Zgjedhjet lokale në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ishin konkurrente, u respektuan liritë themelore përkundër pretendimeve të besueshme për shkelje, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë
SHKUP, 16 tetor 2017 – Mbajtja e zgjedhjeve lokale më 15 tetor në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë kontribuoi për përforcimin e besimit në procesin demokratik, konkluduan vëzhguesit ndërkombëtarë në deklaratën paraprake të lëshuar sot. Zgjedhjet u zhvilluan në një ambient konkurrent, ku kandidatët në përgjithësi kishin mundësi të zhvillojnë fushatë pa kufizime, dhe liritë themelore për tubim dhe liri të shprehjes, në përgjithësi, u respektuan. Pati disa pretendime të besueshme për blerje të votave, presion mbi votuesit dhe kishte raste të izoluara të dhunës gjatë periudhës parazgjedhore. Mediat e monitoruara ofruan mbulim të paanshëm të garuesve dhe e lehtësuan mundësinë për debat politik. Edhe pse u vërejtën disa parregullsi, dita e zgjedhjeve, në përgjithësi, kaloi në rregull, thanë vëzhguesit.
“Në përgjithësi, zgjedhjet e djeshme lokale ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe ne shpresojmë se kjo do të jetë kontribut për zhvillimin e mëtutjeshëm të qëndrueshëm në nivel lokal, me qëllim që të përmirësohen kushtet për jetesë për të gjithë qytetarët e këtij vendi”, tha Karim Van Overmeire, Shefi i Delegacionit të Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës.
“Edhe pse procesi akoma nuk ka përfunduar, në këto zgjedhje u pa përparimi demokratik i këtij vendi dhe u rrit besimi i votuesve në procesin zgjedhor. Shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe në rrethin e dytë.”, tha ambasadori Audrey Glover, Shef i Misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it.
Korniza ligjore e vendit ofron mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore, duke i përfshirë të drejtat e pakicave, dhe paraqet një bazë të mirë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, thanë vëzhguesit. Edhe pse ndryshimet që janë bërë vitet e fundit kanë trajtuar një numër të rekomandimeve të mëparshme të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës, mbeten disa mangësi, duke i përfshirë kufizimet për regjistrimin e kandidatëve të pavarur dhe të drejtat e kufizuara për mjete juridike. Ndryshimi i vonshëm i Kodit zgjedhor rezultoi me ndryshim të përbërjes së Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ). Kjo është në kundërshtim me praktikën e mirë ndërkombëtare.
Përkundër sfidave organizative, administrata zgjedhore siguroi që votuesit të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, thuhet në deklaratë. Megjithatë, disa rregulla të KSHZ-së ishin në kundërshtim me ligjin. Mbledhjet e KSHZ-së ishin të hapura për vëzhguesit, megjithatë disa vendime të rëndësishme shpeshherë u morën në mbledhje të mbyllura. Pozitivisht, procesi i regjistrimit të kandidatëve ishte inkluziv dhe u ndërmorën hapa për ta lehtësuar të drejtën e votës për personat me pengesa. Shumë bashkëbisedues vërejtën besim të shtuar në integritetin e regjistrit të votuesve, kurse disa të tjerë vazhduan të shprehin shqetësim për këtë, duke përfshirë edhe implementimin e kërkesës për vendbanim.
Çështjet e pjesëmarrjes së grave në jetën publike nuk u trajtuan në fushatë, theksuan vëzhguesit. Përbërja e KSHZ-së e përmbushi kërkesën për përfaqësim gjinor prej 30 për qind. Megjithatë, kjo nuk është respektuar gjithmonë në nivelet më të ulëta. Disa lista me kandidatë nuk e respektuan kërkesën ligjore për balanc gjinor, megjithatë ato u regjistruan.
Mediat publike u ofruan të gjithë kandidatëve minutazh pa pagesë në periudhën me shikim më të madh, mirëpo vetëm një numër i vogël i kandidatëve e shfrytëzuan atë, thuhet në deklaratë. Dy partitë më të madhe dominuan në reklamimin me pagesë në mediat private. Debatet televizive ishin të organizuara mirë, megjithatë, jo të gjithë kandidatët e ftuar morën pjesë në to. Organi rregullator i mediave inicioi disa procedura kundërvajtëse në lidhje me reklamimin politik, raportimin jo të balancuar dhe publikimin e anketave zgjedhore.
Edhe pse rregullat për financimin e fushatës janë përmirësuar gjatë viteve të fundit, në përputhje me rekomandimet e mëparshme, ato nuk siguruan plotësisht transparencë përkatëse. Shumica e garuesve nuk e përmbushën në tërësi kërkesën ligjore për raportim paraprak për financimin e fushatës.
Përkundër shqetësimeve të besueshme për shkeljet, KSHZ-ja dhe autoritetet e tjera pranuan vetëm disa ankesa, disa nga të cilat janë duke u shqyrtuar, thuhet në deklaratë. Një numër i bashkëbiseduesve i informuan vëzhguesit ndërkombëtarë se kishin mungesë të besimit në aftësinë e administratës zgjedhore dhe të gjykatave për t’i shqyrtuar në mënyrë të paanshme rastet që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Qasja e vëzhguesve qytetarë në të gjitha fazat e procesit kontribuoi për të pasur transparencë dhe ofroi vlerësim jopartiak të zgjedhjeve. Mbi 3.000 vëzhgues ishin të akredituar për ditën e zgjedhjeve.
Votimi i hershëm dhe dita e zgjedhjeve kaluan në mënyrë të rregullt në pjesën më të madhe të vendit. Personat e angazhuar në zgjedhje, në përgjithësi, në mënyrë efikase e lehtësuan votimin dhe iu përmbajtën procedurave të parapara. Megjithatë, vëzhguesit ndërkombëtarë vërejtën disa parregullsi që përsëriten, duke përfshirë votimin familjar/grupor dhe komprometimin e fshehtësisë së votës. Gjatë nxjerrjes së rezultateve, procedurat u ndoqën kryesisht, edhe pse në disa raste vëzhguesit nuk kishin qasje të plotë në procesin e futjes së të dhënave. KSHZ-ja filloi t’i publikojë rezultatet preliminare një kohë të shkurtë pas mbylljes së vendvotimeve, që kontribuoi për transparencë, megjithatë rezultatet nuk ishin të ndara sipas vendvotimeve, që e kufizoi mundësinë për këqyrjen e tyre.
Për informata plotësuese, ju lutemi kontaktoni:
Maria Kuchma, OSBE/ODIHR, +389 72318231 ose +48 609 038 346, maira.kuchma@odihr.pl
Renate Zikmund, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, +33 659 786 455, renate.zikmund@coe.int