Misioni i OSBE-së mbështet tryeza diskutimi për parandalimin e dhunës në shkolla dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen e fëmijëve

Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështeti Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në organizimin e katër diskutimeve me temë “Parandalimi dhe referimi i dhunës në shkolla dhe zbatimi i politikave për mbrojtjen e fëmijëve”.
Diskutimet u mbajtën nga 2 deri më 9 tetor 2025 dhe përfshinë 138 përfaqësues të institucioneve, shkollave dhe këshillave të prindërve, si dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe sektorit të shëndetësisë nga Ferizaj, Peja, Podujeva dhe Obiliqi. Gjatë diskutimeve u trajtuan shkaqet e dhunës në shkolla, u debatua për strategjitë efektive të parandalimit, procedurat e referimit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe u ndanë përvoja dhe praktika të mira nga komunat pjesëmarrëse.
Përmes prezantimeve, dialogut të hapur dhe rasteve studimore, diskutimet ndihmuan që të kuptohet thelbi i kornizës për mbrojtjen e fëmijëve dhe i masave për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës në shkolla. Këto tryeza diskutimi ishin gjithashtu mundësi për të përmirësuar komunikimin ndërmjet akterëve përkatës dhe për të krijuar një rrjet të koordinatorëve të trajnuar për mbrojtjen e fëmijëve në komunat pjesëmarrëse.
“Siguria dhe mirëqenia e fëmijëve në institucionet arsimore është përgjegjësi e përbashkët dhe me rëndësi thelbësore. Këto tryeza diskutimi konfirmojnë zotimin tonë të përbashkët për të ndërtuar mjedise mësimore gjithëpërfshirëse dhe të mbrojtura, duke garantuar të drejtën e çdo fëmije për arsim dhe siguri,” tha Ambasadori Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Një nga përfundimet kryesore të tryezave ishte se mbrojtja e fëmijëve përmes arsimit cilësor kërkon integrimin e temave thelbësore në programet shkollore, si të drejtat e fëmijëve, parandalimi i dhunës, barazia gjinore dhe respektimi i diversitetit, si dhe siguria në internet, mirëqenia mendore dhe emocionale, parandalimi i trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve, edukimi seksual i përshtatur për moshën, aftësitë për jetë dhe strategjitë për zgjidhjen paqësore të konflikteve.
Pjesëmarrësit bënë thirrje për vazhdim të mbështetjes institucionale dhe rekomanduan përfundimin e Procedurave Standarde të Veprimit për trajtimin e rasteve të dhunës në shkolla, integrimin e temës së mbrojtjes së fëmijëve në programet e trajnimit të mësimdhënësve, rritjen e përfshirjes së nxënësve dhe prindërve në aktivitetet parandaluese, si dhe përdorimin më të shpeshtë të ushtrimeve simuluese ndërinstitucionale për të forcuar gatishmërinë e reagimit.
Përveç lehtësimit të diskutimeve, Misioni i OSBE-së mbështeti edhe printimin dhe shpërndarjen e “Protokollit për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar” dhe udhëzimeve për zbatimin e tij, të cilat u prezantuan dhe u diskutuan gjatë këtyre sesioneve. Këto dokumente japin udhëzime të qarta mbi rolet institucionale, mekanizmat e koordinimit dhe standardet procedurale për trajtimin e dhunës në shkolla.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat të mbrojë dhe promovojë të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, si dhe të mbështesë demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbetet i përkushtuar për të ndihmuar institucionet në forcimin e sistemeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe në krijimin e mjediseve më të sigurta shkollore.