Konkurs në shkrimin e eseve
I hapur për: Studentët që ndjekin studime deridiplomike dhe pasdiplomike në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universitetin “Goce Delçev” – Shtip, Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, Universitetin e Evropës Juglindore dhe Kolegjin Universitar Amerikan në Shkup. Punonjësit, konsulentët ose praktikantët e OSBE-së, si dhe anëtarët e afërt të familjeve të tyre, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë.
Data e fundit për dorëzimin e eseve: 21 nëntor 2025
Shpërblime: Autorët e tre eseve më të mira do të marrin secili vauçerë për pajisje IT.
Misioni i OSBE-së në Shkup synon të avancojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut duke zbatuar standardet ndërkombëtare përkatëse dhe angazhimet e OSBE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, në përputhje me prioritetet strategjike të Maqedonisë së Veriut. Misioni trajton një sërë sfidash në fushat e pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore, drejtësisë penale, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër diskriminimit, barazisë gjinore dhe të drejtave themelore në Maqedoninë e Veriut, siç janë identifikuar në dokumente të ndryshme të politikave qeveritare dhe vlerësime ndërkombëtare të ekspertëve.
Paralelisht me serinë e masterklasave kundër korrupsionit, të organizuara në bashkëpunim me pesë universitete kombëtare (University American College Skopje, Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universitetin “Goce Delçev” – Shtip, Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir dhe Universitetin e Evropës Juglindore), Misioni i OSBE-së në Shkup mirëpriti interesimin dhe angazhimin e madh të treguar nga studentët. Duke u bazuar në këtë entuziazëm, Misioni ka kënaqësinë të shpallë një konkurs eseje për studentët. Qëllimi i konkursit është të inkurajojë më tej pjesëmarrjen aktive në nisma kundër korrupsionit, duke u mbështetur në njohuritë që studentët fituan nga ligjëratat e mbajtura nga më shumë se një duzinë profesionistësh, studiuesish dhe aktivistësh kundër korrupsionit gjatë serisë së masterklasave.
Konkursi do të jetë i hapur deri më 21 nëntor 2025.
Esetë duhet të tregojnë një kuptim të mirëinformuar të natyrës komplekse të korrupsionit dhe të propozojnë ide realiste për mënyrat e reduktimit të tij. Autorët duhet të paraqesin një ose më shumë argumente të lidhura me temën e zgjedhur të analizës, të cilat duhet të elaborohen dhe të mbështeten me burime të besueshme nga literatura akademike, juridike ose e politikave publike. Prandaj, autorët inkurajohen të paraqesin mendimin e tyre personal, por duhet të sigurohen që ai të bazohet në prova të besueshme dhe bindëse. Esetë duhet të jenë të strukturuara mirë dhe të shkruara në mënyrë të qartë, me përdorim të përshtatshëm të gjuhës.
Esetë duhet të bazohen në një nga temat e përgjithshme të mëposhtme:
• Integriteti dhe përdorimi i inteligjencës artificiale• Korrupsioni dhe asetet kripto• Aspektet penale të korrupsionit• Korrupsioni dhe gjinia• Korrupsioni dhe media
Këto tema ofrojnë një drejtim të përgjithshëm, duke u lejuar autorëve të zhvillojnë esetë e tyre në mënyrë më specifike, për sa kohë që mbeten në përputhje me njërën nga pesë emat e përgjithshme.
Një komision vlerësues i përbërë nga tre profesorë do të vlerësojë esetë e dorëzuara në mënyrë anonime, duke aplikuar kriteret e mëposhtme:• Tema e esesë dhe rëndësia e saj (maksimum 25 pikë)• Krijimtaria dhe origjinaliteti i argumenteve dhe zgjidhjeve të propozuara (maksimum 25 pikë)• Argumentimi dhe përdorimi i provave dhe burimeve (maksimum 25 pikë)• Gjuha, struktura dhe qartësia (maksimum 25 pikë)
Esetë duhet të jenë të shkruara në gjuhën angleze, me fontin Times New Roman, madhësia 12, dhe me hapësirë ndërmjet rreshtave 1.5. Gjatësia totale duhet të jetë midis 1,400 dhe 1,600 fjalë (rreth tre faqe). Esetë që e tejkalojnë këtë kufi fjalësh nuk do të merren në konsideratë.
Të gjitha esetë duhet të jenë punë origjinale e autorëve. Çdo rast plagjiature, përfshirë edhe përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGPT, do të rezultojë me skualifikim nga konkursi.
Sesioni informues
Për studentët e interesuar, Misioni i OSBE-së në Shkup do të organizojë një sesion informues online me udhëzime më të detajuara mbi mënyrën e përgatitjes së një eseje konkurruese, një javë para afatit të dorëzimit të eseve. Për të marrë informacion mbi datën dhe orën e saktë të sesionit si dhe lidhjen në Zoom, ju lutemi dërgoni një email në Ana.DespotovskaBogevska@osce.org dhe përfshini të dhënat tuaja të kontaktit.
Procesi i aplikimit
Udhëzimet për konkursin e shkrimit të eseve janë të disponueshme edhe në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Autorët duhet t’i dërgojnë esetë e tyre në format PDF në adresën Ana.DespotovskaBogevska@osce.org deri më 21 nëntor 2025. Për të mbështetur procesin e vlerësimit anonim, autorët duhet të përfshijnë emrin, mbiemrin dhe emrin e universitetit të tyre në trupin e emailit, ndërsa duhet të sigurohen që emri i tyre të mos shfaqet në dokumentin e esesë.
Asgjë në këtë konkurs apo që lidhet me të nuk duhet të interpretohet si heqje dorë, e shprehur apo e nënkuptuar, nga ndonjë prej privilegjeve dhe imuniteteve të OSBE-së.