Misioni i OSBE-së i dhuron Policisë së Kosovës defibrilatorë për ta përmirësuar reagimin ndaj emergjencave

Prishtinë , 12 shtator 2025
Në përpjekjet e vazhdueshme për avancimin e sigurisë publike dhe rritjen e gatishmërisë në raste emergjente, Misioni i OSBE-së i dhuroi Policisë së Kosovës 11 defibrilatorë të jashtëm automatik (AED), aparaturë që përdoret gjatë ndërhyrjeve për të shpëtuar jetë në situata kritike.
AED-të janë aparatura mjekësore esenciale që mund t’i rrisin gjasat për mbijetesë në raste të arrestit të papritur kardiak, gjendje ku çdo sekondë është jetike. Zyrtarët policorë, të cilët janë shpesh të parët në vendngjarje të emergjencave, tani do t’i kenë në dispozicion të menjëhershëm këto aparatura.
Defibrilatorët do të distribuohen në mënyrë strategjike në njësitë policore, përfshirë Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, duke siguruar në këtë mënyrë që zyrtarët policorë të jenë të pajisur për të reaguar shpejt dhe në mënyrë efektive.
“Pajisja e stacioneve policore me AED është hap thelbësor drejt reagimit më të shpejtë në raste të emergjencave”, tha Bertram Welsing, Drejtor i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Këto pajisje jo vetëm që avancojnë sigurinë publike, por njëherit mbrojnë edhe shëndetin e zyrtarëve policorë që çdo ditë janë në shërbim të komuniteteve.”
Në vazhdimësi të mbështetjes së ofruar vitin e kaluar, Misioni i OSBE-së, së bashku me Njësinë Mjekësore të EULEX-it, në muajin gusht të këtij viti organizoi trajnim për dhjetë zyrtarë të Policisë së Kosovës për certifikim si instruktorë për mbështetje themelore të jetës (BLS) dhe përdorimit të aparaturës AED. Më vonë gjatë këtij muaji pritet të trajnohen edhe dhjetë zyrtarë të tjerë si instruktorë të BLS/AED, duke siguruar në këtë mënyrë që njohuritë e fituara të barten brenda forcës policore.
“Mbështetja e Drejtorisë së Shërbimeve Mjekësore në kuadër të Policisë së Kosovës me defibrilatorë profesionalë dhe trajnim gjithëpërfshirës është thelbësore si për personelin policor, ashtu edhe për komunitetin e gjerë”, tha Kolonel Hilmi Pacolli, Drejtor i Personelit dhe Administratës në Policinë e Kosovës. “Duke certifikuar instruktorë nga radhët e policisë, ne po e forcojmë gatishmërinë e tërë policisë për reagim ndaj emergjencave.”
Kjo iniciativë shënon një hap të rëndësishëm drejt një shërbimi policor më të sigurt dhe më efikas në Kosovë. Shtimi i kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave do të thotë që Policia e Kosovës është më e përgatitur për të mbrojtur jetë në rrethana ku çdo sekondë është e rëndësishme.