Prokurorë nga rajoni dhe nga Tribunali i Hagës takohen në Shkup për të diskutuar rastet e krimeve të luftës në kuadër të projektit të udhëhequr nga ODIHR
SHKUP, 15 qershor 2011 - Njëzet prokurorë nga rajoni u takuan sot në Shkup me homologët e tyre nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) për të shkëmbyer përvojat mbi çështjet juridike lidhur me ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës.
Takimi u organizua si pjesë e projektit të finansuar nga BE –Drejtësi për krime lufte, të udhëhequr nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në bashkëpunim me TPNJ, Institutin e OKB-së për drejtësi dhe hetime të krimeve ndër-rajonale, si dhe misionet e OSBE-së. Takimi solli së bashku, për herë të parë në këtë formë, prokurorë nga vendi nikoqir, Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.
Koordinatorja rajonale e projektit për drejtësi lidhur me krimet e luftës Romana Schweiger tha: “Diskutimet e rregullta ndërmjet juristëve praktikues nga rajoni lidhur me çështjet juridike forcojnë edhe më tepër lidhjet. Këto takime teknike plotësojnë proceset tashmë të ngritura për çështje politike që lidhen me bashkëpunimin ndër-shtetëror lidhur me rastet e krimeve të luftës.”
Temat e takimit u miratuan në konsultim me prokurorët vendas dhe përfshijnë ndryshimet procedurale që dalin nga reformat e kodit penal, si dhe mbrojtjen e dëshmitarëve dhe vërtetimin e përgjegjësisë penale.
Prokurori i Tribunalit të Hagës, Serge Brammertz, tha: “Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë shkëmbimit të përvojës dhe njohurive ndërmjet Zyrës së Prokurorit të TPNJ-së dhe prokurorëve vendorë. Ndërkohë që puna e Tribunalit të Hagës vazhdon, ne mbetemi të përkushtuar në përkrahjen e ndjekjes penale vendase, si dhe përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit për ndjekjet penale të krimeve të luftës.”
Takimi u mbajt në Akademinë për trajnim të gjykatësve dhe prokurorëve në Shkup dhe i njëjti përkrahet nga Misioni i OSBE-së në Shkup.
Projekti “Drejtësi për krimet e luftës” është projekt rajonal me vlerë prej katër milionë Euro dhe ka për qëllim të rrisë kapacitetin e pushteteve gjyqësore në rajon për të trajtuar rastet e ndërlikuara të krimeve të luftës.
Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian
Për më shumë informata, ju lutem kontaktoni Sanela Tunoviç, zyrtare e projektit Drejtësi për krimet e luftës në numrin: + 387 61 539 535 ose nëpërmjet e-mail adresës: ëcjp@odihr.pl