Misioni i OSBE-së dhuron 200 aparate për fikjen e zjarrit për të përmirësuar sigurinë nga zjarri në lagjet e Prishtinës
Prishtinë, 17 tetor 2025
Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar sigurinë publike, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhuroi 200 aparate për fikjen e zjarrit për ndërtesat e banimit kolektiv në lagjet Ulpiana dhe Bregu i Diellit të Prishtinës.
Kjo nismë, e zbatuar në bashkëpunim me Komitetin Lokal për Siguri Publike (KLSP) të lagjeve Ulpiana dhe Bregu i Diellit, mëton përmirësimin e sigurisë dhe gatishmërisë në rast zjarri, si dhe është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Misionit për të mbështetur nismat e sigurisë publike në komunitet nga KLPS-të.
Këto dy lagje përbëhen nga shumë ndërtesa me instalime elektrike të vjetruara dhe që nuk janë të mirëmbajtura mirë, duke rritur ndjeshëm rrezikun nga zjarri, gjë që e bënë donacionin thelbësor për përmirësimin e sigurisë së banorëve dhe parandalimin e rreziqeve të mundshme nga zjarri.
Përveç dhurimit të pajisjeve, kjo nismë ka përfshirë edhe trajnime që janë mbajtur nga zjarrfikësit vendas për t'u mësuar banorëve se si të përdorin në mënyrë të sigurt aparatet për fikjen e zjarrit dhe të vlerësojnë se kur është e sigurt të ndërhyhet gjatë një emergjence zjarri.
“Projektet tona në mbështetje të KLSP-ve përqendrohen në adresimin e nevojave prioritare të komuniteteve lokale, përfshirë grupet e cenueshme si gratë, të rinjtë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet joshumicë”, tha Bertram Welsing, Drejtor i Departamentit për Siguri dhe Rend Publik në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Përfundimisht, qëllimi jonë është të ndihmojnë për krijimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe të rrisin efektivitetin dhe besueshmërinë e KLSP-ve.”
KLSP-të kanë rol vendimtar për përmirësimin e bashkëpunimit në mes të policisë dhe komuniteteve duke trajtuar shqetësimet lokale të sigurisë dhe duke punuar për të përmirësuar cilësinë e përgjithshme të jetës në gjithë Kosovën.
Për shumë vite, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka punuar ngushtë me KLSP-të për të përmirësuar sigurinë në komunitet, për të konsoliduar partneritetet polici-komunitet dhe për të trajtuar çështjet e sigurisë në nivel lokal.