Misioni i OSBE-së në Kosovë mirëpret vendimin për të rishikuar dispozitat e kodit penal lidhur me mediat
Prishtinë, 8 maj 2012 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer mirëpriti sot vendimin për të kthyer në rishikim në Kuvendin e Kosovës dispozita të caktuara të kodit të ri penal të cilat kërcënojnë të zvogëlojnë lirinë e mediave.
“Unë e mirëpres vendimin për t’i kthyer nenet 37 dhe 38 të kodit të ri penal të Kosovës për rishikim në Kuvend. Këto dy nene në formën aktuale minojnë lirinë e mediave”, tha ai.
“Neni 37 i veçon mediat dhe gazetarët nga të gjithë personat tjerë apo entitetet ligjore të cilët potencialisht mund të kryejnë një vepër penale duke shpërndarë disa lloje të caktuara të informatave. Për më tepër, ai lejon që një person të mbaj përgjegjësi penale për ndonjë keqbërje të një personi tjetër.”
“Neni 38 dështon të themelojë një të drejtë pozitive për media për të mos zbuluar burimet e informacionit dhe nuk e specifikon qartë situatën në të cilën medias do t’i kërkohej ta bënte këtë”.
Almhofer i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që edhe një herë t’i rishikojë këto dispozita dhe t’i adresojë brengat e ngritura nga organizatat për lirinë e mediave dhe vetë mediat.
Ai gjithashtu përshëndeti progresin e arritur kohëve të fundit me miratimin e legjislacionit që ka për qëllim sigurimin e pavarësisë së transmetuesit publik dhe Komisionit të Pavarur për Media, duke hapur rrugën për themelimin e një kanali të dytë të transmetuesit publik në gjuhën serbe.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me ndërtimin e demokracisë si dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Liria e mediave është komponent qenësor i që të dyjave.