Ekspertët juridik në Shkup nëpërmjet projektit të OSBE / ODIHR do të mësojnë se si të përdorin materialet e Tribunalit të Hagës
SHKUP, 20 qershor 2011 - Sot në Shkup filluan katër seminare trajnuese që do të mbahen gjatë këtyre dy ditëve lidhur me atë se si të përdoren dhe hulumtohen materialet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë (TPNJ). Në këtë trajnim marrin pjesë njëzet anëtarë të stafit të gjykatave dhe prokurorive.
Kursi, i cili zhvillohet nga Tribunali i Hagës, është pjesë e projektit “Drejtësi për krime lufte”, i udhëhequr nga Zyra e OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe i financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti synon të forcojë kapacitetet e ekspertëve juridik në rajon për të trajtuar rastet e ndërlikuara të krimeve të luftës.
Ky kurs do të ndihmojë stafin vendas, të angazhuar në raste të ndërlikuara të krimeve të luftës, se si të gjejë informacion dhe materiale përkatëse lidhur me punën e tyre nëpërmjet data-bazës së TPNJ-së. Ky trajnim poashtu do të përfshijë parashtrimin e kërkesave drejtuar Tribunalit për ndihmë ligjore, si dhe për masat mbrojtëse sipas rregullave të Tribunalit për procedurë dhe prova.
Romana Shvajger, koordinatore rajonale e ODIHR-it për projektin “Drejtësi për krime lufte”, tha se është gjithnjë e më e rëndësishme që institucionet juridike vendase të kenë aftësitë e duhura për qasje në materialin e TPNJ-së në kohën kur Tribunali do të përfundojë së funksionuari.
“Kursi trajnues ndihmon stafin e institucioneve vendase që të mësojë se si të ketë qasje në materialin publik, i cili iu nevojitet për seancat gjyqësore në vend, por edhe si të parashtrojnë kërkesë pranë Tribunalit për materiale tjera shtesë që nuk janë publikuar në ueb faqen e Tribunalit,” tha ajo.
Projekti “Drejtësi për krimet e luftës” është projekt rajonal me vlerë prej katër milionë Euro dhe i implementuar nga ODIHR në bashkëpunim me TPNJ, Institutin e OKB-së për drejtësi dhe hetime të krimeve ndër-rajonale, si dhe misionet e OSBE-së.
Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian
Për më shumë informata, ju lutem kontaktoni Sanela Tunoviç, zyrtare e projektit Drejtësi për krimet e luftës në numrin: + 387 61 539 535 ose nëpërmjet e-mail adresës: wcjp@odihr.pl.