OSBE prezanton rezultatet e sondazhit mbi mirëqenien dhe sigurinë e grave në Maqedoninë e Veriut
Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Seksioni për barazi gjinore e OSBE-së prezantuan më 15 maj 2019 në Shkup një sondazh që tregon se dhuna ndaj grave në Maqedoninë e Veriut shpesh ngel e pa raportuar dhe se disa forma të dhunës fizike dhe seksuale janë shumë të përhapura në vend. Hulumtimi po ashtu tregon se ekziston një nevojë e veçantë për më shumë mbështetje dhe veprime të synuara për të ndihmuar gratë nga grupet e pakicave dhe nga zonat rurale.
Sondazhi është i pari i këtij lloji i zhvilluar në Evropën Juglindore dhe Evropën Lindore. Ai jep një pasqyrë të detajuar të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike të pësuar nga gratë dhe vajzat në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovine, Malin e Zi, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë. Anketa u zhvillua edhe në Kosovë.
Sondazhi ka për qëllim të sigurojë dëshmi solide për vendimmarrje të informuar dhe avokim në nivele të ndryshme për të zvogëluar dhunën ndaj grave, si dhe për të përmirësuar shërbimet për gratë që kanë përjetuar dhunë.
“Dhuna me bazë gjinore mbetet një nga shkeljet më të përhapura dhe më të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në nivel global që ndikon në jetën e grave dhe vajzave në vende dhe rajone të ndryshme. Ajo kërcënon sigurinë e të gjithëve. Për ne në OSBE, kjo dhunë strukturore nuk është vetëm një shkelje e të drejtave të njeriut të grave dhe të vajzave, por edhe një çështje sigurie,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Clemens Koja.
Kryeministri Zoran Zaev, i cili ishte nikoqir i prezantimit të rezultateve nga sondazhi, theksoi: “Duke shfletuar raportin e OSBE-së, një aspekt më shqetësoi shumë. Vetëm dy për qind e grave të anketuara që kanë përjetuar dhunë nga partnerët e tyre të tanishëm i kanë raportuar policisë incidentin më të rëndë që kanë përjetuar. Dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe ne duhet ta trajtojmë atë urgjentisht. Qeveria jonë është e angazhuar për përmirësimin sistematik të barazisë gjinore dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës kundër grave.”
Amarsanaa Darisuren, Këshilltare e lartë e OSBE-së për çështje gjinore, tha se pa marrë parasysh vendndodhjen gjeografike, nivelin e prosperitetit apo madhësisë së popullsisë, dhuna kundër grave është e përhapur në të gjitha vendet e botës. “Ekziston ende një boshllëk i madh i njohurive kur është fjala për dhunën ndaj grave, dhe nevojiten të dhëna të fuqishme dhe të besueshme. Ky studim siguron informacionin e nevojshëm për të ndërmarrë veprime. Tani është koha për ndërmarrjen e hapave konkrete për të parandaluar dhunën kundër grave dhe vajzave,” tha ajo.
Raporti për Maqedoninë e Veriut mund të gjendet në këtë link:
https://www.osce.org/secretariat/419264
Raporti i rezultateve kryesore të anketimit mund të gjendet në këtë link: