25 vjet Gratë, Paqja dhe Siguria: Avancimi i përfshirjes së grave dhe mundësive të barabarta në Maqedoninë e Veriut
Ky vit shënon 25 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurisë së OKB-së - Gratë, Paqja dhe Siguria – një dokument historik që njeh rolin qenësor të grave në ndërtimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë.
Për më shumë se dy dekada, Misioni i OSBE-së në Shkup ka punuar për ta shndërruar këtë angazhim në vepra. Duke punuar me institucionet e shtetit dhe shoqërinë civile, Misioni ka promovuar pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, ka forcuar sigurinë gjithëpërfshirëse dhe ka avancuar mundësitë e barabarta midis grave dhe burrave për të krijuar një themel të fortë për paqe të qëndrueshme.
Rritja e pjesëmarrjes politike
Përmes mbështetjes afatgjatë të dhënë Kuvendit, Misioni ka ndihmuar për ta bërë atë model të qeverisjes me ndjeshmëri gjinore. Planet e vazhdueshme të veprimit për mundësi të barabarta midis grave dhe burrave, ndryshimet në Rregulloren e procedurës dhe trajnimi i synuar për deputetët dhe stafin e parlamentit kanë hapur dyert për më shumë gra lidere. Sot, gratë mbajnë 40 përqind të pozitave në parlament – një nga numrat më të larta në rajon.
Promovimi i udhëheqjes së grave në sektorin e sigurisë
Në partneritet me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Misioni nisi Programin e Mentorimit Gjinor që ka transformuar lidershipin në polici. Që nga viti 2017, më shumë së 150 policë – gra dhe burra – kanë marrë pjesë në këtë program, përderisa përfaqësimi i grave në pozitat e larta në polici është rritur për 18 përqind. Nisma të ngjashme tani miratohen në institucionet e tjera publike, duke vërtetuar se diversiteti dhe përfshirja kontribuojnë për shërbime publike më profesionale, të përgjegjshme dhe të përqendruara tek njerëzit.
Parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave
Qasja ndërdimensionale e Misionit forcon reagimin dhe përgjegjësinë e institucioneve për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Përpjekjet përfshinë trajnimin e kadetëve dhe oficerëve policor mbi teknikat e intervistimit me ndjeshmëri gjinore, përmirësimin e kushteve të hapësirave të intervistimit për të mbrojtur dinjitetin e të mbijetuarve dhe për të zhvilluar mjete të bazuara në prova për parandalim të hershëm.
Në vitin 2025, e tëra kjo punë ka kulmuar në themelimin e Platformës për Monitorimin e Rasteve të Femicidit – një nismë e përbashkët për të përmirësuar përmbledhjen e të dhënave, koordinimin ndëragjencor dhe veprimin politik kundër femicidit.
Forcimi i bashkëpunimit midis grave dhe Institucioneve të të Drejtave të Njeriut
Për të ndihmuar në sigurimin që zërat e grave dëgjohen dhe të drejtat e tyre mbrohen, Misioni ka nxitur bashkëpunim midis grave mbrojtëse të të drejtave të njeriut, organizatave të shoqërisë civile dhe institucionet nacionale të të drejtave të njeriut – duke përfshirë Institucionin e Avokatit të Popullit dhe Komisionin e Parandalimit dhe Mbrojtjes nga Diskriminimi. Ky bashkëpunim rezultoi në Revizionin Gjinor Pjesëmarrës dhe një Plan të veprimit për integrimin e çështjeve gjinore dhe diversitetit, duke siguruar që të dy institucionet aplikojnë qasje gjithëpërfshirëse në punën e tyre. Nismat për trajnim dhe raportim të përbashkët gjithashtu kanë përmirësuar dokumentimin dhe reagimin ndaj rasteve të diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore, duke krijuar përgjegjësi dhe mekanizma mbrojtëse më efektive.
Përfshirja e barazisë në ligj dhe politikë
Në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në vitin 2024 Misioni ndihmojë në përpilimin e Doracakut për vlerësimin e ndikimit rregullator mbi barazinë gjinore – tani një mjet i detyrueshëm për shqyrtimin e të gjitha projektligjeve. Ky dokument siguron që legjislacioni në përpilim të vlerësohet për ndikimin që ka ndaj grave dhe burrave, duke detyruar përfshirjen e proceseve të drejta dhe gjithëpërfshirëse të hartimit të politikave dhe praktikave të qeverisjes.
Ndërsa bota shënon 25 vjetorin e agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria, Misioni i OSBE-së në Shkup riafirmon përkushtimin e vet për fuqizimin e grave dhe promovimin e mundësive të barabarta si çelës për paqe dhe qëndrueshmëri afatgjate.
“Sigurimi që gratë dhe burrat gëzojnë mundësi të barabarta për pjesëmarrje në vendimmarrjen është thelbësore për paqen dhe sigurinë demokratike. Përmes partneriteteve të forta dhe angazhimit të qëndrueshëm, Maqedonia e Veriut vazhdon të dëshmojë se progresi është i mundur kur të gjithë gëzojnë zërin dhe rolin e barabartë në formësimin e së ardhmes,” tha ambasadori Kilian Wahl, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup.
#SheForPeace #WithWomenForPeace #WPSMatters #GenderEquality #OSCESkopje