OSBE-së mban trajnim të avancuar rreth analizës së krimit për Policinë e Kosovës

Prishtinë, 26 Shtator 2025
Si pjesë e përpjekjeve për të forcuar kapacitetet analitike dhe operative të Policisë së Kosovës, nga data 23 deri më 25 shtator, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi trajnim të avancuar mbi analizën e krimit për 20 analistë të Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës dhe të njësive tjera analitike brenda Policisë së Kosovës. Trajnimi kishte për synim rritjen e aftësisë për të identifikuar, vlerësuar dhe reaguar ndaj aktiviteteve kriminale komplekse duke zbatuar teknikat e avancuara në analizën e sjelljes kriminale.
Pjesëmarrësit shtjelluan një gamë temash të specializuara, përfshirë hipotezën alternative konkurruese, analizën e modeleve të krimit, analizën financiare, profilizimin psikologjik dhe mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit. Trajnimi e theksoi qasjen shumëdisiplinore, përfshirë teknologjitë moderne dhe metodologjitë inovative për të forcuar aspektin e parandalimit të krimit dhe rezultateve hetimore.
I ofruar përmes ligjëratave të udhëhequra nga ekspertë, ushtrimeve praktike, rasteve të studimit dhe diskutimeve në grup, trajnimi ofroi përvojë praktike në zbatimin e mjeteve analitike në skenarë kriminalë të botës reale. Pjesëmarrësit mësuan si të zhvillojnë dhe testojnë hipoteza, zbulojnë modelet e krimit dhe të kuptojnë thellë motivet kriminale.
“Përmirësimi i aftësive analitike të Policisë së Kosovës është çelës për avancimin e policimit të udhëhequr nga inteligjenca”, tha Ambasadori Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Ky trajnim kontribuon në zhvillimin e hetimeve më efektive, mbështet sigurinë publike dhe thekson partneritetin tonë të fortë dhe angazhimin e përbashkët për ndërtimin e një shërbim policor modern, të përgjegjshëm dhe profesional”, shtoi ai.
Aftësitë e fituara do të ndihmojnë në vendimmarrje operative më të mirë, saktësi më të madhe hetimore dhe strategji më efektive për parandalimin e krimit.
Kjo iniciativë e tregon angazhimin e vazhdueshëm të Misionit të OSBE-së për të mbështetur institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë në ndërtimin e shërbimeve policore profesionale, të përgjegjshme dhe të orientuara drejt komunitetit.