OSBE mbështet tryezë diskutimi në Shkup mbi avancimin e të drejtave të komuniteteve më të vogla, duke u përqendruar në arsim, kulturë dhe media
SHKUP, 6 dhjetor 2017 - Përfaqësues të lartë të ministrive përgjegjëse për arsim, kulturë dhe shoqëri informatike dhe administratë u mblodhën në Shkup për të diskutuar mënyrat për avancimin e mëtejmë të të drejtave të komuniteteve më të vogla.
Tryeza e diskutimit, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, në bashkëpunim me Agjencinë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve synon të inkurajojë dialogun mbi çështjen e përfaqësimit të barabartë dhe mënyrat për të përmirësuar të drejtat e komuniteteve në fushën e arsimit, kulturës, medias dhe administratës publike.
“Kultura e komuniteteve më të vogla është një pasuri e madhe për vendin tonë, që meriton respekt dhe vëmendje. Kultura është një instrument, përmes të cilit më së miri artikulohet dhe perceptohet diversiteti,” tha Ministri i kulturës Robert Alagjozovski. “Ky takim sot është një mundësi e madhe, jo vetëm për të vlerësuar atë që është bërë deri më tani, por edhe për të gjetur qasje të reja dhe mënyra për të avancuar të drejtat, si dhe për të kërkuar mundësitë e përparimit të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë.”
Zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Aleksandar Bajdevski tha: “Sa i përket përfaqësimit të barabartë të komuniteteve më të vogla, do të doja të theksoja se një mekanizëm për zbatimin e parimit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të komuniteteve është krijuar në çdo institucion në sektorin publik.”
Kreu i Departamentit të Dimensionit Njerëzor të Misionit të OSBE-së në Shkup Gonzalo de Cesare, deklaroi” “Ne në OSBE besojmë se ruajtja e të drejtave individuale dhe të komuniteteve, respektimi i diversitetit, promovimi i pasurive kulturore dhe gjuhësore të vendit dhe nxitja e ndërveprimit ndër-kulturor janë qenësore për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për të gjithë.”
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve Ilhan Rahman shtoi: “Agjencia do të kontribuojë në krijimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë, ku pjesëtarët e komuniteteve më të vogla do të jenë qytetarë të barabartë. Qëllimi ynë është që të përmirësojmë arsimin në gjuhën amtare për këto komunitete, poashtu të përmirësojmë përfaqësimin e barabartë të tyre në institucione, si dhe të kemi redaksi funksionale të komuniteteve në transmetuesin publik.”