NATO t’i lë nën hije problemet që përsëriten në procesin zgjedhor,” tha Marie-Christine Dalloz, Shefe e delegacionit të APKE-së. “Asambleja Parlamentare dhe Komisioni i Venedikut janë të gatshme t’u ndihmojnë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në implementimin e reformave të nevojshme.”
Sikurse edhe në rrethin e parë zgjedhor, megjithatë, vëzhguesit ndërkombëtarë shprehën shqetësime serioze në lidhje me kornizën ligjore. Edhe pse ligji mundëson zgjedhje demokratike, zbrazëtirat rregullatore tashmë të qarta për çështjet si zhvillimi i fushatës, reklamimi mediatik, financimi i fushatës dhe regjistrimi i votuesve, mbeten të patrajtuara. Kjo e potencon edhe më shumë rëndësinë për reforma legjislative, e cila tashmë u theksua edhe përfundimet paraprake pas rrethit të parë.
“Dita e zgjedhjeve ishte mirë e përgatitur dhe kaloi në qetësi dhe në paqe,” tha Corien Jonker nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e OSBE-së. “Por, demokracia nuk ka të bëjë vetëm me ditën e zgjedhjeve. Nevojitet vullnet politik për të siguruar se reformat e mirëfillta inkluzive ligjore do të përcillen me zbatim konsekuent që e ndërton dhe e ruan besimin e qytetarëve.”
Misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e rrethit të dytë zgjedhjeve përbëhet nga rreth 170 vëzhgues nga 32 vende, duke përfshirë edhe 156 vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër të shpërndarë nga ODIHR-i, 11 deputetë dhe zyrtarë të AP-së të OSBE-së, dhe 5 nga APKE-ja.
Për më shumë informata, ju lutemi kontaktoni:
Andreas Baker, AP e OSBE: +389 70 636 321 ose +45 601 08126, andreas@oscepa.dk
Katya Andrusz, ODIHR: +389 72 807 826 ose +48 609 522 266, katya.andrusz@odihr.pl
Chemavon Chahbazian, Sekretariati i APKE-së: +389 70 636 302 ose +33 6 50 68 76 55, Chemavon.Chahbazian@coe.int